Ekonomia

Qeveria ndan 122 milionë euro për gjashtë qytete

Rruget-320x214Fondi

Mes projekteve, rruga nga Porcelani në Surrel, ku po ngre vilën Rama, si dhe rruga e Gjirit të Lalëzit

Nga Zamir Alushi

Qeveria rishpërndan 169,5 milionë lekë (afro 122 milionë euro), një fond që është aneks i buxhetit 2014. Nga këto para që menaxhohen nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve, i drejtuar nga vetë Kryeministri Rama, një pjesë do të shkojnë për rrugën e shtëpisë së Ramës në Surrel. Nga një vendim i datës 23 shtator 2014, që rishikon tabelat e miratuara që në fund të vitit 2013, të detajuara më pas në gusht 2014, mësojmë se cilat projekte do të financohen. Dokumenti titullohet: Për një ndryshim në vendimin e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve “Për shpërndarjen e fondit për infrastrukturën vendore, pjesë e fondit për zhvillimin e rajoneve”. Sipas vendimit, 94 milionë lekë për këtë vit do t’u jepen qarqeve Lezhë, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Tiranë, Durrës, ndërsa për vitin 2015, për vazhdimin e këtyre projekteve janë të përcaktuara edhe 533,1 milionë lekë të tjera. Projekti i parë në Lezhë është rikonstruksioni “Ura e Pazarit-Varrezat publike”, Unaza e Madhe, ku do të investohen brenda këtij viti mbi 13 milionë lekë. Projekti tjetër është rikonstruksioni i lulishtes në qendër të Lezhës, ku do të hidhen rreth 638 mijë lekë. Kurse rehabilitimi i fasadave në bulevardin kryesor të Beratit do të marrë rreth 7 milionë lekë. Në Gjirokastër, për rehabilitimin e rrugës “Rrapo Çela”, rrugës hyrëse të qytetit dhe rrugës “Rrashid Brahimi” do të investohen 7.5 milionë lekë. Një projekt në Vlorë për rikonstruksionin dhe rehabilitimin e fasadave, ndërhyrje në fshatin Kudhës, kushton 2.4 milionë lekë. Ndërsa rikonstruksionit të rrugës Porcelan-Kinostudio-fshati Surrel (Dajt) i jepen 57.4 milionë lekë. Pra, më tepër se gjysma e fondit shkon për rrugën e shkatërruar që të çon në fshatin ku Kryeministri po ndërton një vilë. Nga ky fond do të ndërtohet gjithshtu një rrugë në Gjirin e Lalëzit, ku kanë rezidencat Berisha, Meta dhe politikanë të tjerë. Janë 3.3 milionë lekë që do të hidhen për riparimin e rrugës së Gjirit të Lalëzit (asfaltim nga Maminasi në Shën Pjetër). Edhe kjo rrugë do të vazhdojë të ndërtohet në vitin 2015. Ndërkaq, brenda këtij viti do të nisin dy projekte gjelbërimi që kushtojnë 33.5 milionë lekë: Lungomarja në Vlorë, gjelbërimi i parkut të Liqenit të Tiranës. Ndërsa, do të investohen plot 42 milionë lekë në projektin “Krijimi i sistemit të të dhënave gjeohapësinore për mbështetjen e zhvillimit dhe menaxhimit rajonal, faza e parë”. Në vendim shpjegohet se 34.4 milionë lekë nga shuma që rishpërndahet, kishin mbetur pa u përdorur nga viti 2013 për arsye të mosprokurimit të projekteve. Këto para shkojnë për projektet “Rivitalizim urban i dy shesheve në Tiranë: 1. Rehabilitimi i hapësirave urbane pranë Teatrit të Kukullave dhe lidhja me rrugën ‘Ibrahim Rrugova’; 2. Rehabilitimi dhe sistemimi urban në hapësirën midis Ministrisë së Punëve të Brendshme, MZHUT-së, MTI-së, Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të Komedisë”.

Tenderët

KLSH kallëzon ish-drejtorin e Portit të Sarandës dhe kreun e Komunës Golem

KLSH-ja ka kallëzuar në prokurori ish-drejtorin e Portit të Sarandës për shkelje të dispozitave ligjore në tenderët për investime dhe në dhënien me qira të ambienteve. KLSH-ja ka rekomanduar 37 masa organizative dhe gjashtë masa për shpërblim dëmi në vlerën 3 928 224 lekë. Gjithashtu, KLSH-ja i ka kërkuar Këshillit Mbikëqyrës të Portit Sarandë largimin nga puna të drejtorit aktual të portit, pasi ka lidhur kontrata me tragetet e linjës, pa përcaktuar në asnjë rast sanksione për likuidimin e detyrimeve në kohë. Po ashtu, KLSH-ja ka kallëzuar në prokurori kryetarin e Komunës Golem, Kavajë dhe ish-kryeinspektoren e INUK-ut. Nga auditimi për periudhën 2012-2013, është konstatuar se nga zyrtarët e mësipërm është shkaktuar dëmi ekonomik në vlerën 57.4 milionë lekë ose rreth 570 mijë dollarë në këtë komunë.

Kreditë

IFC nis në Shqipëri programin trevjeçar për zgjidhjen e borxheve

Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), anëtar i grupit të Bankës Botërore, njofton se nisi një program trevjeçar për zgjidhjen e borxhit në Shqipëri. Programi pritet të zvogëlojë rrezikun e huave me probleme dhe të çojë në rritjen e kreditimit në Shqipëri, tha IFC në një njoftim për shtyp. “Deri në fund të tremujorit të dytë të vitit 2014, raporti i kredive me probleme [NPL] në portofolat e bankave në Shqipëri ka arritur në 23.9%, ose 69000000000 lekë [670 000 000 dollarë / euro 492 900 000]“, tha IFC, duke shtuar se shkalla e NPL-ve në Shqipëri është bërë një nga më të lartat në rajon dhe kjo rritje e kredive me probleme ka minuar të ardhurat e bankave, kapitalizimin, si dhe aftësinë e gatishmërinë e tyre për të zgjeruar kredinë e re në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button