Opinion

Pse jam optimist mbi të ardhmen e botës

Autori: Dalai LAMA

The Washington Post

Është përgjegjësia jonë kolektive për të siguruar që shekulli XXI-të të mos përsërisë dhimbjet dhe gjakderdhjet e të shkuarës. Për shkak se natyra e njeriut është në thelb e dhembshur, unë besoj se është e mundur që disa dekada nga tani do të shohim një epokë të paqes – por ne duhet të punojmë së bashku si qytetarë globalë të një planeti të përbashkët.

Kanë kaluar gati 6 dekada qëkur braktisa atdheun tim, Tibetin, dhe u bëra një refugjat. Falë mirësisë së qeverisë dhe popullit të Indisë, ne tibetianët gjetëm një shtëpi të dytë, ku mund të jetojmë me dinjitet dhe në liri, të aftë për të mbajtur gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat tona budiste. Brezi im ka dëshmuar aq shumë dhunë – disa historianë vlerësojnë se më shumë se 200 milionë njerëz janë vrarë në konfliktet e shekullit XX-të.

Aktualisht nuk ka asnjë zgjidhje në horizont ndaj dhunës së tmerrshme në Lindjen e Mesme, e cila në rastin e Sirisë ka çuar në krizën më të madhe të refugjatëve në një gjeneratë. Sulmet e tmerrshme terroriste – të cilat i përjetuam me trishtim këtë fundjavë në SHBA – kanë krijuar një frikë të rrënjosur thellë. Ndërsa është e vështirë të kesh një ndjenjë dëshpërimi dhe mungese shprese, por është edhe më e nevojshme që në vitet e para të shekullit të XXI-të të jemi realistë dhe optimistë.

Ekzistojnë shumë arsye qe ne të jemi shpresëplotë. Njohja e të drejtave universale të njeriut, përfshirë të drejtën për vetëvendosje, është zgjeruar përtej çdo kufiri që mund të imagjinohej një shekull më parë. Ka një konsensus ndërkombëtar në rritje në mbështetje të barazisë gjinore dhe respektit ndaj grave. Veçanërisht në mesin e brezit të ri, gjaslon një refuzim i gjerë ndaj luftës, si një mjet për zgjidhjen e problemeve.

Në të gjithë botën, shumë persona janë duke bërë punë të vlefshme për parandalimin e terrorizmit, duke njohur thellësitë e keqkuptimit dhe idenë përçarëse të “ne” dhe “ata”, që është aq e rrezikshme. Reduktimet e rëndësishme në arsenalin botëror të armëve bërthamore, nënkuptojnë vendosjen e një plani kohor për reduktime të mëtejshme dhe eliminimi përfundimtar i këtyre armëve – një ndjenjë që presidenti Obama e përsëriti kohët e fundit në Hiroshima të Japonisë – nuk duket më thjesht një ëndërr.

Koncepti i fitores absolute në njërën anë dhe humbjes në anën tjetër, është tërësisht i vjetëruar; në disa situata, pas konfliktit, vuajtja rritet në atë shkallë sa që s’mund të përshkruhet dot si luftë apo paqe. Dhuna në mënyrë të pashmangshme shkakton dhunë të mëtejshme. Në fakt, historia ka treguar se rezistenca paqësore nxitet në demokracitë më të qëndrueshme dhe paqësore, dhe është më e suksesshme në largimin e regjimeve autoritare se sa përplasja e dhunshme.

Nuk është thjesht e mjaftueshme të lutemi. Ekzistojnë zgjidhje për shumë nga problemet me të cilat përballemi; duhet të krijohen mekanizma të reja për dialog, së bashku me sistemet e arsimit për të rrënjosur vlerat morale. Këto duhet të bazohet në perspektivën se ne të gjithë i përkasim një familje njerëzore, dhe se së bashku mund të marrin masa për të adresuar sfidat globale.

Është inkurajuese që kemi parë shumë njerëz të zakonshëm në të gjithë botën të shfaqin një dhembshuri të madhe ndaj gjendjes së refugjatëve, nga ata që i kanë shpëtuar nga mbytja në det, tek të tjerët që i kanë siguruar miqësi dhe mbështetje.

Duke qenë vetë një refugjat, kam një ndjeshmëri të madhe për gjendjen e tyre, dhe kur ne shohim ankthin e tyre, duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar. Unë mund të kuptoj frikën e njerëzve në vendet pritëse, të cilët mund të ndjehen të tronditur. Kombinimi i rrethanave tërheq vëmendjen ndaj rëndësisë jetike të veprimit kolektiv, në drejtim të rivendosjes së paqes së vërtetë në territoret prej të cilave largohen këta refugjatë.

Refugjatët tibetianë kanë një përvojë të dorës së parë të jetesës në rrethana të tilla, dhe ndonëse nuk kemi qenë në gjendje të kthehemi në atdheun tonë, jemi mirënjohës për mbështetjen humanitare që kemi marrë ndër dekada nga miqtë, duke përfshirë edhe popullin e Shteteve të Bashkuara. Një burim i mëtejshëm i shpresës, është bashkëpunimi i mirëfilltë ndërmjet kombeve të botës drejt një qëllimi të përbashkët, e treguar qartazi me marrëveshjen e Parisit mbi ndryshimet klimatike.

Kur ngrohja globale kërcënon shëndetin e këtij planeti që është shtëpia jonë e vetme, vetëm duke marrë në konsideratë interesin më të madhe global, do të mund të përmbushen interesat lokale dhe ato kombëtare. Unë kam një lidhje personale me këtë çështje, pasi Tibeti është pllaja më e lartë në botë dhe një epiqendër e ndryshimit të klimës globale, duke u ngrohur gati 3 herë më shpejt se sa pjesa tjetër e botës. Ajo është depoja më e madhe e ujit jashtë dy poleve, dhe burimi i sistemit më të gjerë të lumenjve të Tokës, të cilët janë jetikë për 10 vendet me dendësinë më të madhe të popullsisë në botë.

Për të gjetur zgjidhje për krizën e mjedisit, dhe konfliktet e dhunshme me të cilat përballemi në shekullin XXI-të, ne duhet të kërkojmë përgjigje të reja. Edhe pse jam një murg budist, unë besoj se këto zgjidhje shtrihen përtej fesë, tek promovimi i një koncepti që unë e quaj etika laike. Kjo është një mënyrë për të edukuar veten në bazë të përfundimeve shkencore, përvojës dhe sensit të përbashkët – një qasje më universale për promovimin e vlerave tona të përbashkëta njerëzore.

Gjatë më shumë se tre dekadave të fundit, diskutimet e mia me shkencëtarët, mësuesit dhe punonjësit socialë nga e gjithë bota, kanë nxjerrë në pah shqetësimet e përbashkëta. Për rrjedhojë, kemi zhvilluar një sistem që përfshin edukimin e zemrës, por që është i bazuar në studimin e veprimtarisë së mendjes dhe emocioneve, përmes bursave dhe kërkimit shkencor në vend të praktikave fetare.

Përderisa kemi nevojë për parimet morale – dhembshurinë, respektin për të tjerët, mirësinë, dhe marrjen e përgjegjësive – në çdo fushë të aktivitetit njerëzor, po punojmë për të ndihmuar shkollat dhe universitetet të krijojnë mundësi për të rinjtë që të zhvillojnë një vetë-vetëdije më të madhe, për të mësuar si të menaxhojnë emocionet destruktive dhe kultivojnë aftësitë sociale.

Një trajnim i tillë, është duke u përfshirë në programin e shumë shkollave në Amerikën e Veriut dhe Evropë – unë jam i përfshirë me punën në Universitetin Emory me një kurrikul të re mbi etikën laike, që është duke u futur në disa shkolla në Indi dhe Shtetet e Bashkuara.

Është përgjegjësia jonë kolektive për të siguruar që shekulli XXI-të të mos përsërisë dhimbjet dhe gjakderdhjet e të shkuarës. Për shkak se natyra e njeriut është në thelb e dhembshur, unë besoj se është e mundur që disa dekada nga tani do të shohim një epokë të paqes – por ne duhet të punojmë së bashku si qytetarë globalë të një planeti të përbashkët.

Shënim: Dalai Lama, Tenzin Gyatso, është lideri shpirtëror i Tibetit. Që prej vitit 1959, ai jeton në mërgim në Dharamsala në Indinë veriore.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button