Platforma e re qeverisëse “Shqipëria Sociale”, Koçiu: Strehimi për çiftet dhe familjet e reja, prioriteti i parë
Qeveria shqiptare do ta nisë sezonin e ri politik me një fokus të ri te politikat sociale dhe përmirësimi i drejtpërdrejtë i cilësisë së jetës së qytetarëve. “Shqipëria Sociale” do të jetë në qendër të kësaj qasjeje, ndërsa një nga ndërhyrjet e para konkrete do të jetë një program i ri strehimi për çiftet dhe familjet e reja.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu, ka prezantuar prioritetet e reja të qeverisë, duke theksuar se zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me përmirësime që qytetarët t’i ndiejnë në jetën e përditshme.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku objektivi nuk është më vetëm ndërtimi apo ofrimi i shërbimeve, por që përmirësimi të ndihet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të çdo familjeje”, është shprehur Koçiu, duke shtuar se sfida kryesore mbetet që çdo familje ta ndiejë konkretisht këtë përmirësim.
Qeveria synon që përmes kësaj nisme të krijojë më shumë siguri dhe mundësi për çiftet e reja, duke e lidhur politikën e strehimit me objektivin më të gjerë të mbështetjes së familjes dhe nxitjes së të rinjve për të qëndruar e jetuar në vend.
Përveç strehimit, në fokusin e “Shqipërisë Sociale” do të jenë edhe rritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, si dhe politika mbështetëse për kategori të ndryshme të shoqërisë.
Sipas Koçiut, prioritet do të jetë mbështetja e familjeve të reja, fermerëve, pensionistëve dhe biznesit të vogël.
“Një vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe të rinjve, me synimin për të krijuar më shumë mundësi punësimi, zhvillimi dhe mirëqenieje për ata që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Standardi europian duhet të ndihet në jetën e qytetarëve”, tha Koçiu.
Në këtë qasje të re, qeveria e lidh edhe procesin e integrimit europian me përmirësimet konkrete në jetën e përditshme.
Koçiu ka theksuar se standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv politik apo institucional, por duhet të përkthehet në shërbime më cilësore, komunitete më të zhvilluara dhe më shumë mirëqenie për qytetarët.
“Standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv në letër. Ai duhet të ndihet në çdo shërbim, në çdo komunitet dhe në jetën e çdo qytetari”, është shprehur ajo.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.