Berisha shpall objektivat nga Kuvendi: Ripërtëritje dhe “kilometri i fundit” drejt pushtetit
Kreu i PD-së, Sali Berisha, shpjegoi nga Kuvendi Kombëtar sloganin për ripërtëritjen e PD-së si dhe objektivin e partisë për të çuar në fund atë që ai e ka cilësuar si “kilometri i fundit”.
Berisha e vendosi theksin te faza që, sipas tij, po kalon forca politike që ai drejton, duke e cilësuar si “kilometri i fundit” drejt fitores. Ai paraqiti këtë moment si një etapë vendimtare, ku sipas tij, prioritet mbetet ripërtëritja e partisë ndërsa përdori një retorikë të fortë politike, duke akuzuar qeverinë për të cilën tha se duhet larguar “me çdo çmim nga pushteti”.
“Sot nuk jemi më forcë politike në mbrojtje, por jemi forcë politike në kilometrin e fundit që ecën drejt fitores. Në këtë kilometër ne kemi detyra shumë të rëndësishme, detyra kapitale. Detyra jonë numër një, që ia kemi borxh demokratëve dhe shqiptarëve, është ripërtëritja. Kaluam të gjitha barrikadat që na u vunë përpara dhe e futëm në rrethin e kuq narkodiktatorin, diku e thirrën Ramaduro, kurse ne do ta largojmë atë me çdo çmim nga pushteti. Demokratë e demokrate, ja ku jemi këtu për t’u thënë shqiptarëve se për ne, njerëzit që adhurojnë kombin dhe flamurin e tij, flamuri kombëtar do të mbetet në gjysmë shtize gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve të valvitet krah tij. Beteja jonë është betejë për flamur, për dinjitet kombëtar dhe për lirinë e shqiptarëve. Ripërtëritja e partisë është dhe duhet të jetë vepra jonë më madhështore, vepra jonë për të nesërmen e Shqipërisë, për t’iu kthyer shqiptarëve votën e lirë. Ripërtëritja e PD nënkupton vizion dhe program madhështor”, tha ai.
Ai theksoi se beteja e PD-së është, sipas tij, një betejë për dinjitet kombëtar, flamur dhe liri vote. Ai shtoi se programi i Partisë Demokratike është “madhështor”, duke renditur arritje të mëparshme të së djathtës dhe duke premtuar rritje të pensioneve dhe pagave në rast rikthimi në pushtet.
“Nuk ka program më madhështor se programi ynë, por ai bombardohet çdo minutë nga mediat e qeverisë që thonë se PD nuk ka program. Si nuk paska program partia e ëndrrave të shqiptarëve? A nuk ishte ëndërr anëtarësimi në Këshillin e Europës, a nuk ishte ëndërr Rruga e Kombit, heqja e vizave, anëtarësimi në NATO, apo projektet e TAP-it dhe Devollit? Kush i bëri realitet këto? Ata që sot thonë se ne nuk kemi program. Ne do t’i përgjigjemi varfërisë së skajshme në këtë vend të bekuar. Do të dyfishojmë dhe trefishojmë pensionet, nuk themi se do kapim Gjermaninë apo Francën, por do dalim në krye të rajonit për rroga dhe pensione, sepse e kemi treguar që dimë të qeverisim dhe të ndërtojmë Shqipërinë,” u shpreh Berisha.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.