Kronika

Profil/ jeta plot risk e “Doktor Florit”.Pritet autopsia. Dyshohet si shkak mbidoza

Një prej këngetarëve më të njohur dhe ndër më kontroversët në Shqipëri, Florian Kondi i njohur si “Doktor Flori” ka ndërruar jetë. Ai ka mbërritur i vdekur në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Burime thanë për lapsi.al se vdekja e tij është konstatuar këtë mëngjes. Këngëtari i njohur i muzikës shqiptare ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe ka ndërruar jetë vetëm pak çaste pasi ka mbërritur në spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. Doktor Flori u nda nga jeta në një moshë të re, ndërsa ka lënë pas dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë të vogël, i cili kishte vetëm disa javë që kishte lindur.

Florian Kondi u bë fillimisht i njohur me grupin “West side family” me të cilin për hetë të parë këndoi edhe në fushatën e Edi Ramës në zgjedhjet e vitit 2003.

Ai e përsëriti këtë eksperiencë edhe 6 vite më vonë kur këndoi këngën e Partisë Socialiste para fushatës së vitit 2009. Por në vitin 2013 ai u shfaq, si gjithmonë, si një krijues i angazhuar kur me anë të një kënge, për të cilën shumëkush pretendonte se ishte e sponsorizuar nga PD-ja, denoncoi paktin Rama- Meta dhe baltën që ata patën hedhur mbi njëri – tjetrin. Por nuk kaluan disa ditë dhe kënga u zhduk nga tregu. Thashethemnaja u hap se të drejtat e saj ishin blerë nga LSI.

Pavarësisht këtyre flirtimeve me politikën, Florian Kondi, ka qenë një personazh të cilit i pëlqente të qe në plan të parë.  Në nëntor të vitit 2012 ai doli fitues në reality show “Vip Shtëpia 3” të zhvilluar nga Televizioni 21, në Prishtinë.  Pas më shumë se 4 javësh aty brenda dhe i monitoruar 24 orë në 24 nga kamerat, ai doli fitues. “Ishte një eksperiencë e fortë… Aty provon veten se sa durim ke dhe çfarë brumi je. E kalova me sukses, por jo pa vështirësi. Presioni ishte shumë i madh! Kam pasur momente të vështira, por për të dalë nuk më shkonte mendja, pasi i kisha vënë një qëllim vetes. Unë jam tip që nuk dorëzohem”.
Ai deklaroi atëhere se cfarë i kishte munguar më shumë:
“Sigurisht për vajzën time Kaltrina më mori malli më shumë, dhe për çdo gjë tjetër jashtë. Kur je aty brenda të duket sikur jeta vazhdon vrullshëm jashtë, por në të vërtetë çdo gjë rrjedh normalisht”.  Por kur u pyet pas kësaj fitoreje se sa lekë kishte fituar ai tha: “Lekët dhe mëkatet nuk tregohen, thotë një fjalë e urtë e popullit.”
Një tjetër sukses i Dr Florit ishte dhe kënga e realizuar me Ermal Mamaqin “Ku ka si Tirona”. Nuk ishte hera e parë që ai i këndonte kryeqytetit për të cilin thoshte se: “Tirana per mua eshte kryeqyteti i Shqiperise dhe i gjithe shqiptareve, eshte vendi ku realizohen endrrat. Ne Tirane une kam jetuar, kam bërë njohjet e mia, kam bere karriere, jam realizuar. Nuk e nderroj me asnje qytet ne bote”.
Një nga këngët e fundit  krijuar nga Dr Flori ishte ajo “Së bashku”, me financim nga policia e shtetit nën vartësinë e ministrit Saimir Tahiri, njëherësh dhe kryetar i PS-së për Tiranën. Por ajo hapi mjaft debate në të gjallë për pozicionimin politik të Dr. Florit si artist. Kjo pasi kënga e re e ish-liderit të grupit “West Side Family” është komentuar si një rikthim i marrëdhënieve të mira me qeverinë e majtë pas prishjes në zgjedhjet e 23 qershorit, me këngën rebeluese “Zemërthyer” kundër Edi Ramës. Dr. Flori, i cili pas lançimit të këngës merrej me promovimin e klipit sensibilizues në shkolla, e konsideroi atëhere krejtësisht absurde këtë mani për ta politizuar çdo gjë: “E vërteta është që kërkesën për krijimin e një kënge të tillë sensibilizuese ma kanë kërkuar të huajt, ndërsa organizimi është bërë nga Forumi i Gruas në Polici (SPPSH). Projekti është mbështetur financiarisht nga ‘Austrian Development Cooperation’, pra askush nga Qeveria nuk ma ka kërkuar diçka të tillë, pasi mua më kanë komunikuar direkt të huajt për realizimin e një projekti të tillë. Vërtet çuditem nga këto trillime të mendjeve të ndryshme si pasojë e propagandës mediatike duke më pozicionuar në kahe të ndryshme politike. Unë jam artist që angazhohem në probleme sociale dhe s’jam në asnjë kah politik, pra vazhdoj të jem atje ku kam qenë” tha atëherë ai.

Por sot ai nuk është më. Shumëkush do të qajë talentin e tij në skenë. Të tjerët do t’i kujtojnë piruetat e tij, kthesat dhe të papriturat e mëdha. Ndokush thoshte se ai i bënte të gjitha këto, nën trysninë e veseve që kishte, përdorimit të drogave të forta dhe përdorimit të shpeshtë të alkoolit. Tani, në orët e para të ikjes së tij dikush po shkruan se ato i morën dhe jetën. E larguan prej saj babain e dy fëmijëve, që jo shumë kohë më parë deklaronte: “Unë nuk e kam zakon të dorëzohem kurrë”. (Portret Lapsi.al)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button