Politika

Presidenti Turner:Shqipëria anëtare e besueshme dhe e angazhuar e NATO-s

Michael Turner, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s deklaroi të shtunën në Tiranë se Shqipëria si anëtare prej 7 vitesh e Aleancës ka bërë një transformim të mrekullueshëm dhe ajo është një anëtare e besueshme dhe e angazhuar e saj.

Deklarata e tij u bë gjatë konferencës për shtyp që Presidenti Turner dha në kuadër të  punimeve të sesionit pranveror të NATO-s që po mbahet në Tiranë. Ne konferencen per shtyp ishin të pranishëm dhe Pandeli Majko, kryetar i Delegacionit Shqiptar pranë Asamblesë së NATO-s dhe David Hobbs, sekretari i Përgjithshëm i saj.
Presidenti Turner vlerësoi se Shqipëria është një kampione e zgjerimit të NATO-s dhe se zëri i saj është dëgjuar shumë në aderimin e Malit të Zi në Aleancë. Kjo, tha ai, çoi në ftesën që ne i drejtuam Malit të Zi, për anëtarësim në NATO.

Më pas z. Turner iu përgjigj interesimit të gazetarëve për çështje të rëndësishme të sigurisë globale, si Rusia, lufta kundër terrorizmit, zgjerimi i Aleancës etj. Rusia, theksoi Presidenti i Asamblesë, e shikon NATO-n si kundërshtare dhe ne na duhet të shikojmë se si do të merremi me këtë kërcënim. Ne, duhet të njohim gamën dhe natyrën e këtij kërcënimi që vjen nga Rusia, të denoncojmë shfaqjen e kërcënimeve të saj, sidomos ato bërthamore, theksoi ai. Turner nënvizoi se në këtë situatë NATO duhet ta rishfaqë veten me anë të shmangies bërthamore.

Por, theksoi ai, duhet të sigurojmë sërish aleatët tanë në lindje. Duhet të vazhdojmë të bëjmë këtë gjë sepse duke bërë këtë gjë ne do të flasim edhe për praninë tonë dhe për mekanizmat që do të përdorim për sa i përket ri mbështetjes sonë të shpejtë.

Majko duke folurNë këtë kuadër, ai theksoi se SHBA kohët e fundit kanë propozuar edhe një kërkesë për katërfishimin e fondeve për praninë e NATO-s në Evropë, si pjesë e kontributit. Edhe, pse SHBA po bën më shumë, edhe partnerët tanë evropiane duhet të bëjnë më shumë. Ne duhet t’i japim siguri aleatëve tanë në Lindje, sepse ne nuk duhet të harrojmë që ekonomia e Rusisë është më e vogël se ajo e Italisë, por nuk duhet të harrojmë se këtu kemi të bëjmë me stabilitetin e Evropës”, tha Presidenti i AP të NATO-s.

Për sa i përket buxheteve për mbrojtjen dhe për barrën që na duhet të ndajmë, 16 nga aleatët tanë i kanë hequr shtrëngimet financiare, por në fakt, ka ende vetëm 5 shtete që e kanë 2% të buxhetit e shpenzojnë për mbrojtjen, gjë të cilën ne e kërkuam në Samitin e Uellsit. Ju bëjmë thirrje aleatëve, tha ai, që të kenë shpenzimet e nevojshme për mbrojtjen.

Natyrisht, theksoi Turner, që çështjet e mbrojtjes, sidomos me anën e raketave vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme dhe do të vazhdojnë të jenë fokusi i punës së NATO-s dhe përforcimi i kapaciteteve mbrojtëse të saj.
Në këtë takim të Tiranës, informoi ai. do të bëjmë diskutime për Libinë, Sirinë, Afganistanin dhe për çështje që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe migrimin, çështje që vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në diskutimet e përgjithshme që do të ketë NATO në Samitin e Varshavës.

I pyetur për rolin e Shqipërisë në anëtarësimin e Kosovës në NATO, kryesuesi i delegacionit shqiptar në Asamble, Pandeli Majko, tha se megjithë mbështetjen, Shqipëria nuk do të vendosë kushte për këtë. Ai përshëndeti marrjen nga Mali i Zi të ftesës për anëtarësim në NATO, e cila tha ai, rrit stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“Republika e Shqipërisë, në frymën e principeve të një familje të madhe, siç është NATO, nuk ka vepruar dhe nuk do të veprojë në asnjë rast me logjikën e politikave bllokuese apo me kushte. Ne e kemi shprehur dhe do ta shprehim shqetësimin tonë lidhur me të drejtat e shqiptarëve, në çdo vend ku ata jetojnë. Por, mendoj se është një lajm shumë i mirë për gjithë rajonin që të bëhet Mali i Zi të bëhet pjesë e Aleancës, se kjo do të rriste stabilitetin dhe sigurinë në rajon, si dhe do të ishte një nxitje edhe për vendet e tjera, si Maqedonia”, u shpreh Majko .

Ndërsa Presidenti Turner për këtë çështje theksoi rëndësinë e zgjerimit të NATO-s, që i kontribuon sigurisë sonë të përgjithshme dhe asaj në Ballkan, tha ai. “Puna që ka bërë Shqipëria për zgjerimin e Aleancës është shumë e rëndësishme. Ne do të bëjmë të pamundurën që të kemi themele të forta, të çimentuara, për arritjen e stabilitetit. Ndaj dhe anëtarësimi i këtyre vendeve, edhe i Serbisë, edhe i Kosovës do të jete me rëndësi për sigurinë tone kolektive”, u shpreh Turner.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button