SafeJournalists ngre shqetësimin për mbylljen e adresë së Euronews Albania nga platforma e Meta-s
Rrjeti SafeJournalists ka ngritur shqetësimin për një seri kufizimesh dhe problematikash me aksesin në llogari që kanë prekur mediat, aktivistët dhe zëra të tjerë me interes publik në Shqipëri në platformat e Meta-s.
Sipas SafeJournalists, rastet e raportuara janë shtuar dhe mbeten të paqarta sa i përket shkaqeve dhe kritereve mbi të cilat janë ndërmarrë këto masa.
Rasti më i fundit është regjistruar më 5 shtator, kur llogaria zyrtare në Instagram e Euronews Albania, një prej televizioneve private kombëtare dhe mediave digjitale kryesore në vend, u bë e paaksesueshme.
Po në të njëjtën ditë, probleme me aksesin u raportuan edhe për faqen zyrtare në Facebook të Citizens.al, një media e pavarur që ka ndjekur dhe raportuar në mënyrë të vazhdueshme mbi mobilizimin qytetar, si dhe ka dokumentuar rastet e fundit të kufizimit të llogarive.
SafeJournalists shprehet se këto zhvillime ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si po zbatohen masat e moderimit në platformat e Meta-s dhe ndikimin që ato mund të kenë mbi aksesin e publikut në informacion.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.