Paradoksi shqiptar i ‘Drejtësisë së Re’ dhe një mësim i vyer nga dosjet ‘Epstein’

“E kush e mbron drejtësinë?”, pyeste një i ftuar dorëzuar karshi presionit të kryeministrit dhe pushtetit ndaj saj, dyzimit sipas tij të opozitës që herë e mbështet e herë e bën lanet, frikës ndaj mafies që e ka shënjestër të kollajtë me ato paga e garanci dhe gjyqit popullor si sport masiv në Shqipëri.
Drejtësinë nuk e mbron askush, përveç atyre që janë gati të paguajnë koston për ta ushtruar.
Por në këtë provën në ngarkesë që sistemi po i bën reformës në drejtësi ka dy anë. Në njërën qendron kryeministri i gjithpushtetshëm, në tjetrën drejtësia e re përfshirë në një shkëmbim lapidar ku publiku veç mpihet e demoralizohet nga pyetja shumë e vështirë: po tani?
Kur Edi Rama flet për “arrogancën e gjyqtarëve” dhe për një pushtet gjyqësor “të pakontrolluar” do të të bindë me të njëjtën lehtësi me të cilën ndërron skeletet e syzeve, se problemi i Shqipërisë nuk është qeveria që kalbet në skandale, por drejtësia që po guxon “më shumë se ç’duhet”. Pra ta shërben kaq me kollajllëk përmbysjen e roleve kushtetuese duke mos lënë kothere dyshimi se sulmi ndaj pagave, ndaj zërit publik të gjyqtarëve e prokurorëve, ndaj çdo forme autonomie materiale, nuk është debat për merakun e buxhetit të shqiptarëve, por strategji presioni.
Rama thotë se neni 138 i Kushtetutës nuk ka lidhje me rritjen e pagave, vetëm me mosuljen e tyre.
Lojë fjalësh pa kuptim. Si vizatimet mbi kalendarë zyre. Pavarësia financiare nuk matet me shifrën nominale, por me pozicionin real dhe efektin praktik të saj.
Ulja e statusit financiar nuk nënkupton vetëm ulje nominale të pagës. Nënkupton çdo ndërhyrje që e përkeqëson pozitën reale të gjyqtarit në raport me funksionin, e bën atë më të ekspozuar ndaj presionit politik, ose e shkëput nga garancitë që i njihen për shkak të rolit. Nëse përmes manovrave financiare e bën pavarësinë të brishtë, ke cenuar frymën e nenit, edhe pa e ulur shifrën në letër. Pra, nuk kemi “pagë të ulur” sepse nuk u rrit sa dëshirohet,
por sepse ndryshimet buxhetore dhe referuese e bëjnë garancinë më të dobët në praktikë.
Kryeministri deklaron qartë e publikisht me rrokje të plota se: “Unë jam palë, ju nuk jeni palë.”
E vërtetë! Por pikërisht sepse është palë, Rama nuk ka asnjë autoritet moral t’u japë leksione atyre që, teorikisht, duhet ta hetojnë dhe gjykojnë. Në mos sot, nesër. Në fakt që dje.
Mandej vjen me po të njëjtin pathos argumenti i radhës, populist, për të ndezur fitilat e konflikteve sociale:
“Po pse mos rriten për mësuesit pagat? Pse jo për pastruesit?”
A thua se nuk u rropën mësues e pastrues nga batërdia korruptive e abuzive e të njëjtit pushtet.
Askush nuk po kërkon që gjyqtarët e prokurorët të trajtohen si kastë superiore shoqërore, por që të kenë kushtet minimale për të mos qenë të shantazhueshëm nga pushteti që gjykojnë. Pagat e drejtësisë nuk justifikohen nga niveli i jetesës, por nga fakti se gjyqtarët dhe prokurorët gjykojnë pushtetin që vendos buxhetin e tyre dhe për këtë arsye, kushtet e tyre materiale janë instrument pavarësie, jo shpërblim social.
Pale kur të vërvitet si argument sërish betoni, ndërtimi i godinave, kampuseve apo “poleve” për drejtësinë a thua se janë garanci kushtetuese. Këto janë investime administrative dhe pavarësia institucionale nuk matet me infrastrukturë, por me mungesën e varësisë financiare nga vullneti i qeverisë dhe mosndëshkimi indirekt përmes buxhetit.
Troç, qeveria që është vetë subjekt potencial hetimi nuk mund të jetë arbitër i kufijve të pavarësisë së drejtësisë.
Po, paga dhe garancitë financiare janë të rëndësishme për njerëzit e drejtësisë!
Po, ndërhyrja e qeverisë është ndërhyrje në shtetin e së drejtës.
Por këtu lind një pyetje e pakëndshme edhe për vetë njerëzit e drejtësisë: çfarë kanë bërë ata me pavarësinë e siguruar nga reforma? Sepse nuk mungojnë kompetencat, struktura dhe mbështetja formale ndërkombëtare. Por çfarë mungon në fakt është vendimi për të shkuar deri tek maja e pushtetit.
Ky është paradoksi më i madh i sistemit. Rama flet për arrogancën e gjyqtarëve, ndërsa ushtron pushtet absolut.
Drejtësia flet për pavarësi, ndërsa shmang përballjen me kokat e pushtetit.
Të dyja mund të jenë të vërteta njëkohësisht dhe kjo është tragjedia institucionale e Shqipërisë sot, një qeveri që e di se drejtësia nuk do të shkojë deri në fund dhe një drejtësi që shpreson se, duke shtyrë vendime, do ta kalojë furtunën. Nëse drejtësia nuk arrin tek pushteti, atëherë i gjithë debati për paga, nene kushtetuese dhe “arrogancë” bind vetëm ata që besojnë se po krijojnë telenovelën me seri: “Rama nuk kontrollon drejtësi”.
Shqipëria është nën regjim dhe në regjim neutraliteti nuk ekziston, shtyrja është pozicionim i qartë dhe heshtja përbën vendim. Nuk ka justifikim sepse për fat të mirë a të keq regjimi i bën të lehta dallimet: o ka veprim drejtësie që e trondit pushtetin, ose mosveprim që e mbron atë.
Ndaj sado në të drejtën e tyre kur kërkojnë rritje pagash dhe ankohen publikisht, e vërteta është se e drejta për të folur publikisht nuk fitohet duke u ankuar, por duke vepruar. Se përndryshe rrezikojnë të ngjajnë si sindikalistë, kur në fakt vendit i duhen si institucion i pavarur.
Rendi i gjërave duhet të jetë ky: drejtësia vepron, e trondit pushtetin, fiton legjitimitet e mandej kërkon garanci. Jo vice versa. Realiteti aktual të fshikullon rëndshëm kur sheh se nuk preket kryeministri, nuk preken ministrat kryesorë, nuk preken aferat e mëdha. Atëherë drejtësia nuk mund të thotë se ndihet e kërcënuar. Publikut i ngjan si e integruar në ekuilibrin e pushtetit. E kjo nuk rregullohet me paga, sado të larta.
Kjo status quo prodhon demoralizim kolektiv, mpirje nga pamundësia për të ndryshuar gjërat.
Ama drejtësia ka shumë në dorë për ta ekspozuar të vërtetën e këtij (anti)pushteti.
Mjafton të shihni e reflektoni mbi dosjet Epstein.
Ju duket absurd paralelizmi? Ja ta kthjellojmë cazë pse ky rast i qendron mirë edhe zgjidhjes së paradoksit tonë.
Dosjet Epstein nuk po na shokojnë vetëm sepse zbulojnë perversitete.
Një pjesë i kemi ditur. Ajo që po na demoralizon realisht është fakti se perversiteti shfaqet aty ku ne kishim deleguar shpresën.
Kur nuk funksiononte drejtësia këtu, shpresonim tek ndërkombëtarët. Kur kapeshin institucionet, shpresonim tek partnerët strategjikë.
Dosjet Epstein godasin pikërisht këtë iluzion, duke treguar se edhe aty ku kemi projektuar autoritet moral, ka patur mbulim, manipulim, heshtje, interesa, kompromis. Kjo na prodhon një ndjesi alla shqiptare: nëse edhe ata janë kështu, atëherë ç’kuptimi ka të luftosh këtu?
Nëse shpresa jonë ende varet nga pastërtia morale e elitave globale, ajo është e dënuar. Ama nëse varet nga mekanizmat që i ekspozojnë edhe ato, atëherë ka kuptim që ç’ke me të!
Këtu ndodh gabimi më i rrezikshëm, sepse ne ngatërrojmë zbulimin e së vërtetës me fundin e moralit. Dosjet Epstein po dëshmojnë se asnjë sistem nuk vetëpastrohet pa ekspozim total.
Dhe ndoshta ky është çmimi i pjekurisë kolektive, të mos ndihesh i pafuqishëm kur sheh të vërtetën, por të kuptosh se vetëm një e vërtetë e plotë e bën pushtetin edhe më absolut të cënueshëm. Dhe këtu gjyqtarët e prokurorët tanë ka shumë në dorë. Edhe me pagën aktuale. Ata që nuk janë kapur.



