Kosova

Po thellohet mosbesimi ndaj institucioneve

po-thellohet-mosbesimi-ndaj-institucioneve_hdBesimi i qytetarëve ndaj institucioneve të vendit ka rënë dukshëm pas ngërçit institucional që po mbretëron muajve të fundit. Analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë theksuar se ky mosbesim nuk është se ka filluar tani.

Analisti Behlul Beqaj, ka thënë për KosovaPress se ky mosbesim vetëm sa po thellohet, ndërsa ka porositur se Kosova nuk ka mundësi të vazhdojë edhe shumë kohë me këtë ngërç politik.

“Besimi i qytetarëve në institucionet e Kosovës edhe ashtu nuk ka qenë në niveli e duhur. Fakti se aktualisht nuk funksionojnë institucionet, ndoshta vetëm e ka thelluar mosbesimin ndaj tyre. Çka është keq është se nuk kemi institucione e edhe më keq që këto institucione në largim kanë marrë veprime të cilat do ta rëndojnë të ardhmen e krijimit të qeverisë dhe funksionimin e saj”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Fol, Fidan Kalaja, ka thënë për KosovaPress se përveçse nuk kemi institucione tash e katër muaj, nuk ka shpresë se të njëjtat do të formohen në një të ardhme të shpejtë. Sipas tij, zgjedhjet e reja të mundshme do të jenë të dëmshme për qytetarët e Kosovës, pasi për to shpenzohen miliona nga buxheti.

“Ne jemi ballafaquar me mungesë të besimit të qytetarëve në institucione, pothuajse nga fillimi i krijimit të këtyre institucioneve. Procesi zgjedhor nuk ka qenë 100 për qind në dorën e KQZ-së, e as të partive politike, por edhe të qytetarit. Pastaj, në momentin që ka ngel puna tek partitë politike, ato i kanë vendosur interesat e tyre para interesave të qytetarit dhe e kanë krijuar këtë situatë e cila shpesh është edhe qesharake e shpesh është edhe ironike”, ka theksuar ai.

Të zhgënjyer me politikanët dhe institucionet e vendit janë shprehur edhe qytetarët e anketuar.

“Lakmia e pushtetit. Këta kanë qejf me e mbajt pushtetin patjetër, e këta tjerët po donë me e marrë me çdo kusht. U bëfshin copa. Këta që kanë qenë e mjelën mirë këtë shtet, këta që vinë ishalla e mjelin ma pak. Se, pa mjelje s’besoj që pshtojmë”, thotë Jusuf Hoxha.

Kurse, Murtez Hasani, i ka kritikuar disa nga liderët e partive politike për të cilët ka thënë se nuk u beson fare.

“Na mytën, na mytën…”, ka deklaruar ky qytetar.

Edhe Isuf Sfirca ndan mendim gati të njëjtë me qytetarët tjerë. Sipas tij, do të ishte mirë që të gjendet një zgjidhje dhe të dilet nga kjo situatë.

“Një bllokadë e tillë nuk shërben në të mirën e qytetarëve, as partive politike, e sidomos institucioneve”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, gjatë ditës ka pasë reagime edhe nga liderët e disa partive të mëdha në vend rreth mos-krijimit të institucioneve të reja.

Ish-shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Adem Grabovci, në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se vendi nuk e ka komoditetin që ta ngadalësojë procesin e krijimit të institucioneve të reja.

“Ende jemi në formësim të shtet-ndërtimit dhe në përpjekje për krijimin e institucioneve funksionale e stabile. Për këtë, aq më pak e kemi atë komoditet që t’i lejomë vetvetes lojë politike të ngadalësimit të krijimit të institucioneve të reja, që shkon në dëm të interesit të qytetarëve të vendit”, ka shkruar ai.

Menjëherë atij iu ka kundërpërgjigjur lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë se subjekti që po e bënë këtë bllokadë është pikërisht PDK-ja.

“PDK dhe koalicionistët e saj po bëjnë propagandë pa krip për bllokadën e institucioneve. E unë i pyes: Kush e bllokoi Seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës më dt. 17 Korrik? Kush i la peng për tre orë 83 deputetë në sallë? Kush ua pamundësoi deputetëve që kishin dhënë betimin të diskutojnë e të shprehin mendimet? Kush abuzoi me rendin e ditës? Kush e dërgoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi masë të pezullimit për Kryetarin e zgjedhur me pjesëmarrje të 83 deputetëve, me 65 vota?…”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për KosovaPress se ky vakum institucional po i shkakton Kosovës dëme të mëdha në shumë fusha duke e përfshirë edhe buxhetin e vendit.

“Zvarritja e marrjes së vendimeve për krijimin e qeverisë e ka zbehur te qytetari i Kosovës optimizmin. Duhet të merret sa më shpejt vendimi nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që të kemi një shtet funksional”, ka deklaruar ai.

Kuvendi i Kosovës është shpërbërë në maj të këtij viti duke e quar vendin në zgjedhje të parakohshme të cilat ishin mbajtur më 8 qershor, ku asnjë nga subjektet politike nuk ka fituar shumicën e votave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button