Puplat e Dumanit dhe heshtja ndaj Akuzave
Nga Isuf Shehu – Avokat
Sot çdo dyshim mbi pretendimet që qarkulluan në mediat digjitale italiane lidhur me z. Dumani, pas njoftimit për shtyp të #SPAK-ut të datës 04.08.2026, ka marrë një dimension krejt tjetër. Edhe nëse nesër do të provohej se ato pretendime janë të pavërteta ose vetëm pjesërisht të sakta, në optikën e opinionit publik ato tashmë kanë fituar statusin e “së vërtetës”. Ky është paradoksi i komunikimit modern: perceptimi, shumë herë, triumfon mbi faktin.
Pikërisht për këtë arsye më duket i pazakontë njoftimi i SPAK-ut. Në të kaluarën, edhe kur sulmet kanë qenë të drejtuara ndaj institucionit në tërësi, komunikimi publik ka qenë dukshëm më i rezervuar. Ndërsa në këtë rast, pavarësisht qëllimit të autorëve të tij, njoftimi krijoi përshtypjen e një përpjekjeje për të shpjeguar pozitën e një individi, duke krijuar perceptimin sikur të gjithë janë në shërbim të tij. Dhe në komunikimin publik nuk ka aq rëndësi se çfarë kishe ndërmend të thuash; rëndësi ka çfarë kupton publiku.
Ekzistojnë, sipas meje, vetëm dy lexime të mundshme.
I pari është ai i një strategjie komunikimi tepër të sofistikuar: një tekst që, duke synuar formalisht të shfajësojë një person dhe të individualizojë përgjegjësinë diku tjetër, prodhon efektin e kundërt, duke e ekspozuar atë edhe më shumë përballë opinionit publik. Nëse ky efekt ishte i qëllimshëm apo jo, mbetet çështje interpretimi dhe për tu parë, por nëse kjo gjë është e vërtetë lind pyetja: “Përse SPAK kërkon të denigrojë figurën e #Dumanit?”
I dyti është shumë më tokësor: se autorët e njoftimit kanë menduar se po kryenin një akt normal informimi institucional, duke u përqendruar te sintaksa juridike dhe korrektësia formale, pa vlerësuar pasojat që ai tekst do të kishte në psikologjinë e publikut. Historia e komunikimit është plot me shembuj ku një tekst juridikisht i saktë ka rezultuar komunikativisht katastrofik.
Në fund, më vjen ndër mend një metaforë e vjetër: dikush shkundi një jastik me pupla në majë të minaresë dhe doli në qytet me shpresën se do t’i mblidhte të gjitha puplat. Kjo është natyra e informacionit në epokën moderne. Pasi ai shpërndahet, nuk e kontrollon më autori, por publiku. Çdo përpjekje për ta rikthyer, korrigjuar ose orientuar atë zakonisht vjen vonë dhe vjen për keq. Puplat tashmë i ka marrë era.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.