Qosja: Rankovici e Milloshevici arrestonin me të njëjtin arsyetim – indoktrinimin
Në një intervistë për Gazeta Shqiptare, akademiku Rexhep Qosja, ndër tjerash ka folur edhe për arrestimet e hoxhallarëve.
Në pyetjen se si i interpreton ai arrestimet e imamëve në Kosovë, përgjigja e Qosjes ka qenë:
Jam me mendje e me zemër kundër shkuarjes së shqiptarëve në luftërat e të ashtuquajturit ISIS në Irak e në Siri apo kudo qoftë tjetër në Lindje të Mesme.
Dhe jam me mendje e me zemër për marrjen e masave ligjore kundër atyre që shkojnë edhe të atyre që marrin pjesë në financimin e dërgimit të tillë të shqiptarëve në atë luftë.
Por, sa, e si, e përse mund të jenë të fajshëm imamët e burgosur apo ata 42 shqiptarët e tjerë kosovarë për të ashtuquajturin radikalizëm fetar, si po e quajnë vetëdijen e tejshquar fetare njerëz të politikës dhe analistë dhe për shkuarjen e një numri të rinjsh shqiptarë në luftën e ISIS-it në Siri e në Irak e ku tjetër në Lindje të Mesme, unë nuk mund ta di: këtë do ta thonë prokurorët dhe gjykatat.
Para katër-pesë ditësh dy imamë prej Mitrovicës prokuroi përkatës i liroi për t’u mbrojtur në liri, sipas të gjitha gjasave i liroi të pafajshëm.
Para dy ditësh, edhe njëzet të tjerë nga ata 42 të arrestuarit, po ashtu, u liruan për t’u mbrojtur në liri, d.m.th. u liruan të pafajshëm.
Çka do të thonë këto burgosje dhe këto lirime? Ndoshta e gjithë kjo domethënë se në këto burgosje pothuaj të menjëhershme, në të vërtetë të dyhershme ka ligj, ka shtet – çka është e arsyeshme, por ka edhe politikë, politikë staliniste arrivistësh poltronë – çka është e paarsyeshme.
Unë, si intelektual me bindje demokratike, që mbroj me shkrim prej shumë kohësh, i arsyetoj burgosjet e gjithë atyre që në çfarëdo mënyre financojnë dërgimin e shqiptarëve në luftën e ISIS-it në Siri e në Irak apo kudo tjetër, por nuk i arsyetoj burgosjet për shkak të të ashtuquajturit indoktrinim fetar.
Shpjegimet e para me të cilat u arsyetua burgosja e imamëve dhe e një numri nga ata 42 shqiptarët e burgosur para tyre bazoheshin në indoktrinimin: kanë nxitur, u tha, mosdurimin fetar e kombëtar; janë marrë me ekstremizëm fetar; disa janë marrë edhe me terrorizëm.
Jemi mësuar të na burgosin Rankoviçi dhe Millosheviçi, me Ali Shukrinë, Kolë Shirokën dhe Sinan Hasanin për indoktrinim nacionalist dhe irredentist, por nuk kam pritur se shqiptarët edhe në demokraci do të burgosen për indoktrinim: tani për indoktrinim fetar!
E dëgjova akuzën për burgosjen e kryetarit të LISBA-s, Fuad Ramiqit, të cilin nuk e njoh sepse nuk e kam takuar kurrë, me ç’rast u tha se ai po burgosej për shkak se po ftonte për rezistencë! Kaq. Nuk u tha për çfarë rezistence dhe kundër kujt rezistencë.
Jemi mësuar që në Jugosllavinë komuniste të na burgosin Rankoviçi, Millosheviçi, Ali Shukria, Kolë Shiroka dhe Sinan Hasani për protesta, demonstrata, greva, që i quanin rezistencë kundër Jugosllavisë.
Adem Demaçi, unë e disa veprimtarë të tjerë politikë, pas rënies së komunizmit kemi kërkuar rezistencë aktive, madje luftë kundër pushtimit serb, po Millosheviçi nuk na ka burgosur. Thirrjet tona për rezistencë, luftë quheshin delikt verbal, që s’trajtohej vepër penale pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Por nuk kam pritur që në Kosovën e quajtur demokratike do të burgoset ndonjë shqiptar a qytetar tjetër për thirrje gojore për rezistencë. Ku jetojmë ne? Në Kosovën demokratike, qoftë edhe rurale demokratike, apo në Kosovën komuniste? Arkitekti a piktori a skulptori, Maks Velo, më shumë herë deri tani, ka shprehur mosdurimin e tij, në të vërtetë urrejtjen e tij të tejskajshme ndaj shqiptarëve të besimit mysliman dhe shqiptarëve të Veriut!
Por, asnjë zyrtari, në Shqipëri, nuk i ka shkruar dhe nuk i shkon mendja të kërkojë burgosjen e tij për atë delikt foljor. Natyrisht, mos e thëntë Zoti, të më shkojë as mua mendja për burgosjen e tij.