Politika

PDIU, apel PS-PD: Pakt kombëtar për zgjidhjen e krizës

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet u ka bërë thirrje dy partive kryesore të arrijnë sa më parë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike.

Në një deklaratë për mediat, PDIU thekson se palët duhet të rimarrin “në shqyrtim seriozisht paketën e propozuar prej eurodeputetit gjerman David Mc Allister dhe mbështetur nga SHBA si bazë të një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike ne vend”.

Deklarimi i PDIU vjen pak pas qëndrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila kërkoi nga dy forcat politike që të mos bëjmë me teatër me negociatat, por të arrijnë një marrëveshje sa më parë.

Qëndrimi i fortë i LSI dhe PDIU pritet të pasohet edhe nga një tjetër parti që është pjesë e subjekteve që janë regjistruar në zgjedhje, LIBRA e Ben Blushit.

Deklarata e PDIU:

PDIU thirrje palëve që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje forcave kryesore politike që të marrin përgjegjësinë para qytetarëve të Shqipërisë dhe partnerëve tanë dhe të zgjidhin krizën politike sa më parë.

Prandaj ne u bëjmë thirrje palëve që të rikthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të rimarrë në shqyrtim seriozisht paketën e propozuar prej eurodeputetit gjerman David Mc Allister dhe mbeshtetur nga SHBA si bazë të një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike ne vend.

Është e papranueshme që vendi ynë anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, të zhytet në një spirale të tillë konfliktuale duke e njollosur rëndë reputacionin tonë ndërkombëtar dhe kërcënuar pluralizmin dhe demokracinë në vend.
Mungesa e një marrëveshje rrezikon ta thellojë edhe më tutje krizën e rëndë politike që ka kapur vendin, rrezikon cilësinë e zgjedhjeve parlamentare të ardhshme dhe stabilitetin e vendit.

Tanimë është një domosdoshmëri e pashmangshme bërja e një Pakti Kombëtar midis mazhorancës dhe opozitës për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për të hedhur themele të shëndosha për stabilitetin politik të vendit. Pjesë e këtij kompromisi të gjerë politik duhet të jetë angazhimi i të gjitha forcave politike për të zhbllokuar dhe përshpejtuar procesin e integrimit evropian duke ndërmarrë një orë e më parë reformën në drejtësi.

Në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian ne duhet të tregojmë maksimumin e përgjegjësisë patriotike e nuk duhet ta lëmë vendin peng të mllefeve e hatërmbetjeve të liderëve të ndryshëm politik. Gjithashtu, për t’i paraprirë situatave të tilla të ngjashme në të ardhmen, ne duhet të ndërmarrim një reformë të re elektorale nëpërmjet një procesi transparent gjithpërfshirës që vë interesat e atdheut përpara interesave të partive specifike”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button