Kosova

Prishtinë, Basha takon kryetarin Ahmeti: Opozitat, kauza të përbashkëta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në një bisedë të përzemërt, kryetari Ahmeti e njoftoi zotin Basha për situatën e përgjithshme politike në Kosovë, sfidat dhe kauzat e opozitës, qeverisjen dhe arritjet në Komunën e Prishtinës, etj.

Nga ana e tij, kryetari i PD shprehu kënaqësinë e tij për takimin dhe tha se duhet të vazhdohet me një dialog kuptimplotë dhe thelbësor mes faktorëve politikë në Kosovë dhe atyre në Shqipëri.

“Janë shumë çështje të përbashkëta për të cilat duhet të diskutojmë, si në aspektin e dy partive opozitare, që kanë të bëjnë me interesin qytetar, e poashtu edhe në aspektin kombëtar, siç është integrimi i të dy vendeve në strukturat euro-atlantike”, tha Basha.

Pas takimit, të dy ata mbajtën një konferencë për shtyp.

Ahmeti: Patëm rastin të shkëmbenim mendimet mbi zhvillimet e fundit qoftë në nivelin lokal në Prishtinë dhe në Tiranë, qoftë edhe për zhvillimet në nivelin nacional edhe në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë.  Pra, e di që për qëndrimet e PD-së lexojmë nëpër media megjithatë patëm rastin që edhe në vetën e parë ti shpjegojmë ato qëndrime. Natyrisht z.Basha u interesua edhe për qëndrimet e reformave në Prishtinë, si një ish-kryetar bashkie natyrisht e dinë se me çfarë përballemi, se cilat janë problemet dhe po ashtu diskutuam edhe për zhvillimet e fundit edhe në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë dhe  në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Sot është e enjte, ditë kuvendi për të dyja shtetet. Për Kosovën e dimë  çka ndodhi, për Tiranën ende nuk kam marrë lajme. Edhe një herë e falënderoj.

Basha: Do ta falënderoj kryetarin e Komunës së Prishtinës, mikun tim Shpendin për mikëpritjen që më ofroi sot. Në këtë ditë takimesh me krerët e shtetit dhe politikës së Kosovës, për informacionin dhe paraqitjen e status quo-s në Komunën e Prishtinës, projekteve, planeve, vizionit të tij për qytetin, për cilësinë e jetës së qytetarëve dhe banorëve të Komunës së Prishtinës. Natyrisht ne jemi takuar edhe më parë në detyrën time si kryetar i bashkisë, ndonëse sot vij si kryetar i opozitës, interesi im për Prishtinën, prishtinasit dhe për mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Prishtinës mbetet i njëjti. Gjej rastin t’i uroj sukses ne ekzekutimin e  projekteve të tij në të mirë të qytetarëve të Prishtinës, në të mirë të kryeqytetit të Kosovës. Diskutuam natyrisht edhe për gjendjen politike në dy shtetet tona. Një nga qëllimet e vizitës time është që të vazhdojmë një dialog kuptimplotë dhe thelbësor me të gjithë faktorët politikë në Kosovë sigurisht ka aspekte që na bashkojnë, si opozita. Ka aspekte që na bashkojnë në interesin kombëtar, kur theksoj interesin kombëtar për një shtet të konsoliduar të së drejtës, të një demokracie funksionale në Kosovë dhe një përballje me sfidat e konsolidimit të këtij realiteti të ri të shtetit të Kosovës, njohje ndërkombëtare dhe përparimit në rrugën e integrimeve europiane, euroatlantike, heqjes së vizave etj. Ku sigurisht faktorët kanë përgjegjësi që iu kanë atribuuar votuesit e duhet t’i shkarkojnë ato në përputhje me këto përgjegjësi, qeveria në detyrën e saj, opozita në detyrën e saj. Në këtë kuadër shkëmbyem mendime edhe për zhvillimet e fundit, të cilin pata rastin ta informoj për zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet e opozitës shqiptare për konsolidimin e standardeve europiane dhe euroatlantike, demokracisë, shtetit ligjor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe luftës kundër krimit dhe korruspionit, si parakusht për mirëqenien, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër varfërisë dhe papunësisë që janë plagë të mëdha në Shqipëri dhe në Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button