Bota

Qipro, merr pengje e devijon avionin… për të takuar ish-bashkëshorten

Një avion i linjës ajrore egjiptjane “EgyptAir”, i nisur nga Aleksandria drejt Kajros, bëri ulje të detyruar mëngjesin e sotëm në Aeroportin e Larnakas, në Qipro. Ngjarja pushtoi menjëherë vëmendjen e mediave botërore, që pohuan shumë shpejt se ishte një person i armatosur, ai që po shkaktonte trazirat në bordin e “Airbusit A320”.

Nga raportet e tyre rezulton se, fluturimi “MS181” u devijua prej një pasagjeri, që deklaron se mban në trup një brez me eksplozivë. Burri, për të cilin disa media pretendojnë se quhet Seif El Din Mustafa dhe është shtetas egjiptian, thuhet të ketë kërkuar një takim me ish-bashkëshorten e tij qipriote, e ka spekulime se ai kërkon azil.

Ndërsa zyrtarisht identiteti i burrit nuk është konfirmuar, burime qeveritare dhe policore pohojnë se, gruaja që ai kërkon të kontaktojë po dërgohet në aeroport. “EgyptAir” sqaroi nga ana tjetër se, falë negociatave me rrëmbyesin në Aeroportin e Larnakas u arrit lirimi i pjesës dërrmuese të personave në bord, me përjashtim të anëtarëve të ekuipazhit dhe 4 pasagjerëve të huaj.

Episodi nuk ka asnjë lidhje me terrorizmin, i tha reporterëve Presidenti qipriot Nicos Anastasiades. “Airbusi” kishte 81 pasagjerë në bord, ndër të cilët 8 amerikanë, 4 britanikë, 4 holandezë, dy belgë dhe një italian. Në deklaratën e Ministrisë egjiptjane të Aviacionit Civil thuhet se, piloti ua ka bërë me dije pasagjerëve, që dikush në atë fluturim kishte në trup një brez me eksplozivë dhe se, e kishte detyruar ta ulte mjetin në Larnaka.

Aeroporti në bregun jugor të Qipros është mbyllur dhe të gjitha fluturimet e atjeshme janë devijuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button