Kosova

Për tetë muaj, asnjë njohje për Kosovën

Ndonëse kanë kaluar më tepër se 100 ditë nga formimi i ekzekutivit të ri kosovar, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të re.

p-euml-r-tet-euml-muaj-asnj-euml-njohje-p-euml-r-kosov-euml-n_hdMungesa e njohjeve është qysh nga koha e ngërçit politik, ku shteti i fundit që e ka njohur Kosovën janë Ishujt Solomon, më 13 gusht 2014.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Petrit Selimi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se angazhimi i MPJ-së, për njohje nuk ka të ndalur, dhe se anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, ka ndodhur sipas tij, edhe falë lobimit diplomatik.

Selimi ka theksuar se ata si ministri tani në fokus e kanë formalizimin e integrimeve evropiane të Kosovës, duke nënshkruar kështu Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA).

“Ky proces (i njohjeve) kërkon lobim permanent. Procesi i njohjeve bilaterale është poashtu i pandalshëm, por Kosova tani ka një diplomaci më të diversifikuar, me prioritete të zgjeruara, si MSA-ja, kandidatura për anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), pjesëmarrja aktive në koalicionin global kundër radikalizmit, Partneriteti për Paqe me NATO-n. Prandaj njohjet nuk ndalen, por tani përfshijnë edhe organizatat dhe instrumentet multilaterale”, ka thënë ai.

Selimi ka sqaruar se tash e katër muaj kanë informata të sakta për njohjen e Kosovës nga disa shtete në tri kontinente, por sipas tij, presin dhe punojnë që ato njohje të formalizohen.

Ndërsa, duke folur për mosnjohjen e Kosovës nga ana e Izraelit, Vatikanit dhe pesëshes të vendeve të BE-së (Sllovaki, Rumani, Qipro, Spanjë, Greqi), Selimi ka theksuar se Kosova ka raporte miqësore dhe ndërveprim të rregullt me shumicën e vendeve të lartcekura, përfshirë këtu sipas tij, vizitat dhe shkëmbimet zyrtare, si dhe dialogun intensiv për njohjen e Kosovës nga ana e këtyre vendeve.

“Edhe aleatët e Kosovës po lobojnë intensivisht prapa skenës. Ne presim që së paku dy nga pesë shtetet e BE-së të reflektojnë mbi realitetin e ri në Ballkan, ndërsa shumë shpejt do të shpallim një lajm të veçantë nga një prej shteteve më të mëdha të botes, e që ka të bëjë me pozitën ndërkombëtare të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndryshe, para pak ditësh për mungesën e njohjeve pati folur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili pati kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesën e njohjeve.

Ai në rrjetin social Facebook ka thënë se “kryeministrat Mustafa e Thaçi – gati 100 ditë qeverisje pa asnjë njohje të re”.

“Po bëhen 100 ditë të qeverisjes tuaj me dy kryeministra, Mustafa – Thaçi. A do ta sillni të paktën një njohje brenda këtyre 100 ditëve. Apo, vetëm po silleni e po pështilleni njëri brenda e tjetri jashtë, duke harruar për çka paguheni nga qytetarët e Kosovës. Rëndësia e shtimit të numrit të njohjeve për Kosovën është e madhe, sidomos pas përkeqësimit të imazhit që ju i shkaktuat Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button