Prokuroria çon në gjykatë dosjen e Emiliano Shullazit
39-vjeçari Emiliano Shullazi përfundoi i pandehur në gjykatën e Krimeve të Rënda, së bashku me katër persona të tjerë të cilët shikohen si bashkëpunëtorët e tij.
Prokuroria dyshon se Shullazi është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka gjobitur shtetasit Ylvi Beqja , Jani Zaka dhe Adriatik Këçuku.
Ka kërcënuar për tu tërhequr nga gara kandidatin për rektor Mynyr Koni si dhe ka kanosur për shkak të detyrës rektorin Dhori Kule. Përveç Emiliano Shullazit nën gjykim do të jenë edhe shoku i tij Gilmando Dani, nipi Endrit Zela si edhe Blerim Shullazi e Endrit Qyqa.
Ndërsa administroi dëshmi të rëndësishme për kërcënimin e Konit që nga ajo e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri e drejtori i përgjithshëm i policisë Haki Çako, dëshmia që do të jetë më e diskutueshme është ajo e profesorit i cili sidoqoftë nuk e drejtoi gishtin drejtperdrejtë tek Shullazi.
Për episodet e tjera të gjobëvënies më e njohura ajo për kërcënimet edhe për ish Vollgën , prokuroria e mbyll dosjen ndaj tyre, pas një beteje të humbur të saj për dëshmitarin kryesor të cilin po e ruan se bashku me familjen.
Për katër muaj gjykata nuk mundi të marrë në seancë rrëfimin e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Megjithëse prokurorët tentuan ta siguronin dëshminë si provë përpara dërgimit të dosjes në gjykatë me argumentin se Ylvi Beqës i rrezikohej jeta.
Tashmë që të dyshuarve u janë komunikuar akuzat, praktikisht gjykata shpëton nga shah mati për të garantuar sigurimin e provës së Beqajt.
Kjo dëshmi tashme duhet të dëgjohet në seancë në gjyqin e themelit. Nën statusin e dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja rrëfen se si u kërcënua për të dhuruar 30 përqind të ish hotel Vollgës dhe se si u gjobit në disa episode.
Vetëm ndaj Emiliano Shullazit prokuroria ka ngritur nëntë akuza që nga grupi i strukturuar kriminal, kryerje e veprave në kuadër të grupit, gjobëvënie në tre episode, shkatërrim prone me eksploziv në dy raste dhe kanosje për shkak të detyrës në dy raste.