Ekonomia

Qeveria para zgjedhjeve rriti shpenzimet për paga e koncesione i uli për investimet kapitale

Performanca e shpenzimeve buxhetore është përkeqësuar më tej ketë gjashtëmujor teksa nga të dhënat zyrtarë të Ministrisë së Financave shihet se, janë ulur shpenzimet për investime dhe janë rritur shpenzimet për pushtetin lokal të nxitura prej votimeve për pushtetin lokal. Janë rritur njëkohësisht dhe shpenzimet për paga, ndërsa për herë të parë këtë vit buxheti ka kaluar me deficit, teksa shpenzimet u rritën me ritme më të larta sesa të ardhurat.

Në periudhën janar-qershor buxheti i shtetit shpenzoi 228,7 miliardë lekë me një rritje me 6.2 në raport me faktin e vitit 2018, ndërsa në raport me planin ato ishin 0,46% më të ulëta.

Në raport me një vitin 2018 shpenzimet kapitale ishin rreth 15 milionë euro më të ulëta ose  6.2 për qind, ndërsa në raportin më planin e periudhës ato ishin 14.3% më të ulëta.

Shpenzimet operative, të mirëmbajtjes, një pjesë e të cilave shkojnë për pagesat e koncesioneve në shëndetësi, shërbimi i skanimit etj kanë pasur tejkalimin më të madh ndaj planit, me 2.8 miliardë lekë më shumë, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm u zgjeruan me gati 17%.

Koncesione të tilla si ato në shëndetësi, Check-Up, shërbimi laboratorik, shërbimi i dializës, të cilat aktualisht paguhen me fonde buxhetore por në vlera shumë më të larta se kur ata ofroheshin nga shteti. Fondet shtesë për këto shërbime akomodohen nga shpenzimet kapitale.

Votimet për pushtetin vendor nxitën shpenzimet më shumë se plani për buxhetin vendor, që qeveria qendrore ia kalon lokales në formën e transfertave të kushtëzuara apo të pakushtëzuara. Nga 28,5 miliardë lekë të parashikuara u shpenzuar 28,6 miliardë lekë, teksa në raport me faktin e një viti më parë u shpenzuar 10 për qind më shumë.

Gjithashtu në këtë periudhë panë rritje jo të zakontë si në raport me faktin dhe planin edhe shpenzimet operative. Të dhënat tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të vitit 2019 u shpenzuan 21,6 miliardë lekë më rritje 16 për qind me faktin e vitit 2008 dhe 13 % mbi planin e vitit 2019. Shepnzimet për paga u rritën me 4.1%, dhe ishin 830 milionë lekë më shumë sesa plani i fillim vitit.

Gjatë gjysmës së parë të vitit u vunë re rritje e shpenzimeve për interesat e borxhit me rreth 6.7 për qind në krahasim me një vit më parë dhe rritje e shpenzimeve korente me 8.2 për qind më shumë se fakti i 2018 dhe 2,3 për qind më shumë se plani i periudhës.

Ecuria e shpenzimeve në gjashtëmujorin e parë tregon rënie në zërat që nxisin produktivitetin të tilla si shpenzimet kapitale.

Shpenzimet më të larta se të ardhurat, kalohet në deficit në qershor

Gjatë vitit të kaluar dhe muajve të parë të këtij viti, financat kanë qenë të kujdesshme me shpenzimet, duke kompensuar rritjen e të ardhurave nën planifikim. Si rrjedhojë, në pesë muajt e parë të vitit buxheti ka rezultuar me suficit, me shpenzimet që kanë qenë më të ulëta sesa të ardhurat. Kjo tendencë është kthyer në qershor, ku buxheti rezultoi me një defitit prej 3.3 miliardë lekësh.

Të ardhurat që janë mbledhur nga tatimet, doganat, sigurimet shoqërore e të tjera në 6 muajt e parë të vitit ishin 225.5 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Në raport me të njëtën periudhë të një viti më parë, këto të ardhura janë rritur me 3.9% (+8.4 miliardë lekë), të ndihmuara nga tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, taksat vendore, kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërsa TVSh është zëri me rendimentin më negative në buxhet në gjysmën e parë të këtij viti.

Në raport me planin, të ardhurat janë 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak, që mungojnë nga planifikimi fillestar i buxhetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button