Opinion

Pas skandalit në Bankën e Shqipërisë – Reflektime

keshilli_mbikqyres_i_bankes_se_shqiperiseNga: Arben Muka
Moszbatimi si duhet i legjislacionit dhe mangësitë në rekrutimin e personelit, janë sipas ekspertëve shkaqet kryesore të situatës së krijuar në Bankën e Shqipërisë.
Skandali në Bankën e Shqipërisë me vjedhjen e të paktën 713 milion lekëve nga thesari i saj është në duart e prokurorëve të cilët po përpiqen të zbardhin skemën e mashtrimit në rreth 4 vite, si dhe personat përgjegjës. Në një kohë që në media dhe opinionin publik hamendësohet pa pushim për rrethanat e një ngjarje shumë të rëndë në njërin prej institucioneve kryesore të shtetit, ekspertët duken të investuar më shumë tek kapërcimi i situatës, duke gjykuar nga pikëpamja menaxheriale se përse u vu sërish dorë mbi thesarin e shtetit dhe si do të ringrihet besimi i publikut në performancën e Bankës Qendrore. Edhe Brukseli është në ndjekje nga afër të kësaj çështjeje, duke shprehur interes për kapërcimin sa më shpejt të situatës duke garantuar pavarësinë e Bankës. “Ne konstatojmë se tashmë janë ndërmarrë hapa për të stabilizuar dhe për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve të Bankës. Si Presidenti Nishani dhe kryeministri Rama janë takuar me zonjën Gjoni dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për standarde të larta profesionale dhe pavarësinë e institucionit”, thuhej në një reagim zyrtar të kësaj jave të Komisionit Europian.
Për rektorin e Tirana Business University, prof. Qamil Talka, skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë zbuloi shumë të meta dhe dobësi, të cilat po nuk u trajtuan me seriozitet dhe përkushtim do të sjellin anomali të tjera në sistem. Duke kujtuar dhe vjedhjen e mëparshme të thesarit të shtetit, prof. Talka e vë gishtin tek mangësitë e theksuara në zbatimin e ligjit. Në pikëpamjen time kuadri legjislativ është funksional, thotë ai për Deutsche Wellen.
Dobësi të theksuara në menaxhimin e punëve
“Mund të ketë nevojë për amendime dhe saktësime në aspekte të veçanta, por po të ishte zbatuar nuk do të ishim para një skandali të këtyre përmasave. Ajo që ka çaluar dhe vijon të çalojë me Bankën Kombëtare është mekanizmi i rekrutimit të stafit, ku janë evidentuar dhe emërime për interesa politike dhe ekonomike. Gabim është dhe mënyra e zgjedhjes së Këshillit Mbikqyrës, që është trajtuar deri më sot si një pasqyrë e balancave politike. Gjithkush e kupton se kjo trupë duhet të ishte me ekspertët më të mirë, më profesionalë dhe jo të vijohet me zgjidhje politike, ne njerëz që më shumë se sa për sistemin bankar janë të interesuar për sistemin politik, duke mbrojtur jo interesat e publikut në vendimarrje, por interesat partiake ose të grupeve të tjera të interesit. Këto janë dy aspekte që zbuloi skandali i fundit, për të cilat duhet të ketë një reflektim dhe një vendimarrje sa më të përgjegjshme.”
Për analistin e çështjeve ekonomike në media, Genc Kondi, nuk është rastësi një zhvillim i tillë me një vjedhje të përmasave të tilla dhe për shumë vjet rresht në një objekt, që supozohet dhe të jetë vendi më i sigurtë i një shteti. Sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm në kushtet kur në një institucion shtetëror ekziston një grup keqbërësish, që ka vepruar në bashkëpunim për të arritur qëllimin e vet kriminal. Një gjë e tillë mund të kryhet vetëm në ato institucione ku drejtuesit shfaqin dobësi të theksuara në menaxhimin e punëve, për të cilat janë emëruar, thotë për Deutsche Wellen Kondi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të lejohet të auditojë gjendjen e thesarit
“Guvernatori më tepër interesohej për marrëdhëniet e tij personale me politikën, qeverinë, audituesit, prokurorët, se sa me drejtimin e punëve në Bankën Qendrore. Nga ana tjetër Këshilli Mbikëqyrës rezulton se ka qenë tërësisht i mënjanuar nga aktiviteti i kontrollit në Bankën e Shqipërisë, duke u përqendruar vetëm tek politikat monetare, që janë një pjesë e detyrës së anëtarëve të tij, të parashikuara me ligj. Autoritetet e Bankës nuk kanë qenë të vëmendshme as ndaj sjelljes së disa punonjësve të saj jashtë punës, kështu nuk kanë zbuluar shpenzime të pajustifikuara të tyre në lojëra fati, etj.”
Për Genc Kondin, nisur nga fakti se bëhet fjalë për një akt të përsëritur vjedhjeje në thesarin e shtetit, është urgjente që nga Parlamenti shqiptar të ndryshohet “kupola” drejtuese e Bankës së Shqipërisë, pasi nuk ka funksionuar, si dhe duhet të ndryshohen rregullat për kontrollin auditues, të cilin nuk duhet ta caktojë Banka por institucioni i tij epror.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të lejohet të auditojë vazhdimisht edhe për gjithë gjendjen e Thesarit, natyrisht pas ndryshimeve përkatëse në legjislacion dhe pajisjen e audituesve të tij me çertifikatën e sigurisë. Hartimi i rregulloreve të reja për menaxhimin e arkës stok dhe parave që dalin nga qarkullimi gjithashtu është emergjent”.
Prof. Qamil Talka nga Tirana Bisiness University mendon se duhen kryer veprime të studjuara, dhe pa humbur kohë, pasi imazhi i bankës te qytetarët është tronditur. Ai pranon se në ekipin e Bankës së Shqipërisë ka punonjës dhe ekspertë profesionistë dhe të përkushtuar, te të cilët duhet bazuar procesi reformues. “Duhen kaluar në skaner ato emërime që nuk e justifikojnë pozicionin dhe kërkesat e detyrës së ngarkuar. Unë kam besim se pjesa e shëndoshë në sinergji pozitive do ta kalojë këtë moment dhe do të bëhet garanci se nuk do të kemi përsëritje.”
Në këtë linjë është dhe analisti Genc Kondi, që mbron idenë se publiku pret që të rimëkëmbet figura e nëpunësit publik në strukturën e Bankës së Shqipërisë, si një njeri me integritet, devotshmëri dhe që zbaton ligjet.
“Për këtë duhet të goditet një skemë aktuale nepotike, që ka sjellë emërime jo të efektshme për punën. Imazhi i Bankës Qendrore, si simbol i çdo shteti, është shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të lejohet nëpërkëmbja e tij. Ndërkohë, mund të rishihen në ulje paga apo shpërblime të ekzagjeruara, të cilat nuk sollën rezultat në shmangien e korrupsionit dhe krimit në Bankë, përkundrazi.”
Guvernator shqiptar me këshilltarë të huaj
Për idenë e emërimit të një guvenatori të huaj, që po përflitet në media, prof. Talka thotë se ky do të ishte hap prapa, pasi ka burime njerëzore brenda vendit, nga ata të cilat kanë shkollime dhe kualifikime jashtë vendit që mund ta bëjnë këtë punë. “Mbase një ose dy këshilltarë të huaj do të ishin shumë efektivë. Por jo guvermator i huaj, sepse nuk ka vakum ose mungesë kandidaturash për një guvernator shqiptar.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button