Rregulla të reja për shërbimet e punonjësve publikë jashtë vendit
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin i cili vendos një kuadër të ri rregullator për procedurat, mbulimin e shpenzimeve dhe kompensimin financiar të punonjësve të administratës publike që udhëtojnë me shërbim jashtë Shqipërisë. Akti i ri normativ shfuqizon vendimin e mëparshëm të vitit 2011 dhe përcakton kritere të reja për kategorizimin e hoteleve, mbulimin e transportit, si dhe trajtat e dietave ditore për ushqim.
Vendimi i nënshkruar nga Kryeministri Edi Rama është botuar në Fletoren Zyrtare dhe rekomandohet të zbatohet edhe nga ndërmarrjet shtetërore e shoqëritë tregtare me mbi 50% kapital shtetëror.
Akomodimi në hotele dhe kufizimet e kategorive
Udhëzimi i ri vendos kufizime të diferencuara për shpenzimet e fjetjes në hotel, bazuar në rangun e funksionit zyrtar. Akomodimi në hotele me 5 yje u lejohet vetëm personaliteteve të larta (Kategoritë 1 dhe 2), ndërsa për nivelet e tjera drejtuese dhe punonjësit zbatohen kufizime prej 3 deri në 4 yje. Përjashtim bëjnë vetëm punonjësit e Gardës së Republikës që shoqërojnë personalitetet, të cilët akomodohen në të njëjtin mjedis me personin që ruajnë.
Gjithashtu, vendimi përcakton qartë edhe shpenzimet e transportit të mbuluara nga buxheti i shtetit.
“Shpenzimet për dërgimin me shërbim jashtë vendit përfshijnë: shpenzimet e transportit për vajtje-ardhje, transportin nga vendi i nisjes deri në aeroport dhe nga aeroporti në destinacion, lëvizjet ndërmjet qyteteve brenda shtetit pritës për nevoja pune, si dhe tarifat rrugore.”, thuhet në vendim.
Dietat ditore dhe trajnimet afatshkurtra
Për mbulimin e shpenzimeve ushqimore, vendimi vendos një tabelë të re të kompensimit ditor në euro ose dollarë, të ndarë sipas tri grupe shtetesh dhe pesë kategorive të funksioneve. Titullarët më të lartë të shtetit do të përfitojnë nga 120 deri në 150 euro/USD në ditë, ndërsa për kategorinë e nëpunësve të thjeshtë dieta ditore shkon nga 45 deri në 55 euro/USD.
Për trajnimet me kohëzgjatje deri në një muaj, është caktuar një tarifë fikse ditore për ushqim.
“Përjashtimisht, për punonjësit që dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra, masa e shpenzimit ushqimor është 40 euro/USD në ditë, në rastet kur kjo nuk mbulohet nga pala pritëse.”, thuhet në kreun II, Pika 1.4 e vendimit.
Procedura e paradhënies dhe rrethanat madhore
Sipas rregullave të reja, punonjësit që dërgohen me shërbim do të marrin një paradhënie në llogarinë e tyre bankare përpara nisjes, ndërsa biletat e udhëtimit dhe hoteli sigurohen drejtpërdrejt nga njësia përgjegjëse e institucionit. Nëse shërbimi ndërpritet për shkak të rrethanave të paparashikuara (si sëmundje, anulim i aktivitetit apo fatkeqësi natyrore), të gjitha shpenzimet e kryera deri në atë moment do të përballohen nga buxheti i shtetit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.