Politika

Projektet gjermane në Shqipëri histori suksesi

AAAMarrëdhënie gjermano-shqiptare kanë qenë konstante pavarësisht cili krah ka qenë në qeveri dhe projektet e financuara nga Gjermania janë modele udhërrëfyese për vendet e tjera donatore të Shqipërisë.

Vizita e Kancelares Angela Merkel në Tiranë, në kuadër të turit të saj rajonal, ka rikthyer në opinionin publik dhe mediatik të Shqipërisë, bilancin e marrëdhënieve mes dy vendeve në planin politik dhe ekonomik, si dhe vlerësimin mbi rolin dhe mbështjen e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, mendon se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera në shumë plane dhe ato janë intensifikuar pas takimit të kryeministrit Edi Rama me Kancelaren në prill të vitit të kaluar. Në bisedë me Deutsche Welle-n, ai thotë se pas këtij takimi lindi procesi i Berlinit me vendet e Ballkanit, si një instrument i ri bashkëpunimi rajonal, të cilin koha tregoi se ishte i domosdoshëm për hapjen e një faze të re marrëdhëniesh dypalëshe dhe shumëpalëshe mes vendeve të kësaj pjese të Evropës, të cilat 2 dekada më parë ishin në konflikte. Sot bëjnë projekte të përbashkëta zhvillimi dhe aspirojnë së bashku për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, deklaron Taulant Balla.

“Këto 14 muaj kanë qenë shumë të rëndësishëm edhe në identifikimin e projekteve të cilat Gjermania ka vendosur t’i mbështesë në Shqipëri. Në fillim të kësaj jave firmosën 7 marrëveshje ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë, përmes të cilave financohen 118 milionë euro në sektorë të rëndësishëm si energjia dhe eficenca energjitike, sektori rural dhe zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë, investimet në furnizimin me ujë të pijshëm, si dhe mbështetja e SME-ve. Në fakt këto janë sektorë ku Gjermania ka treguar interes të vazhdueshëm në vendin tonë. Dua të them se projektet e financuara nga Gjermania janë modele udhërrëfyese për vendet e tjera donatore të Shqipërisë. Arësyeja është e thjeshtë. Projektet gjermane në Shqipëri janë histori suksesi”.

Marrëdhënie konstante pavarësisht cili krah ka qenë në qeveri

Për ish-ministrin e Jashtëm Prof. Tritan Shehu, aktualisht eksponent kryesor në Partinë Demokratike në opozitë, ecuria e marrëdhenieve shqiptaro-gjermane është zhvilluar pavarësisht ngjyrave politike të qeverisjeve. Gjermania është një mbështetëse e fortë e proceseve tona demokratike e integruese, shprehet ai për Deutsche Welle-n. “Është donatori kryesor për ne përmes strukturave të BE-së. Janë marrëdhënie lineare dhe në ngritje, gjë që lidhet dhe me avancimin tonë drejt BE-së”. Prof. Tritan Shehu e konsideron një zhvillim shumë të rëndësishëm faktin që Gjermania kohët e fundit po tregohet më “agresive” me politikat e saj drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Konferenca e Berlinit, e cila do të vijojë pas pak javësh me atë të Vjenës, vizita e Kancelares në rajon, mesazhet e lëshuara prej saj për dinamikën e zhvillimeve në Ballkan, janë tregues që bindin për rolin aktiv të Gjermanisë. Për Shqipërinë dhe vendet e rajonit vizita e Kancelares Merkel është suport për procesin e integrimit evropian. Unë mirëkuptoj deklaratat e qarta të saj për nevojën e përmbushjes së standardeve nga ana e Shqipërisë, për përshpejtimin e procesit të integrimit është një ndihmë konkrete shtesë ndaj nesh”.

Azilkërkuesit nga keqinformimi dhe keqinterpretimi

Një nga temat që Kancelarja do të diskutojë me autoritetet zyrtare në Tiranë është dhe fenomeni i azilkërkuesve. Për kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani, realisht rritja e numrit të tyre me origjinë nga Ballkani Perëndimor përbën një shqetësim për qeverinë gjermane dhe vende të tjera anëtare të Schengen-it.

“Fillimviti shënoi një rrije të madhe të azilërkuesve nga Shqipëria kjo edhe për shkak të keqinformimit dhe keqinterpretimit se gjoja Gjermania ka nevojë për punëtorë apo se shqiptarët mund të përfitojnë azil ekonomik në Gjermani. Këto keqinformime u keqpërdorën dhe çuan në një rritje të pakuptimitë të azilërkresve shqiptarë. Por pas intensifikimit të komunikimit publik nga ana e institucioneve shtetërore shqiptare dhe atyre gjermane se shqiptarët nuk përfitojnë azil në Gjermani, pas shfryrjes së tullumbacit artificial të azilit, ka një rënie të numrit të shqiptarëve që gënjehen për tu nisur drejt Gjermanisë me qëllim azilin”.

Për Ballën faza e emergjencës ka kaluar dhe këtu një rol shumë të mirë po luan edhe Policia e Kufirit, të cilët në shumë raste kthejnë mbrapsht kontigjentet e dyshuara që kanë objektiv azilkërkimin. Duke folur për çështjen e azilkërkuesve nga Shqipëria në Gjermani eksponenti i PD-së, Tritan Shehu thotë se kemi të bëjmë me nje simptomë të qartë të problemeve të brendshme, i gabimeve dhe i defekteve që nuk po marrin zgjidhje. “Përpjekjet tona konkrete për përmbushjen e standardeve të BE, forcimi i institucioneve tona, zhvillimi ekonomik e social i vendit etj., do ta minimizojnë këtë fenomen tejet negativ. A rrezikojmë që realisht të rivendoset regjimi i vizave? Kjo për mua është dytësore. Parësore është detyrimi i shtetit shqiptar për të luftuar këtë fenomen, që ka në origjinë shumë faktorë, siç u shpreha më parë. Pa dyshim nëse kjo dukuri zgjat e zgjerohet, atëherë ka rrezik dhe sistemi aktual i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen të BE-së”. Mundësia e rivendosjes së vizave, sipas deputetit të mazhorancës së majtë, do të ishte një absurditet. Do të kishte efekt të kundërt, shprehet Taulant Balla për Deustche Welle-n.

“Në vend që të pakësonte numrin e azilkërkuesve do ta stimulonte. Muri i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor ka rënë dhe as nuk duhet kujtuar. Ka qenë një histori e keqe e ndarjes së Europës. Europa ka nevojë për bashkim. Prandaj apeli im për Gjermaninë është që të mbështesë aspiratën e vendeve të Ballkanit për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimin Europian. Bashkimi ynë me Europën është ndreqje e gabimeve të historisë. Edhe ndarja e Gjermanisë ishte gabim i historisë, ndërsa ndreqja ishte një domosdoshmëri”.

Marrëdhëniet gjermano shqiptare nga donacionet te partneriteti

Një temë kryesore që pritet të prekë Kancelarja në vizitën e saj në Tiranë është bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, ku ajo pritet të jetë pjesmarrëse në një forumin të përbashkët. Gjergj Buxhuku, kryetar i AlbKonfindustria-s e vlerëson Gjermaninë si një partner të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik të Shqipërisë, por ende, sipas tij, mjaft larg mundësive reale, që paraqesin tregjet tona.

“Në pothuaj çerek shekulli forma e marrëdhenieve ndërmjet dy vendeve është shndërruar cilësisht në kohë varësisht fuqizimit ekonomik të Shqipërise. D.m.th nga marrëdhënie fillestare me Gjermaninë si donatore dhe Shqiperinë në vështrim të parë si përfituese, drejt kalimit gradual në formë të pastër partneriteti me përfitim të ndërsjellë për të dy vendet. Strategjia e pranisë gjermane në ekonominë shqiptare ka synuar qartësisht tregjet strategjike si energji, telekomunikacion, sistem bankar, rrjete konjeksioni, furnizim me ujë, aeroporte, etj. Por, tashmë, që Shqipëria është fuqizuar dhe po përfshihet në tregjet globale vlerësoj, se ende jemi në fillimet e bashkëpunimit ekonomik në përfitim të ndërsjellë”. Vizitën e Kancelares Merkel Gjergj Buxhuku e shikon edhe si tregues të qartë të miqësisë historike mes dy vendeve, por edhe si një vetëkorrigjim të qëndrimit të diplomacisë së deritashme të Berlinit ndaj kombit shqiptar dhe rajonit.

“Pas dështimeve dramatike të Greqisë, pamundësisë së Italisë dhe paaftësisë së Bashkimit Europian, politika gjermane ka kuptuar, se duhet të jetë e pranishme me projekte zhvilluese dhe ndikim në mënyrë të drejtpërdrejtë politik në hapsirat shqiptare dhe rajonin e Ballkanit Perendimor. Për më shumë rëndësia ekonomike dhe gjeostrategjike e kombit rreth 7 milionësh shqiptar ne hapësirat e Shqipërise, Kosovës, Maqedonisë etj., është thelbësore për zhvillimin e qendrueshëm të gjithë rajonit dhe gjithmonë edhe më e rëndësishme për vetë BE-në. Sa më sipër krijon mbështetje të fuqishme për bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet bizneseve të dy vendeve”.

Në nxitjen e investimeve gjermane në Shqipëri ka rol dhe grupi parlamentar i miqësisë Shqipëri-Gjermani me 39 deputetë. Drejtuesi i kësaj strukture Taulant Balla, shprehet se përpos synimit të forcimit të dialogut politik mes dy parlamenteve, ai shërben gjithashtu edhe si një instrument mbështetës për çdo kompani gjermane që është e interesuar për të investuar në Shqipëri. “Për këtë qëllim i drejtohem sot çdo sipërmarrësi gjerman, duke i thënë se deputetët e këtij grupi miqësie kërkojnë dhe do të mbështesin më shumë prezencë të kompanive gjermane në Shqipëri. Vizita e Kancelares Merkel është një rast më shumë për të ritheksuar domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, për shkak se ne vlerësojmë se modeli transformues i Gjermanisë, modeli i suksesshëm në kulturën e sipërmarrjes të sektorit privat në Gjermani, janë një mundësi por edhe edhe një kërkesë legjitime, për të kërkuar më shumë prezencë të kompanive gjermane në rajon dhe sigurisht, edhe në Shqipëri”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button