Pas një vit heshtjeje rinis në Bruksel dialogu Kosovë-Serbi
Takimi i kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuqic, zhvillohet në prani të shefes së re të diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Pas gati një viti të ndërprerjes së dialogut të nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi, të hënën me (09.02) takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuciq. Takimi zhvillohet në prani të shefes se diplomacisë evropiane Federica Mogherini, e cila pason në këtë post baroneshën Catherine Ashton, e cila kishte nisur dialogun Kosovë Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.
Në dialogun Kosovë-Serbi kishte një pauzë gati njëvjecare për shkak të zgjedhjeve të reja në Kosovë e Serbi dhe po ashtu edhe për shkak të ndërrimit të udhëheqësve më të lartë të Bashkimit Evropian.
Në takim edhe Hashim Thaçi dhe Ivica Daqic
Maja Kocijanqic zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, ka thënë se Federica Mogherini, tashmë u ka dërguar ftesë të dy kryeministrave, atij të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuciq, për takim në zyrën e saj në Bruksel. Në këtë takim do të marrin pjesë edhe dy ish-kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaci dhe Ivica Daqic. Kjo për zyrtarët evropian është një konfirmim për kontinuitetin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Dy kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuciq, do rishikojnë progresin e arritur deri më tash në dialog dhe të vendosin si të shkohet tutje me proces të normalizimit të raporteve. Andaj edhe takimi i së hënës më shumë ka karakter njohjeje dhe informimi për të ardhmen”, thuhet në një deklaratë nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini.
Trepça dhe Jabllanoviq
Megjithatë, vështirësitë e para në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë-Serbi, pritet të paraqiten rreth çështjes së kompleksit metalurgjik të Kosovës-Trepca dhe shkarkimi i një ministri serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq. Për të dyja këto çështje, Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se do të kërkojë që të diskutohen në bisedimet e Brukselit, gjë që është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare.
Ndërkohë, shefi i zyrës sё Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë për mediat në Prishtinë, se në takimin e së hënës ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, që mbahet në Bruksel, për secilin do të jetë diçka e re.
“Për Trepçën është në dorë të liderëve të të dyja vendeve, nëse duan ta fusin në agjendë”. Tensioni është ende i lartë mes Kosovës dhe Serbisë, ata po planifikojnë të vlerësojnë se çka është zhvilluar deri tash, sepse ka shumë muaj që nuk janë takuar. Çështja e gjyqësorit është si temë, sepse kjo ka mbetur nga takimi i fundit”, citohet të ketë thënë Samuel Zhbogar.
“Trepça nuk ka qenë në agjendë, nuk është diskutuar, por mbetet të shihet nga dy udhëheqësit nëse do pranojnë të diskutojnë për të. Ne askënd se kemi detyruar të flase për asgjë. Mendoj se do t’i dëgjojmë të dyja palët të hënën dhe të shohim ku do shkohet pastaj”, thotë Samuel Zhbogar.
Prishtina dhe Beogradi me 19 prill të vitit 2013, arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve. Kjo mundësoi që në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe të mbahen zgjedhje të organizuara nga institucionet e Kosovës për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë. Në nivelin lokal, serbet e Kosovës udhëheqin me 10 komuna, ndërsa, në kuvendin e Kosovës ata përfaqësohen me 10 deputet nga Lista “Serpska”, e cila e ka mbështetjen e qeverisë së Beogradit.