Pse Ilir Meta shpërtheu tani ndaj kreut të SPAK
Nëse ndiqje për vetëm pak minuta konferencën për shtyp që kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kishte këtë të mërkurë vihej re lehtësisht një shtim i akuzave dhe epiteteve ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.
“Po i them tani Dum-Dumanit! 3 herë me një gazetare që të del ty tek “Metamorfoza”, ke përmendur emrin tim, që po më heton mua për ÇEZ-DIA-n. Ke dërguar dhe njerëz që të iki unë nga Shqipëria. Po pse legen si puna jote jam unë, që të dridhet goja?” – ishin disa nga fjalët me ton të lartë të Ilir Metës që drejtonte gishtin tregues nga kamerat.
Ish-presidenti u përpoq të tregojë se mes tij dhe kreut të Prokurorisë së Posaçme çështja është kthyer në personale.
“Çfarë prokurori je ti? Gjurmon vjehrrën time ti, të mbash peng vjehrrën time, të marrësh peng familjen time, e kujton se do të marrësh Partinë e Lirisë, që t’ja çosh atij torollakut” – akuzoi Meta që përsëriti akuzat për përgjime të paligjshme të në partinë e tij me ata që i quajti “çimkaxhinjtë dhe çimkaxheshat” e Dumanit.
Për Metën, Dumani po përpiqet të asgjësojë pluralizmin politik në Shqipëri.
“Po pse mo palaço, ka Ilir Meta frikë nga burgu yt, dhe amerikanët të tu, si Adriani dhe McGonial? Se dhe Adriani amerikan është. Po Ilir Meta nga burgu, do ta shpërbëjë atë celulë kriminale që është atje, o palaço! Hajde dil në televizor me mua ti, meqë ke vendosur të merresh me politikë!” – ishin deklaratat e forta të Ilir Metës për Altin Dumanin.
Salla u mbush me shigjetime deri në fyerje: “zëdhënës politik i partisë Rilindje”, palaço, injorant, torollak, etj.
Janë të shumtë ata që tani pyesin pse ky shpërthim i Ilir Metës.
Ish-presidenti është duke u hetuar nga SPAK për çështjen e njohur si CEZ-DIA. Për të gjithë ata që e kanë harruar DIA ishte kompania në pronësi të biznesmenit Kastriot Ismailaj që në 2009-ën mori një kontratë për mbledhjen e borxheve të CEZ. Meta akuzohet se ndikoi në lidhjen e marrëveshjes dhe se mes tij dhe Ismailajt ka pasur edhe shkëmbime parash. Ismaliaj u arrestua në 2015-ën dhe në 2017-ën u dënua me 11 vite burg, por u lirua në korrik të 2023 pasi iu llogarit edhe koha e paraburgimit. Për Ilir Metën çështja u rihap në 2019-ën dhe deri tani ai i ka mohuar të gjitha akuzat. Meta thotë se Dumani ka kontaktuar në qeli edhe Kastriot Ismailajn me qëllim kthimin e tij në bashkëpunëtor të drejtësisë.
“Çfarë presim ne, të thuash që ke vajtur 20 herë në burg, në Fier Kastriot Ismalit, për ti thënë më jep dëshmi kundër Ilir Metës? Që të dalësh ti nga burgu, dhe të vijë ai këtu. Se Ilir Meta nuk është kujdesur për ty, ti pse mbron Ilir Metën?” – tha kreu i PL-së.
SPAK është duke hetuar edhe bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi për disa pagesa lobimi në SHBA. Në disa takime informale që Dumani ka pasur me gazetarët është shprehur se çështjet ndaj Metës dhe Kryemadhit janë drejt përfundimit të hetimit.
Këtë zell të Dumanit për të hetuar, Ilir Meta nuk e sheh tek dosjet që prekin Edi Ramën apo Erion Veliaj.
“Nuk ke takat ti të arrestosh Erion Velinë, se ju mbyti me favore, ty dhe atyre të tjerëve. Pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës. Ti nuk ke takat, se je palaço, të thërrasësh Edi Ramën, që ka bërë ato vendime qeverie në kundërshtim të plotë me ligjin. Sepse ti je Prokuror jo i amerikanëve, je Prokuror i Ëngjëll Agaçit!” – tha Meta.
Ndërkombëtarët dalin në krah të Dumanit
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ishte institucioni i parë që doli në mbrojtje të Dumanit. Pas tij edhe ambasadat kryesore në vend.
“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë” – shkroi ambasada e SHBA.
“Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” – e mbështeti Bashkimi Europian.
Reagimi i Monika Kryemadhit
Por ndërsa qëndrimi i ndërkombëtarëve ndaj deklaratave të Metës ishte i kuptueshëm, ajo që nuk pritej ishte mënyra se si e komentoi këtë bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. Në një koment në rrjetet sociale ajo foli për “protagonizëm bosh” të opozitës.
“Shfokusimi nga INCENERATORËT që unë kam kallëzuar me përgjegjësinë e firmës time dhe protagonizmi BOSH janë sot shërbimi më i mirë që mund ti bësh Edi Ramës, Erion Veliaj & Bandës së tyre. Denoncimi me fakte, prova dhe firmë konkrete kundër bandës në qeveri dhe bashki; këto janë tema kryesore që mendoj se duhet të udhëheqin aksionin opozitar.
Gjithashtu, unë besoj se shqiptarët presin nga Opozita ide, vizion dhe propozime konkrete, që ngjallin shpresë dhe besim për popullin shqiptar. Se si do të rrisim mirëqenien dhe sigurinë e tyre. Filmat e vjetër me të njejtin përfundim janë pa interes për shumicën e shqiptarëve” – shkroi ish-kryetarja e LSI-së.
A është kjo një përgjigje edhe për tensionin brenda PL-së ku Meta është angazhuar të largojë nepotizmin nga radhët drejtuese.