Politika

Qëndrimet e Metës, raportuesja për Shqipërinë në PE: Nuk është momenti për t’u ndarë, moment i rëndësishëm për vendin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetja, Isabel Santos u shpreh sot në një konferencë për mediet se, “ky nuk është momenti për t’u ndarë, pasi jemi përpara një hapi tepër të rëndësishëm për vendin”.

E pyetur mbi deklaratat e presidentit Meta për grusht shteti dhe nëse kjo e vështirëson rrugën e Shqipërisë drejt BE, Santos tha se, “gjatë kësaj vizite do të përpiqem të mos komentoj rreth marrëdhënieve të brendshme apo për politikën e brendshme të Shqipërisë, por ky është një moment për të qenë të bashkuar. Nuk është momenti për t’u ndarë. Jemi përpara një hapi tepër të rëndësishëm për vendin. Prandaj i bëj thirrje aktorëve politikë. Ia kam shpjeguar kujtdo rëndësinë e këtij momenti. Është me përgjegjësi të madhe për këdo. Askush nuk mund të thotë që përgjegjësia është vetëm e BE. Jo. Është përgjegjësia e BE, por edhe përgjegjësia e aktorëve politikë në këtë vend. Prandaj, thirrja ime është për bashkim për t’u përballur me këtë objektiv dhe për të përmbushur kriteret që i janë vendosur vendit. Të përmbushni të gjitha reformat. I bëj thirrje forcave politike që të futen në dialog, të dialogojnë, të përmbushin të gjitha reformat që janë shumë të rëndësishme”.

“Procesi i zgjerimit ka një rëndësi të madhe për BE, por edhe për Shqipërinë. Do të vazhdojmë me reformat në kuadër të progresit. Do të vij disa herë të tjera në Shqipëri, do të flasim me të gjithë aktorët politikë, shoqërinë civile, medien, do të ndjekim ritmin e reformave, të jeni të sigurt për këtë. Këto reforma janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për integrimin në BE, por edhe për qytetarët tuaj”, tha Santos.

Ajo shtoi se, “shqiptarët duhet të vijojnë me zbatimin e reformave, jo vetëm për Reformën në Drejtësi, por edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është e rëndësishme që të përmbushim reformën zgjedhore”.

“Siç e kanë treguar zhvillimet e fundit shqiptarët mund të mbështeten gjithmonë tek BE. Sa i përket tërmetit BE ishte e shpejtë në dërgimin e ndihmës. Ishim në terren që në momentin e parë duke ndihmuar ata që kishin nevojë dhe mund të ruajmë ata që mund të ruheshin. Konferenca e Donatorëve gjithashtu ishte mjaft e rëndësishme. Përpjekjet e bëra nga Shqipëria gjatë viteve të fundit kanë luajtur rol të rëndësishëm në solidaritetin e treguar këtë javë. Unë isha aty dhe ishte emocionuese të shihja vende të ndryshme që po vepronin. Ishte fantastike të shihje kaq shumë vende që treguan këtë masë solidariteti. Kjo nuk ndodh shumë shpesh, në fakt ishin hapa dhe sinjale mjaft të mira që dhe Shqipëria po ecën përpara. Ishte një lëvizje e madhe uniteti”, tha Santos.

“Objektivi i Shqipërisë është të ecë përpara në procesin e integrimit në BE. Tashmë është koha për të bashkuar forcat dhe për ta arritur këtë. Është momenti i unitetit. Nuk ka vend për diskutime, është momenti për unitet. Unë do të mbroj procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, do të ngre zërin për Shqipërinë, do të bëj gjithçka mundem nga ana ime për këtë. Ky është momenti dhe duhet të ecim përpara”, tha Santos.

Santos bëri thirrje për vijimin e reformave me dialog pasi u shpreh ajo, “të vijojmë të ecim përpara për atë që është në interes të popullit shqiptar. Sipas sondazhit që u bë në vendin tuaj, 95% e shqiptarëve duan që të jenë pjesë e BE. Politikanët duhet të kuptojnë se çfarë është në interes të popullit dhe kjo është mbi interesat tona. I bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë për bashkim dhe dialog”.

E pyetur nëse duhet marrë parasysh kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme pas miratimit të reformës zgjedhore, Santos tha se, “ai është një vendim që duhet të merret nga aktorët politikë në Shqipëri. Duhet të vijoni me reformën zgjedhore. Ky vend duhet të bëjë reformën zgjedhore në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Ky është hapi i parë. Hapi i dytë, sa i përket zgjedhjeve, është një vendim që duhet ta ndërmarrin aktorët politikë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button