Ekonomia

Porto Romano, miratohet koncensioni për portin ku do të përpunohen hidrokarburet

porto-romanoKomisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim shfrytëzim dhe transferim)të një porti të llojit MBM në Porto Romano, Durrës, ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe infrastrukturës dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (MULTI BUOY MOORING)”. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit ishin Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto dhe zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes z. Ervin Mete. Në fjalën e tij, z. Haxhinasto bëri një prezantim të projektligjit duke theksuar se kjo është një nga kontratat koncesionare që ndërlidh tre ministri. “Kjo është një kontratë BOT, pra ndërto, opero dhe transfero. Është një për një periudhë 35 vjeçare. Investimi i kryer do të jetë 10.2 milion dollarë në fillim të investimit dhe në periudhë e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës. Arsyeja e realizimit të këtij investimit ka të bëj me një kufizim, një limitim të kapaciteteve tona përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure që kushtëzohet nga thellësia e kufizuar e porteve tona. Ky investim do ta rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme mundësinë tonë të operatorëve provat shqiptar për të realizuar import eksporte të produkteve hidrokarbure”,- theksoi ndër të tjera ministri Haxhinasto. Projektligji do të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Aktualisht në këtë zonë ekziston një kontratë koncesionare, që i takon kompanisë Romano Port.SHA, e cila në vitin 2012 është gjobitur nga Autoriteti i konkurrencës me 48 mijë euro për abuzim me pozitën dominuese. Këshilli i Ministrave argumenton në relacionin shoqërues se zhvillimi i këtij projekti në Porto Romano ku janë të përqendruar më shumë se 85% të kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve, duke u integruar me infrastrukturën aktuale, do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve të magazinimit, të cilat aktualisht shfrytëzohen në vetëm 60% të tyre.
Për më tepër, investimi në këtë zonë do të rezultonte me kosto të reduktuara dhe do të ishte efektiv në terma financiarë. “Aktualisht, infrastruktura e kufizuar e terminaleve ekzistuese limiton mundësinë e ankorimit të anijeve çisternë, me kapacitet më të madh se 20 000 tonë.
Pikërisht, për të mundësuar këtë, projekti parashikon realizimin në një periudhë 6-mujore të portit off-shore të ankorimit MBM me thellësi (zhytje) 18 – 20m që mundëson pritjen e anijeve me kapacitet mbi 20 000 tonë dhe që vlerësohet të çojë importet dhe eksportet e karburanteve në 1 milion ton në vit nga të cilat 40% për eksport”, thekson Këshilli i Ministrave.

Projekti parashikon realizimin e një sistemi bovash rreth 2 500m nga linja bregdetare në afërsi të Porto Romanos në Durrës. Në këtë largësi vihet re një thellësi rreth 20m, e projektuar për të pritur anije me gjatësi 250m me një zhytje rreth 15 metra. Fushat e bovave, të quajtura MBM, përbëjnë një nga mënyrat e para të përdorura për ankorim në det të hapur.

aaaaNormalisht ky sistem përbëhet nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione, në përgjithësi të zhytyra (të ankoruara dhe/ose të vendosura në fund të detit) me qëllim reduktimin e rezistencave të induktuara nga deti (valë, rryma), që lidhin bovën me serbatorët në tokë, të vendosur në afërsi të bregut.
“Gjithashtu, me anë të këtij projekti synohet që Shqipëria të kthehet në nyje furnizimi dhe për rajonin”, thekson në relacion Këshilli i Ministrave duke ngarkuar për zbatimin e këtij projektligji Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button