Kronika

Përplasen Nishani-Naço/ Vlahutin: Luftoni korrupsionin dhe krimin e organizuar

– Ministri Naço: Reformë afatgjatë dhe gjithëpërfshirëse, Nishani: Boll retorikave politike –

Projekti-Euralius-4-8Foto-Flor-Abazaj-299x200Debati mbi reformën në drejtësi ka vënë sërish përballë Ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço dhe Presidentin e Republikës, njëherazi kreun e KLD-së, Bujar Nishani.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së Projektit Euralius IV, “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, financuar nga Bashkimi Europian, Presidenti Nishani dhe Ministri Nasip Naço kanë shfaqur sërish qëndrime të ndryshme sa i takon reformës në sistemin e drejtësisë.

Teksa Naço ka garantuar se reforma do të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe afatgjatë, me mbështetjen e misionit Euralius dhe partnerëve të huaj, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kërkuar të ndalet retorika politike dhe të përvishen mëngët që kjo reformë të marrë jetë, duke parashtruar edhe pikat ku, sipas tij duhet të ecë kjo reformë.

Projekti Euralius 4 -Foto Flor Abazaj

Ministri Naço: Reformë transparente dhe gjithëpërfshirëse

Reforma në drejtësi do të jetë gjithëpërfshirëse, efikase, transparente dhe afatgjatë, garantoi Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili konfirmoi edhe njëherë sot vullnetin e Qeverisë për të realizuar një reformë të plotë në sistemin e drejtësisë dhe sipas standardeve europiane. “Drejtësia duhet të jetë e përgjegjshme, transparente dhe të krijojë besim tek publiku, prandaj ekspertë vendas dhe të huaj po punojnë bashkarisht për të përcaktuar rrugën që duhet ndjekur për të kryer reformën në drejtësi”, tha Naço.

Ministri i Drejtësisë garantoi se të gjitha hapat që do ndiqen për këtë reformë do të realizohen në bashkëbisedim të plotë, jo vetëm me faktorët e huaj, por dhe me të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe institucionet në vend. “Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe për këtë do investohem në vetë të parë për të shtruar një dialog edhe me opozitën, shoqërinë civile dhe me të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në këtë reformë dhe në veçanti me Kuvendin dhe partnerët e huaj”, vijoi Naço.

Sipas tij, produkt i kësaj reforme duhet të jetë një sistem drejtësie shumë afër standardeve euriopiane, duhet të jetë afatgjatë, transparent dhe me gjyqtar të përgjegjshëm për rëndësinë e vendimeve të tyre. “Kjo reformë duhet t’i ndërgjegjësojë më shumë gjyqtarët, të cilët kur puthitin shkopin me tryezën e tyre për të dhënë vendim, të kenë parasysh zbatimin e ligjit dhe vetëm ligjit, duke qenë transparent dhe mbi gjithçka konseguent me vendimet e tyre”, theksoi Naço, i cili bëri të ditur se Bashkimi Europian përmes misionit Euralius IV do të kenë rol thelbësor në këtë proces.

“Misioni Euralius me një eksperiencë të gjerë jo vetëm në vendin tonë do të na japë udhëzimet e duhura mbi të cilat do të bazohet ndërhyrja në drejtësi, për ta konsoliduar këtë sistem”, kujtoi Naço.

Projekti Euralius 4 -Foto Flor Abazaj

Presidenti Nishani: Reforma në ngërç!

Konsolidimi i sistemit të drejtësisë është mjaft i rëndësishëm, por retorika politike e qeverisë ka vënë në ngërç procesin, theksoi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Duke folur për reformën në drejtësi, Nishani u shpreh se ka ardhur koha të përvishen mëngët e të nisë puna për të ndërhyrë në gjyqësor. “Është koha të lëmë pas fjalët dhe shënjestrimin individual. Është koha të nisim e të përcaktojmë udhën që do ndjekim. Tryezat janë fjalë, tashmë është koha për vepra. Si fillim, tha Nishani, duhen përcaktuar prioritetet. Më tej objektivat për secilin prioritet dhe në fund të përcaktohet rruga që do ndiqet për të realizuar këto prioritete dhe në veçanti buxheti përkatës”, nënvizoi Kreu i Shtetit dhe njëkohësisht Kryetari i KLD-së.

Nishani gjithashtu vuri në dukje rëndësinë që ka realizimi i reformës përmes ndihmës së partnerëve të huaj. “Misioni Euralius ka qenë gjithnjë besnik i shqiptarëve dhe ka investuar në drejtësinë shqiptare mbi 150 milionë euro. Partnerët tanë europianë, janë investuar me devotshmëri në vendin tonë, me largpamësi dhe profesionalizëm, prandaj është e nevojshme që edhe në këtë reformë të merren parasysh mendimet e Misionit Euralius dhe Komisionit të Venecias, OPDAT…etj”, nënvizoi Nishani.

Presidenti Nishani në fund dha mbështetjen e tij, si Kryetar Shteti dhe Kryetar i KLD-së që reforma në gjyqësor të marrë jetë, por theksoi se ndërhyrja në gjyqësor duhet të sjellë standarde dhe jo kapje të drejtësisë.

Projekti Euralius 4 -Foto Flor Abazaj

Romana Vlahutin, Ambasadore e BE në Tiranë: Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, prioritare

Drejtësia është esenca e demokracisë së një vendi dhe BE është gjithnjë e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim, tha Romana Vlahutin, Ambasadore e BE-së në Tiranë, duke vënë theksin tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si plagët kryesore për t’u shëruar në vendin tonë.

E pranishme në ceremoninë për çeljen e misionit Euralius IV, Vlahutin tha se Shqipëria ka përfituar nga BE për të ndërhyrë në drejtësi përgjatë këtyre viteve rreth 150 mijë euro. “Një sistem funksional drejtësie është një garanci për të gjithë qytetarët. Prandaj dhe BE ka ndihmuar Shqipërinë me fonde të shumta në këtë drejtim. Shqipëria duhet të punojë për të njehësuar ligjet e saj me ato të BE-së dhe ne jemi këtu për të dhënë ndihmën tonë”, tha Vlahutin.

Ajo bëri të ditur se Misioni Euralisu IV vjen si një konsorcium bashkëpunimi gjermano-austriako-hollandez për të ndihmuar vendin tonë për të ndërhyrë në drejtësi. Sipas Vlahutin plagët e Shqipërisë janë Korrupsioni dhe Krimi i Organizuar. “Prioritare në luftën për drejtësi duhet të jenë lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi përmes mënjanimit të këtyre dy fenomeneve do të keni mundësi të krijoni një shtet ligjor e të fuqishëm, që respekton të drejtat e njeriut, dhe ligjet e saj”, përfundoi Vlahutin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button