Politika

Pitella kundër Ramës: Shqipëria të hapë kufirin

Gianni Pitella, lideri i së majtës europiane, i kërkon edhe Shqipërisë të hapë kufijtë për refugjatët e bllokuar në Greqi. Kjo kërkesë ka ardhur një ditë pasi kryeministri Rama tha se Shqipëria nuk do të hapë kufirin.

Pitella, gjatë vizitës në një qendër të pritjes së refugjatëve në Athinë, i është përgjigjur pyetjes së Top Channel për deklarimin e kryeministrit shqiptar. Pitella, një mik i ngushtë i Edi Ramës, e cilësoi këtë qëndrim të tij si të gabuar.

“Nëse vazhdohet kështu, me këtë përshkallëzim dhe ku çdonjëri mbyllet brenda shtëpisë, me fortesa, ne e transformojmë Europën me 28 fortesa. Unë nuk e di përse Shqipëria e ka bërë, nuk kam folur me Edi Ramën, por ritheksoj se është një gabim mbyllja brenda shtëpisë. Ne duhet të hapim një fluks të rregulluar dhe të programuar të refugjatëve dhe vetëm kështu ne mund t’i japim një përgjigjie pozitive situatës së krijuar”, deklaroi Pitella.

Pitella përgëzoi autoritetet greke për punën që po bëjnë në lidhje me pritjen e refugjatëve që mbërrijnë çdo ditë me mijëra. Ai tha se, situata e krijuar është alarmante dhe se Europa duhet të tregohet solidare me refugjatët.

Zëvendës ministri i Mbrojtjes së Greqisë i është përgjigjur pyetjes së Top Channel nëse ka ndonjë bisedim me Tiranën zyrtare për refugjatët.

“Të mos flasim për këtë. Siç e dini, ka një autoritet që po përpiqet t’i zgjidhë gjërat këtu brenda dhe është Ministria e Jashtme për zgjidhjet diplomatike”, deklaroi Dhimitris Vitas.

Greqia ka hapur repartet ushtarake për të strehuar refugjatët, që kërkojnë të vazhdojnë udhëtimin e tyre. “Ne ikim nga Afganistani që të jetojmë të sigurt dhe tani duam të jetojmë të sigurt në një vend europian dhe shpresojmë që kufiri maqedonas të hapet shpejt”, shprehet një refugjat afgan.

Autoritetet greke hapën repartet ushtarake për të pritur refugjatët, ndërsa kanë ulur numrin e atyre që transferohen nga ishujt në Athinë. Refugjatët që kanë mbërritur në portin e Pireut protestuan kundër mbylljes së kufirit. Një pjesë e madhe e tyre janë strehuar në hapësirën e portit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button