Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë?
Nga Ben Blushi
Edhe për arsye personale e kam dashur shumë Kinostudion.
Festivalin e parë të filmit shqiptar e fitoi një film që babai im e bëri për mua.
Ndoshta nga kjo dobësi filmat e Kinostudios më bënin për të qeshur edhe kur ishin të dobët.
Me gjithë kufizimet ideologjike Kinostudio e luajti rolin e vet : na argëtoi për 50 vjet.
Por edhe kur bënin filma të shpifur rregjisorët e asaj kohe e kishin një justifikim : komunizmi nuk i linte të krijonin vepra më të guximshme.
Të degjeneruarit, spekullantët, tregtarët, të divorcuarit, të pasurit, emigrantët, maniakët, delirantët dhe të sëmurët mendorë nuk mund të ishin personazhe të Kinostudios.
Me shpresë se do shikoja një kinema të re, shkova këto ditë Festivalin e bukur të Filmit dhe u habita.
Njëlloj si në kohën e Kinostudios shumica e filmave të viteve të fundit xhirohen në fshat.
Por në atë kohë në fshat jetonin më shumë se 50 për qind e popullsisë.
Aty prodhohej çdo gjë që hanim dhe me këtë tepricë ushqimore njeriu i ri punonte nëpër ara dhe fabrika.
Natyrisht kinemaja e asaj kohe peshohej me gramaturë ideologjike : pak fshat, më pak qytet dhe shumë luftë që bëhej po në fshat.
Prandaj shumica e filmave të vjetër nuk janë xhiruar në qytete.
Por ndërsa arsyet e rregjisorëve të atyre viteve merrem me mend, nuk kuptoj pse rregjisorët e sotshëm e duan kaq shumë fshatin.
Dekori i filmave të tyre i ngjan një fotografije të varur në muret e kooperativës.
Rrugë të shtrembra, furgona të rrjepur, motorra pa marmitë, mulli kashte, një kafene që shërben dhe si stacion autobuzi, klasa me nxënës pa dhëmbë, raki, cigare, cironka, turshi, njerëz të shëmtuar, gjuhë vulgare, pata, gjela dhe gomerë të paushqyer që duket sikur mbajnë në kurriz gjithë hallet e kombit tonë tekanjoz.
Filmi është një supërmarket i mbushur me produkte fshati.
Dhe meqë në fshat nuk ndodh asgjë gjatë natës, ngjarjet e filmave të rinj zhvillohen vetëm ditën.
Por derisa të kuptosh çfarë po ndodh ka kaluar më shumë se gjysma e filmit e mbushur me dialogje pa kuptim, me kanale, puse, vegla bujqësore dhe lopë që shfaqen në ekran atëherë kur nuk e pret.
Dritarja e shtëpisë së fshatarit nuk hapet që ne të shohim gruan e tij të bukur duke tharë flokët, por kokën e një mushke me sklepa.
Unë vetë e dua shumë fshatin por nuk kuptoj pse e duan kaq shumë rregjisorët shqiptarë.
Ndoshta mendojnë se shkatërrimi,shëmtija,rakija,duhani,duart me kallo dhe peisazhi zooteknik shet më shumë në perëndim.
E kanë gabim.
Filmat më të mëdhenj të botës nuk janë xhiruar në fshat.
Marlon Brando dhe Robert De Niro nuk kanë luajtur kurrë rolin e një fshatari dhe nëse do e bënin nuk do ishin ata që janë.
Fshatar ka qenë vetëm Zapata por edhe ai e bëri revolucionin meksikan që të shkonte në qytet.
Kinemaja është produkt i qytetit.
Në kohën kur fshati vendoste për punët e botës nuk kishte kinema.
Goodfellas nuk ka asnjë fshatar, Taxi Driver i jep taksisë në New Jork, Pulp Fiction i përbuz fshatarët, kurse neorealistët italianë ndryshuan kinemanë kur e nxorrën kameran nga fshati dhe filluan të xhirojnë dramat e qytetit.
Edhe mafiozët e bukur të Godfather ishin qytetarë amerikanë që i përdornin fshatarët sicilianë për të vrarë njëri- tjetrin në ditëlindjen e mamit.
Netflix sot nuk bën filma për jetën në fshat me përjashtim të rasteve kur kriminelët fshihen aty për t’ju mbrojtur policisë që edhe ajo vjen nga qyteti duke i rënë borive të civilizimit.
Filmat e rinj shqiptarë duket sikur kanë urrejtje për qytetin.
Tirana ku jetojnë një milion banorë shfaqet vetëm si karburant furgonash që nisen me një urgjencë të ngadaltë në drejtim të fshatit, në kafenetë ku kalojmë kohën çdo ditë nuk hyn asnjë fshatar, që natyrisht nuk shkon as në plazhet ku ka gjallëri, stil, lluks, rini dhe zhveshje.
Më shumë femra me rrobabanjo ka pasur në filmat e Kinostudios sesa në filmat e sotshëm.
Të merr malli të shohësh një trotuar, një hotel modern, xhama, pasqyra, vitrina, monopatina, banka, burra me kostum, gra mbi taka, kërcim, jetë nate, djem dhe vajza që harbojnë dhe krijojnë aksion, pra vrapojnë pas jetës së përditshme më shumë se fshatarët tanë të dashur.
Për fat të keq asnjë film i ri nuk ka as aksion, as shpejtësi dhe as aventurë.
Kinemaja plotëson nevojën e njerëzve të zakonshëm për t’u frymëzuar nga njerëz të jashtëzakonshëm.
Sipas kutit të vet ideologjik edhe Kinostudio prodhoi një kategori heronjsh të jashtëzakonshëm.
Ata ishin partizanët.
Ata vrisnin, vidhnin armë, vinin bomba, hidhnin në erë makina, i përdornin uniformat gjermane si kostume dasme dhe nganjëherë bënin edhe dashuri.
Në një kuptim ata janë kaubojsat e kinemasë tonë.
Në krahasim me fshatarët e filmave të sotshëm partizanët ishin shumë aventurierë dhe pa diskutim shumë më të bukur.
Kurse në filmat e rinj nuk ka asnjë aventurier që mund ta ndjekësh nga pas dy orë rresht.
Asnjë skenar nuk është distopik, pra shokues, por një realizëm qaraman që beson se ndryshimi i botës do vijë nga fshati.
Edhe vetë fshatarët, kremi i kosit të kinemasë sonë, po të kishin mundësi të zgjidhnin do thoshin aman nuk duam më filma me fshat.
Kjo lloj kinemaje pa aventura luan vetëm një funksion : ju kursen fshatarëve ilacet e gjumit.
Por për fat të keq ajo nuk merr në qafë vetëm fshatarët e shkretë por në rradhë të parë aktorët.
Aktorët janë një histori më vete.
Edhe kur janë të bukur, rregjisorët i rrudhin, i plakin, i kërrusin, i veshin keq, i mbulojnë me thinja dhe i bëjnë të hanë domate, të pinë raki dhe të qelben nga cigaret pa filtër.
Kinemaja i përdor shëmtirat më pak se çdo sektor tjetër i shoqërisë.
Ajo është pasarela e njerëzve të këqinj që duhet të jenë patjetër të bukur.
Nuk njoh ndonjë aktor të madh që të jetë i shëmtuar, por edhe kur qëllon ai është një talent i madh.
Kurse kinemaja jonë i ka shumë qejf njerëzit e shëmtuar.
I shëmtuari kalon vetingun, i bukuri pret ndryshimin e horoskopit artistik.
Megjithatë aktoret femra janë viktimat më të mëdha të manisë së rregjisorëve për të shëmtuar personazhet e tyre.
Rregjisorët nuk lejojnë asnjë femër të pispilloset, të lyhet, të veshë një fustan seksi, t’i japë një makine të re, të shkojë në punë dhe të bëjë jetë nate.
Gratë nëpër filmat e rinj kanë vetëm një rol : të duken si burra.
Ato janë të ngrysura, me zë të trashë, mallkojnë pa pushim, qajnë para dreke, pinë raki dhe nuk dinë të puthin.
Edhe kur bëjnë seks kjo ndodh nëpër stane, në sedilje të grisura ose në furgona të ndyrë.
Dashuria e filmave të rinj është një akt fizik i pështirë që nuk ngrihet dot as në nivelin e filmave jugosllavë që ishin të mbushur me seks të dhunshëm, zakonisht pas drekës.
Nuk e di për cfarë arsyesh, shumica aktorëve që zhubrosen në shkurret e fshatrave tona janë nga Kosova.
Kosovarët luajnë rolin e fshatarëve nga Librazhdi, nga Miloti apo nga Berati.
Kjo është një mesele më vete që i zbon njerëzit nga kinematë, prandaj filmat e rinj nuk shesin asnjë biletë.
Kush do rrinte një orë e gjysëm në kinema për të mos kuptuar asnjë fjalë.
Unë vetë i kuptoj kosovarët kur flasin, i pëlqej shumë kur këndojnë, por nuk i kuptoj fare në film.
Kosovarët kanë një kinema eklektike e cila duket sikur ka dalë nga librat e Anton Pashkut, një shkrimtari të talentuar që shpjegon në tre faqe si punon galexhanti i banjos.
Kinemaja e Kosovës është një zymtësi pa mbarim.
Njëlloj si vaji dhe kripa, kësaj gjelle i mungojnë dy elementë të domosdoshëm : madhështia dhe humori.
Megjithëse e vogël, kinemaja jonë e vjetër ka pasur pak filma madhështorë dhe shumë filma me humor.
Historia i bënte madhështore, skenarët shpërndanin erëzat e humorit, kurse mjeshtëria e aktorëve i jepte dritë.
Kosovarët nuk kanë bërë dot filma madhështorë se kanë jetuar në një shtet represiv që i lejonte të bënin shaka në rrugë, por jo në art.
Kështu është edhe letërsia e tyre, një natë pa mëngjes.
Prandaj aktorët e Kosovës nuk qeshin asnjëherë dhe kur dashurojnë duket sikur do vrasin veten.
Filmat e rinj kanë marrë fizionominë e shkollës kosovare : një dëshpërim që kalohet duke pirë, duke sharë dhe duke folur me malin para se të flesh.
Por filmi nuk është si kënga.
Kosovarizimi i këngëve tona ka qenë sukses, kosovarizimi i filmave është dështim.
Për fat të keq kosovarët po i marrin në qafë rregjisorët e rinj.
Rregjisorët besojnë se duke siguruar një buxhet modest, një fshat të rreckosur dhe një aktor kosovar e kanë mbaruar filmin.
Prandaj nuk konkurrojnë për biletat në kinema, por vetëm për fondet publike.
Sukses quhet atëherë kur bind Qendrën e Filmit dhe jo spektatorin.
Rregjisorët mendojnë si buxhetistë përpara se të mendojnë si artistë.
Meqë shumicën e autorëve të këtyre filmave i kam miq shpresoj që nuk do mërziten.
Ata e kanë në dorë të shuajnë dyshimin tim se shqiptarët nuk dinë të bëjnë tre gjëra : futboll, verë dhe kinema.
Unë i kam qejf të treja prandaj do shkruaj prapë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.