Qeveria propozon Olta Rushajn për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm që lidhet me plotësimin e vakancave në organin më të lartë drejtues dhe vendimmarrës të institucionit qendror financiar në vend.
Me propozim të Kryeministrit, Qeveria ka vendosur t’i përcjellë zyrtarisht Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kandidaturën e Olta Rushajt, për t’u zgjedhur si anëtare e re e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Vendimi qeveritar mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës dhe në ligjin organik “Për Bankën e Shqipërisë” (ligji nr. 8269, i vitit 1997). Ky akt ka hyrë në fuqi menjëherë dhe i hap rrugë procedurave parlamentare për emërimin e saj.
Sipas legjislacionit në fuqi, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi me mandate 7-vjeçare. Propozimet për anëtarët ndahen mes institucioneve: Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe vetë Këshilli Mbikëqyrës.
Tashmë, fjala e fundit i takon parlamentit. Rushaj pritet të kalojë procesin e dëgjesave në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku do të prezantojë vizionin e saj, përpara se emri t’i nënshtrohet votimit përfundimtar në seancë plenare.
/rtsh.al/
The post Qeveria propozon Olta Rushajn për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.