⛈️
Tiranë 17°C · Stuhi 16 May 2026
S&P 500 7,409 ▼1.24%
DOW 49,526 ▼1.07%
NASDAQ 26,225 ▼1.54%
NAFTA 101.02 ▲4.23%
ARI 4,562 ▼2.63%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984
₿ CRYPTO
BTC $77,895 ▼ -3.3% ETH $2,171 ▼ -3.79% XRP $1.3977 ▼ -4.7% SOL $85.7700 ▼ -5.95%
S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 101.02 ▲4.23 % ARI 4,562 ▼2.63 % S&P 500 7,409 ▼1.24 % DOW 49,526 ▼1.07 % NASDAQ 26,225 ▼1.54 % NAFTA 101.02 ▲4.23 % ARI 4,562 ▼2.63 %
EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984 EUR/USD 1.1630 EUR/GBP 0.8716 EUR/CHF 0.9147 EUR/ALL 95.5427 EUR/MKD 61.6923 EUR/RSD 117.4080 EUR/TRY 52.9875 EUR/JPY 184.54 EUR/CAD 1.5984
16 May 2026
Breaking
Opinion

Përse?

Një shkrim për veprën e Koço Kostës dhe një shpjegim për lexuesit:

Nga LUAN RAMA

Duke menduar se 85-vjetori i lindjes së shkrimtarit Koço Kosta do të shërbente si një rast për të organizuar ndonjë veprimtari vlerësimi e nderimi, apo ndonjë konferencë shkencore — siç do të duhej, në fakt, të bënte ajo pjesë e ministrisë që merret (nëse!) me punët e kulturës, ose seksioni i letërsisë në Akademinë e Shkencave, Biblioteka Kombëtare, Fakulteti i Filologjisë dhe katedra e letërsisë në Universitetin e Tiranës apo në ndonjë universitet tjetër, bashkia e Gjirokastrës, bashkia e Tiranës, ose kushdo tjetër që do të duhej të kujtohej — përgatita një ese në trajtën e një analize modeste mbi krijimtarinë e tij të bollshme, të pasur, të larmishme, problematike, provokative e, jo rrallë, edhe kontraverse. Mendoj se raste të tilla, së bashku me shkrimtarin, nderojnë letërsinë dhe kulturën kombëtare.

Por ato shërbejnë edhe për të analizuar dukuri, vlera, probleme, tendenca dhe gjithçka tjetër që lidhet me zhvillimin letrar.

Megjithatë, pavarësisht faktit se askush nuk u kujtua për shkrimtarin Koço Kosta në 85-vjetorin e lindjes së tij — nuk është as i pari, as i fundit — ai dhe vepra e tij janë dhe do të mbeten gjithmonë një lartësi e epërme dhe dinjitoze dhe përfaqësuese e letërsisë shqipe.

Ndërkaq, duke e falënderuar me përzemërsi të veçantë dhe krejt të merituar shkrimtarin dhe përkthyesin Bujar Hudhri, i cili botoi esenë time në numrin e sotëm në ExLibris, po jua ofroj edhe juve, lexues të dashur, pse jo, edhe për ta bërë objekt diskutimi dhe debati.

Lexim të këndshëm!

KOÇO KOSTA: ARKITEKTI I ABSURDIT DHE GJEOGRAFIA E TJETËRSIMIT

Në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të periudhës postkomuniste, Koço Kosta përfaqëson një nga rastet më të veçanta të shkrimtarit që nuk mund të lexohet brenda skemave tradicionale të realizmit shqiptar. Ai mbetet jashtë realizmit socialist, por edhe jashtë realizmit kritik të tranzicionit dhe postmodernizmit klasik europian. Vepra e tij krijon një univers autonom, ku historia, kujtesa, erotika, gjuha dhe absurdi ndërthuren në një strukturë ekzistenciale të errët e të fragmentuar.

Nëse romani “Absurdi” mund të konsiderohet kulmi konceptual i krijimtarisë së tij, ai nuk përfaqëson një shkëputje nga veprat e mëparshme, por emërtimin e hapur të një poetike të pranishme që në fillimet e saj. Nga “Unë dhe komiti” (1969), te “Mëhalla e Pelës” (2023) dhe deri tek romani në dorëshkrim “I shkreti Foto Pagunë” të cilin unë kam patur fatin ta lexoj, përmes romaneve, novelave dhe tregimeve të tij, shfaqet i njëjti univers antropologjik: njeriu shqiptar si qenie e tjetërsuar, e çarë shpirtërisht dhe e paaftë për të krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me realitetin.

Në këtë kuptim, Koço Kosta nuk është thjesht shkrimtar i absurdit; ai është anatomist i krizës së qenies shqiptare në kohën e socializmit dhe në tranzicionin pasues.

I. ABSURDI SI KATEGORI HISTORIKE DHE EKZISTENCIALE

Absurdi në veprën e Koço Kostës nuk paraqitet vetëm si atmosferë psikologjike apo teknikë narrative. Ai është mënyra përmes së cilës individi përjeton ekzistencën në një botë ku raportet midis njeriut, së vërtetës dhe realitetit janë shpërbërë.

Në traditën europiane, absurdi lidhet me krizën metafizike të njeriut modern; tek Kamy me heshtjen e universit, tek Kafka me burokracinë e pakapshme, tek Beketi me zbrazëtinë e pritjes. Tek Koço Kosta, absurdi merr dimension historik dhe kulturor shqiptar: ai lind nga deformimi i ndërgjegjes nën presionin e historisë.

Në sistemet totalitare, absurdi krijohet nga kontrolli total mbi jetën private, survejimi ideologjik dhe zhdukja e individualitetit.
Por madhështia e vizionit të Koço Kostës qëndron në faktin se absurdi nuk përfundon me rënien e sistemit totalitar. Në periudhën postkomuniste ai transformohet në absurdin e zbrazëtisë morale dhe shpirtërore.

Kështu, vepra e tij rrëzon iluzionin se liria politike mjafton për ta çliruar njeriun. Tek Koço Kosta, individi mbetet “peng” dhe “i plagosur” edhe pas rënies së sistemit që e shtypte.

Në këtë kontekst edhe natyra humbet neutralitetin realist dhe bëhet pasqyrim emocional i krizës së brendshme:

“Gjithçka gjallërohej përsëri, dhe, në zallin e bardhë përanë ujrave, mbi gurët e ngritur mu midis rrungajës nën degë të kërlëshura asish të palexueshme të drurëve, bëhej një pamje gazmore. Aq gazmore! Aq të fuqishëm, me kaq dufe e pasion e epsh na gatove , o Lumë!
O Qielli ynë! (Absurdi).

Këtu peizazhi nuk funksionon si dekor, por si shpërthim ekzistencial.

II. LETËRSIA E TJETËRSIMIT

Një nga boshtet themelore të krijimtarisë së Koço Kostës është tjetërsimi. Personazhet e tij nuk janë heronj të veprimit, por qenie të humbura në një realitet që nuk arrijnë ta kuptojnë dhe as ta kontrollojnë.

Ata jetojnë në pasiguri të vazhdueshme, nuk komunikojnë dot në mënyrë autentike dhe shpesh reduktohen në figura groteske. Ky depersonalizim është një nga tiparet më moderne të prozës së tij. Shpesh personazhet mbeten pa emër dhe identifikohen përmes detajeve fizike ose atmosferës së rrëfimit.

Ky proces kulmon në “Ata të dy dhe të tjerë”, ku personazhet kryesorë quhen Peshku i Kuq dhe Djaloshi i Pashëm. Këto nuk janë nofka, por forma të identitetit të shpërbërë. Personazhi nuk ekziston më si individ social, por si figurë perceptimi dhe gjendjeje.

Në një nga skenat më të forta të romanit:

“Përjashta Galerisë, përtej në trotuar, më në fund ndaloi, hoqi syzet, u kthye nga Peshku i Kuq, qeshi e vështroi drejt, e pështolli me krahët e gjatë dhe e puthi.
Dhe qau.
E di sa u preka? Edhe tani që e kujtoj prekem. Per kokën e
mamasë!
Qante nga gëzimi, sepse atje ishte me të. Që u takuan bashkë atje te Rembrandi. Nuk ta shpjegoj dot, nuk ta përshkruaj dot. Po çmendej nga gëzimi! Si të dashuruar! (Ata të dy e të tjerë).

Ky moment e zhvendos marrëdhënien njerëzore nga realizmi social drejt një intimiteti ekzistencial, ku arti bëhet më i rëndësishëm se identiteti.

Në sistemet totalitare individi humbet veten për shkak të mungesës së lirive individuale; në tranzicion, për shkak të fragmentimit moral dhe zbrazëtisë shpirtërore. Ky deformim shfaqet qartë edhe në mënyrën si përshkruhet edukimi në romanin “Absurdi”:

“Fshati ynë! Edhe neve na sjellin në shkolla që të na mësojnë të shqyejmë, të hamë, të spiunojmë shoshoqin. Ç’nuk bëjnë që të na modelojnë të ligj e të pagdhendur. Perëndi!”

Kështu, Koço Kosta krijon figurën e “njeriut pa qendër”: një qenie që endet midis frikës, dëshirës, kujtesës dhe vetmisë pa arritur të ndërtojë identitet të plotë.

III. SHPËRBËRJA E NARRATIVËS KLASIKE

Një nga aspektet më të rëndësishme artistike të veprës së Koço Kostës është prirja drejt shpërbërjes së strukturës tradicionale narrative.

Në realizmin socialist rrëfimi duhej të ishte linear, konflikti i qartë dhe fundi optimist. Koço Kosta e saboton këtë model nga brenda.

Në prozën e tij koha fragmentohet, kujtesa ndërhyn vazhdimisht në rrëfim, realja dhe irealia bashkëjetojnë dhe subjektet nuk zhvillohen sipas logjikës klasike. Rrëfimi shpesh merr karakter halucinant dhe enigmatik, i ndërprerë nga shpërthime metaforike dhe gjendje psikike.

“O Fshati me kaq derte!”

Këto shpërthime emocionale e afrojnë Koço Kostën me traditën moderne europiane të Kafkës, Beketit dhe romanit ekzistencialist të shekullit XX. Megjithatë, ai mbetet thellësisht shqiptar në atmosferë, traumë historike dhe ndjeshmëri kolektive.

IV. GJEOGRAFIA E TJETËRSIMIT

Në korpusin letrar të Koço Kostës, hapësira nuk është sfond neutral ku zhvillohen ngjarjet. Ajo është strukturë psikike dhe metaforë e krizës ekzistenciale të personazheve.

Qyteti, fshati, rruga, hani, stina me borë, nata provinciale apo periferia urbane ndërtojnë një topografi ankthi dhe vetmie. Hapësira tek Koço Kosta nuk të orienton; ajo të humb. Personazhet lëvizin vazhdimisht, por nuk mbërrijnë askund. Rruga nuk çon drejt zgjidhjes; ajo bëhet metaforë e humbjes së kuptimit.

Ashtu si tek Kafka, individi endet në një realitet që nuk e kupton dot plotësisht. Por ndryshe nga Kafka, labirinti i Koço Kostës është thellësisht shqiptar: me lagështinë e provincës, mbylljen morale të komunitetit dhe heshtjen kolektive të trashëguar historikisht.

Natyra nuk paraqitet si harmoni romantike, por si pasqyrim i çrregullimit të brendshëm të njeriut. Bora shfaqet si figurë e izolimit dhe mpirjes emocionale; nata si territor ankthi; shiu si atmosferë paqartësie morale.

Një nga veçoritë më të dallueshme në shumicën e veprave të tij është prania e kafshëve si qenie narrative: kali, pela, qeni, gomari, lopa. Në “Mëhalla e Pelës” ato nuk janë dekor rural, por pjesë e strukturës emocionale të botës:

“Kali i Pelo Xhurapës… shkoi drejt pelës.”

Kafshët shpesh duken më të natyrshme dhe më të pandryshuara sesa njerëzit. Ato ruajnë lidhjen me instinktin dhe natyrën, ndërsa njeriu shfaqet i deformuar nga historia dhe ideologjia.

Në këtë kuptim, hapësira tek Koço Kosta ka gjithmonë dy nivele: një realist dhe konkret dhe një metafizik e psikologjik. Shqipëria e tij duket njëkohësisht reale dhe halucinante; jo vetëm vend, por edhe gjendje shpirtërore.

V. EROTIKA DHE TRUPI

Erotika në veprën e Koço Kostës nuk ka funksion sentimental apo romantik në kuptimin tradicional të letërsisë shqiptare. Ajo lidhet me vetminë, ankthin dhe nevojën e dëshpëruar të individit për të shpëtuar nga zbrazëtia ekzistenciale.

Në veprën e tij, marrëdhëniet njerëzore janë thellësisht të brishta. Personazhet afrohen fizikisht, por mbeten shpirtërisht të distancuar. Trupi bëhet mënyrë komunikimi atje ku gjuha dështon, por edhe ky komunikim mbetet i përkohshëm dhe i paplotë.

Prandaj erotika tek ai ka dimension tragjik.

Personazhet kërkojnë tek trupi i tjetrit ngrohtësi, strehim dhe harrim të përkohshëm nga absurdi i botës. Por ky pezullim zgjat pak; realiteti rikthehet gjithmonë me të njëjtën ndjenjë zbrazëtie.

Në këtë kuptim, edhe fragmentet me ngarkesë të fortë sensuale nuk ndërtohen si himn i kënaqësisë erotike, por si shfaqje e një trazimi të thellë të brendshëm. Në përshkrimin e gruas “si një sorkadhe adoleshente”, narratori mbetet i magjepsur nga bukuria fizike, por njëkohësisht i pushtuar nga një shqetësim që nuk shuhet. Pohimi: “Syri, shpirti im nuk ngopet me femër. Ajo është brenda vetes sime, ndaj s’gjej prehje”, e zhvendos erotiken nga dimensioni trupor drejt një përvoje ekzistenciale, ku dëshira nuk sjell qetësi, por vetëdije më të fortë të mungesës dhe pamundësisë për përmbushje.

Në këtë pikë, erotika tek Koço Kosta afrohet me traditën moderne europiane ku trupi nuk është simbol harmonie, por vend ku shfaqen ankthi, frika dhe vetëdija e dështimit njerëzor. Edhe te Kafka, trupi dhe marrëdhëniet njerëzore shfaqen shpesh si hapësira ankthi, tjetërsimi dhe pamundësie komunikimi. Dëshira dhe afërsia nuk sjellin përmbushje, por një ndjesi pasigurie dhe izolimi ekzistencial. Erotika, kur shfaqet, nuk është çliruese, por e ngarkuar me tension psikologjik dhe mungesë harmonie.

Edhe personazhet femërore nuk ndërtohen sipas modeleve tradicionale të idealizimit. Ato janë figura komplekse, të lënduara dhe enigmatike. Gruaja tek ai nuk është “muzë romantike”, por qenie po aq e vetmuar dhe e tjetërsuar sa burri.

Dashuria tek Koço Kosta nuk e shpëton njeriun nga absurdi; ajo vetëm e bën më të dukshme nevojën tragjike për afërsi dhe pamundësinë për ta realizuar plotësisht atë.

VI. GJUHA SI FORMË E KRIZËS

Një nga arritjet më të mëdha estetike të Koço Kostës është gjuha. Ai largohet nga realizmi transparent dhe komunikimi i drejtpërdrejtë.

Gjuha tek ai bëhet metaforike, simbolike, poetike dhe shpesh delirante. Fjalët nuk tregojnë vetëm botën; ato tregojnë krizën e vetë perceptimit të saj.

Kjo e bën prozën e tij intensive, të errët dhe të mbushur me tension të brendshëm poetik. Në këtë kuptim, Koço Kosta krijon atë që mund të quhet realizëm i ndërgjegjes së traumatizuar.

Kriza e gjuhës shfaqet qartë në mënyrën se si përshkrimi i trupit dhe i ndjenjës nuk mbetet në nivel referencial, por shpërthen në figura të ngarkuara poetikisht dhe emocionalisht. Shprehje si: “U bukurua dhe më. Shumë e bukur. Bukurane si një sorkadhe adoleshente që e pat zënë mëngjesi i parë…” tregojnë se gjuha nuk po përshkruan thjesht një realitet të jashtëm, por po e rindërton atë përmes një filtrimi të fortë subjektiv dhe imagjinar. Po ashtu, intensiteti i ndërhyrjeve emocionale të rrëfimtarit, si: “Sytë e mi të befur nuk dinin ku të ndalnin!” apo “Syri, shpirti im nuk ngopet me femër”, e zhvendos prozën drejt një gjendjeje ku fjala nuk kontrollon më përvojën, por përkundrazi, përvoja e tepruar erotike e shpërbën stabilitetin e gjuhës. Në këtë mënyrë, tek Koço Kosta gjuha bëhet vetë shenjë e një ndërgjegjeje të trazuar, ku realiteti nuk paraqitet, por përjetohet si shpërthim metaforik dhe emocional.

VII. PASURIA LEKSIKORE DHE MEMORIA ETNOGRAFIKE

Një nga dimensionet më të rëndësishme të krijimtarisë së Koço Kostës është pasuria gjuhësore dhe etnografike që përshkon veprën e tij. Nën sipërfaqen e absurdit ekzistencial dhe strukturave moderne narrative, veprat e tij ruajnë një marrëdhënie organike me kujtesën kulturore shqiptare.

Ai realizon një ndërthurje të rrallë: eksperiment modernist dhe ruajtje të memories gjuhësore shqiptare.

Proza e Koço Kostës karakterizohet nga një fond leksikor tepër i pasur, ku bashkëjetojnë fjala e ligjërimit të përditshëm bisedor, idiomat krahinore, fjalë të vjetra të shqipes, termat e jetës rurale dhe një metaforikë moderne me ngarkesë poetike.

Ai nuk përdor gjuhë sterile apo standard të thatë institucional. Përkundrazi, gjuha e tij ruan ritmin e artikulimit gojor, frymën e ligjërimit popullor dhe ngjyrimin emocional të shqipes së jetuar.

Në shumë fragmente të prozës së tij, fjala nuk shërben vetëm si mjet komunikimi, por si mbartëse e kujtesës kolektive.

Kjo e bën gjuhën e Koço Kostës njëkohësisht moderne dhe arkaike, poetike dhe popullore, filozofike dhe tokësore.

Kjo shfaqet në regjistrin e gjuhës së përditshme, ku dialogu ruan strukturën e ligjërimit popullor:

“S’ke hedhur samar? Vjeshtën që vjen.”

“Nuk i hyjnë koqet mashkullit. Gjynah!”

Edhe bota e kafshëve përfshihet në këtë sistem të gjuhës së gjallë:

“Kali i ri bëri fjalë me hingëllima brenda në grykën e gjatë.”

Në këtë aspekt, ai krijon një sintaksë të ndërmjetme mes rrëfimit modern psikologjik dhe ligjërimit bisedor tradicional shqiptar, duke e ndërthurur me kujtesën etnografike.

Sintaksa e tij nuk është lineare. Ajo fragmentohet, ndërpritet nga kujtesa dhe ndjek ritmin emocional të ankthit më shumë sesa logjikën klasike të tregimit. Kjo krijon një prozë me puls të brendshëm poetik dhe ndjesi të vazhdueshme paqëndrueshmërie ekzistenciale.

Një element tjetër i rëndësishëm është prania e botës etnografike shqiptare: zakone, rite, hapësira rurale dhe kode tradicionale morale. Por këto elemente nuk paraqiten në mënyrë folklorike apo dekorative. Etnografia tek ai nuk idealizohet; ajo shfaqet si pjesë e memories së një bote në shpërbërje.

Ai nuk shkruan për fshatin si mit kombëtar, por për rrënimin gradual të strukturave tradicionale dhe zhdukjen e lidhjeve njerëzore autentike.

Kjo krijon një nga paradokset më interesante të veprës së tij: ndërsa struktura narrative është moderne dhe e fragmentuar, materia gjuhësore dhe etnografike mbetet thellësisht shqiptare.

Koço Kosta modernizon formën, por ruan kujtesën kulturore.

Në fund, edhe kur personazhet humbasin identitetin dhe realiteti shpërbëhet, gjuha mbetet bartëse e kujtesës njerëzore. Absurdi mund të deformojë jetën, historia mund të plagosë individin, por gjuha ruan ende gjurmët e njeriut.

Dhe pikërisht këtu qëndron dimensioni më i thellë humanist i veprës së Koço Kostës.

VIII. KOÇO KOSTA DHE LETËRSIA SHQIPE

Koço Kosta zë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe moderne. Ai nuk i përket plotësisht asnjë rryme dominante dhe pikërisht kjo e bën një nga autorët më të pazakontë të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.

Në kohën e realizmit socialist, kur letërsia shqiptare duhej të funksiononte sipas skemave ideologjike të optimizmit historik dhe heroit pozitiv, Koço Kosta krijoi gradualisht një botë krejt tjetër: të errët, të fragmentuar dhe estetikisht jokonformiste.

Ai nuk e kundërshtoi realizmin socialist me deklarata politike; ai e refuzoi estetikisht. Vetë mënyra si ndërtoi personazhin dhe rrëfimin ishte formë rezistence artistike.

Në vend të heroit ideologjik, ai solli individin e pasigurt dhe qenien e tjetërsuar. Në vend të realizmit transparent, ai solli ambiguitetin, mjegullën psikologjike dhe krizën e gjuhës.

Pas vitit 1990, kur shumë autorë shqiptarë kaluan drejt kronikës së tranzicionit ose eksperimentit formal postmodern, Koço Kosta vazhdoi të ruante boshtin e vet themelor: analizën e krizës së njeriut shqiptar.

Ai nuk u bë shkrimtar i ngjarjes politike; ai mbeti shkrimtar i traumës antropologjike.

Kjo e dallon nga shumë autorë të tranzicionit që e trajtuan rënien e komunizmit si çlirim përfundimtar. Tek Koço Kosta, rënia e sistemit nuk e shëron individin; ajo nxjerr në pah zbrazëtinë morale, fragmentimin social dhe krizën e identitetit.

Në këtë aspekt, ai është ndër të paktët autorë shqiptarë që krijuan vazhdimësi organike midis traumës totalitare dhe krizës posttotalitare.

Nga pikëpamja estetike, Koço Kosta përfaqëson një urë të rrallë midis traditës narrative shqiptare, modernizmit europian dhe antiromanit bashkëkohor.

Ai nuk kërkon ta kënaqë lexuesin; ai kërkon ta fusë atë në krizë.

Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij: Koço Kosta e zhvendosi prozën shqipe nga rrëfimi i realitetit drejt eksplorimit të ndërgjegjes së traumatizuar shqiptare.

PËRMBYLLJE

Vepra e Koço Kostës përbën një nga hartat më të errëta dhe më të thella të shpirtit shqiptar në letërsinë moderne. Në të, historia shndërrohet në ankth, liria në zbrazëti, erotika në pamundësi shpëtimi dhe individi në qenie të përhershme të tjetërsuar.

Por përtej absurdit historik, proza e tij ruan një marrëdhënie të thellë me kujtesën kulturore shqiptare. Përmes pasurisë leksikore, elasticitetit sintaksor dhe elementeve etnografike, Koço Kosta arrin të shpëtojë në art gjurmët e një bote shqiptare në shpërbërje.

Ai është filozof i absurdit shqiptar, arkitekt i antiromanit modern shqiptar dhe hartograf i krizës së njeriut shqiptar.

Në fund, vepra e tij na çon drejt një përfundimi të hidhur: sistemet politike mund të rrëzohen, por plagët që ato krijojnë në ndërgjegjen njerëzore vazhdojnë të jetojnë gjatë.

Dhe pikërisht aty fillon letërsia e Koço Kostës.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.