PD mban Kuvendin Kombëtar, Berisha: Nuk kam gabuar kurrë në besimin ndaj demokratëve. Rama tentoi të asgjësojë opozitën, por dështoi
Partia Demokratike po zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar në Pallatin e Kongreseve. Në nisje të fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha, përshëndeti të ftuarit dhe përfaqësuesit e partive simotra nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, duke vlerësuar mbështetjen e tyre për demokratët shqiptarë ndër vite.
Berisha deklaroi se nuk ka vënë kurrë në dyshim besimin tek demokratët, duke vlerësuar qëndresën e tyre gjatë viteve të fundit. Gjatë fjalës së tij, ai tha se në karrierën politike ka bërë gabime, por sipas tij, nuk ka gabuar asnjëherë në besimin ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike.
“Unë e dija që na prisnin beteja të egra, por miq në karrierën time politike dhe në jetë kam bërë gabime. Kam patur një avantazh të madh, nga vitet e rinisë deri më sot, gjithnjë kam ruajtur të paprekur bindjen se jashtë teorisë së gabimit kurrkush nuk del. Ndaj gjithmonë jam përpjek ti korrigjoj, por dua t’iu them sot se në një gjë nuk kam gabuar kurrë, nuk kam gabuar kurrë në besimin ndaj jush. Nuk kam vendosur kurrë në jetën time, në dyshimin më të vogël, besimin tek ju, idealet tuaja, përkushtimin tuaj. Ndaj edhe nisëm së bashku një udhëtim të vështirë, në një moment kritik, pasi kishim bërë shumë përpjekje për të forcuar pluralizmin, kishim edhe arritjet tona të mëdha, erdhi një moment kur Rama vendosi si moral, platformë të regjimit të tij, moralin dhe platformën e etërve të tij xhelatë”, tha Berisha.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndërmarrë sipas tij një sulm për asgjësimin e Partisë Demokratike dhe shndërrimin e saj në një opozitë fasadë, por tha se “kjo përpjekje ka dështuar”.
“Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj. Por gaboi. Nuk është për treg kjo parti, kjo parti është për ideale, vlera. As nuk blihet, as nuk shitet, as nuk mposhtet kurrë. Ndaj edhe u ngritëm. U ngritëm në një kohë kur dukej se edhe tokën, edhe qiellin e kishim kundër nesh. Na e imponuan, jo se deshëm, por midis të gjithave në zgjodhëm të mbrojmë të vërtetën. Vini në këtë sallë gardianë të pluralizmit politik, gardianë të pamposhtur të vlerave të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Narko diktatori bëri gjitha te eliminonte PD, i mori vulën, i hoqi emrin, i provoi të gjitha financimet dhe kjo vetëm e vetëm që ndrynte atë. E izoloi përkohësisht nga mbarë bota. Vazhdoi betejën i mbështetur edhe nga mafia elektorale. Në vit elektoral arrestoi liderët e partive kryesore opozitare”, tha Berisha.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.