Politika

PS, Dade kërkon analizë për ministrat e akuzuar nga opozita

eeeeeKryesocialisti shmang përballjen në grup – Edhe pse ishte parashikuar që kreu i PS-së, Edi Rama, të drejtonte mbledhjen e parë të grupit parlamentar, ai në fakt nuk ka qenë i pranishëm në seli dhe kjo ka bërë që protestuesit, të cilët ishin mbledhur përpara selisë, të largoheshin. Rama ka shkuar në selinë rozë pasditen e djeshme, ku dhe ka vijuar me takimet e përjavshme me koordinatorët socialistë për gjashtë rajonet, kjo në kuadër të zgjedhjeve brenda partisë.

Koordinatori Kokëdhima mungon – Koordinatori i qarqeve Vlorë-Gjirokastër, Koço Kokëdhima, i cili ka qenë në fokus të debateve të brendshme të partisë në kuadër të riorganizimit dhe zgjerimit të saj, ka munguar në mbledhjen e grupit. Deputeti i Vlorës, Fatmir Toçi, ka bërë me dije se çdo kritikë të bërë dje në drejtim të Kokëdhimës do ta përsërisë edhe në mbledhjet e ardhshme mes deputetëve të majtë.

Nga ARTEMISA HOXHA

Mbledhja e parë e grupit parlamentar socialist për sesionin e ri ka nisur me debate dhe kritika jo vetëm për ecurinë e procesit të riorganizimit në të cilën ndodhet e majta, por edhe të qeverisjes së vendit, ku PS-ja dominon me numrin e ministrave. Kritikat mbi mungesën e një raportimi të një analize nga ana e ministrave të qeverisë kanë ardhur nga deputetja Arta Dade, e cila ka parë me vend që në fillim të vitit të kenë edhe një panoramë të përgjithshme për ecurinë e qeverisë në kuadër të programit të premtuar nga partia. Ministrat e kabinetit qeveritar, sipas saj, nuk duhet të nxjerrin në dritë punën e tyre vetëm falë akuzave të përditshme të opozitës. “Jemi në një moment kur pothuajse të gjithë ministrat janë në fokusin e akuzave të opozitës, prandaj e shikoj të udhës që ministrat të vijnë përpara nesh e të na thonë se çfarë është përmbushur nga programi ynë qeverisës”, ka thënë Dade. Gjithsesi, burime pranë së majtës bëjnë me dije se ministri Ilir Beqaj, në kuadrin e sekretarit të programit qeverisës dhe ai i Transporteve, Edmond Haxhinasto, kanë hartuar një material mbi gjitha raportimet e përmuajshme të çdo ministrie, i cili pritet që të diskutohet në një mbledhje të përbashkët mes aleatëve në qeverisje, për të parë kështu premtimet që ende nuk janë përmbushur nga qeveria. “Unë dhe ti zonja Dade jemi nga më të vjetrit në këtë parti dhe një analizë e tillë në bllok e ministrave nuk ka ndodhur ndonjëherë. Megjithatë jemi të hapur për çdo shqetësim të deputetëve le të vijnë ministrat sipas problematikës dhe të japin shpjegime”, i është përgjigjur Ruçi, deputetes Dade. Por në një linjë tjetër e ka përqendrua diskutimin e mbledhjes së grupit, deputeti i Qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi. Socialisti Toçi ka shpërthyer në kritika ndaj kolegut Koço Kokëdhima, i cili është njëherësh edhe koordinator i Vlorës dhe Gjirokastrës për procesin zgjedhor brenda partisë. Duke e konsideruar si “komisarin e Jugut”, që ka marrë në dorë kontrollin e gjithë partisë dhe vendos vetë për gjithçka, deputeti Toçi ka kërkuar që ndikimi i Kokëdhimës të reduktohet. “Ai është kthyer në beun e Jugut, duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zonës. Nuk mund të marrë Koçua në dorë të gjithë partinë. Është bërë si Ali Pashai i Tepelenës. Ndërsa Aliu e pushtoi Jugun, Koços po ia falin. Nuk e di se kush, por duket që po ia falin hapur. Po kërkon të bëjë parti me sekretare dhe drejtorë. Për çdo emërim duhet më parë të merret leja e tij. Nuk është kjo që ne kemi dashur të bëjmë për qarkun tonë”, i është drejtuar Toçi, kreut të grupit parlamentar socialist, duke e fajësuar koordinatorin Kokëdhima për vonesat në zgjedhjet në Partinë Socialiste për Qarkun Gjirokastër-Vlorë. Por, duke marrë shkak se deputeti Kokëdhima nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e parë të grupit parlamentar, Ruçi i ka kërkuar Toçit që të rezervojë akuzat në mungesë të kolegut dhe gjithçka të zgjidhet mes deputetëve të dy qarqeve që, sipas tij, janë më mbrapa në procesin zgjedhor brenda partisë. “Nuk është etike të flasim për çështje kur kolegu deputet nuk është mes nesh. Ju, në territorin që mbuloni, jeni inekzistentë në zbatim të vendimit të Asamblesë Kombëtare. Ju të gjithë deputetët e Qarkut Vlorë, Gjirokastër jeni jashtë linjës. Keni shmangur me apo pa dashje vendimet e Asamblesë. Përgjegjësia për mbajtjen peng të zgjedhjeve në Vlorë dhe Gjirokastër është juaja, e të gjithë deputetëve të zonës”, ka thënë Ruçi. Ndër të tjera, ai ka kërkuar me urgjencë nga deputetët e Qarkut Gjirokastër-Vlorë të procedojnë me shpejtësi ashtu siç ka lënë detyra Asambleja.

Pjesëmarrja në Kuvend

Por që në fillim të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar e ka përqendruar fjalimin e tiji pikërisht në një thirrje për deputetët, të cilët, sipas tij, duhet të përkushtohen më së shumti në komisionet parlamentare apo dhe vetë seanca plenare, ku në shumë raste, mazhoranca për mungesë votash është detyruar të shtyjë votimin e ligjeve. Konkretisht, ligjet që kërkonin një shumicë të cilësuar votash, 84 vota të deputetëve. Por, nga ana tjetër, puna e deputetëve për kreun e grupit parlamentar socialist, duhet të jetë jo vetëm në axhendën parlamentare, por dhe jashtë saj, në bazën socialiste. Kjo, për të ndikuar sa më shumë në anëtarësimet e reja në parti, por që do të vlejnë edhe për zgjedhjet e ardhshme.

Debatet në grupin e PS

Dade: Unë kam një kërkesë të nderuar deputet. Jemi në një moment kur pothuajse të gjithë ministrat janë në fokusin e akuzave të opozitës, prandaj e shikoj të udhës që ministrat të vijnë përpara nesh e të na thonë se çfarë është përmbushur nga programi ynë qeverisës.

Ruçi: Unë dhe ti zonja Dade jemi nga më të vjetrit në këtë parti dhe një analizë e tillë e ministrave në bllok nuk ka ndodhur ndonjëherë. Megjithatë jemi të hapur për çdo shqetësim të deputetëve, të vijnë ministrat sipas problematikës dhe të japin shpjegime.

Toçi: Meqenëse u hap diskutimi për punën e ministrave, pse jo të mos ngremë këtu edhe ata të deputetëve në zona të caktuara. Unë flas për qarkun ku dhe jam deputet, ku ajo çfarë kam vënë re është roli që ka marrë koordinatori Koço Kokëdhima. Ai është kthyer në beun e Jugut, duke mos përfillur kolegët, madje nuk i fton në takime të zonës. Nuk mund të marr Koçua në dorë të gjithë partinë. Është bërë si Ali Pashai i Tepelenës. Ndërsa Aliu e pushtoi Jugun, Koços po ia falin. Nuk e di se kush, por duket që po ia falin hapur. Po kërkon të bëjë parti me sekretare dhe drejtorë. Për çdo emërim më parë duhet të merret leja e tij. Nuk është kjo që ne kemi dashur të bëjmë për qarkun tonë. Kjo, për mendimin tim, nuk shkon; në Qarkun e Vlorës ka shumë figura që kanë dhënë kontributin për partinë dhe që ky i ka shmangur. Për të mos folur pastaj për vonesat për procesin zgjedhor. Këto arsye dhe shumë të tjera bien mbi një person, deputetin Kokëdhima.

Ruçi: Nuk është etike të flasim për çështje kur kolegu deputet nuk është mes nesh. Ju në territorin që mbuloni jeni inekzistentë në zbatim të vendimit të Asamblesë Kombëtare. Të gjithë ju deputetët e Qarkut Vlorë, Gjirokastër jeni jashtë linjës. Keni shmangur me apo pa dashje vendimet e Asamblesë. Përgjegjësia për mbajtjen peng të zgjedhjeve në Vlorë dhe Gjirokastër është juaja, e të gjithë deputetëve të zonës. Ajo që dua të them për të gjithë, madje me urgjencë për deputetët e Gjirokastrës dhe Vlorës, është që të procedoni me shpejtësi procesin e riorganizimit të partisë, ashtu siç u është lënë detyrë nga asambleja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button