Opinion

Radiografia e aventurës kamikaze të Gaz Bardhit

Nga Ylli Pata

Në një intervistë që zhvilloi në New 24, Gazmend Bardhi, dha një deklaratë, që përcakton qartë politikën që ai ka zhvilluar deri tani, dhe identitetin e tij si politikan i opozitës. Bardhi, deklaroi Mes Sali Berishës dhe Ramës, zgjedh Berishën, mes Sali Berishës dhe një lideri të ri, zgjedh një lider të ri”.

Në fakt, kjo është e gjithë dilema politike, madje dhe drama jo vetëm e opozitës shqiptare, por e të gjithë politikës në përgjithësi.

Për Gazmend Bardhin, Sali Berisha është ende një variant i zgjedhjes politike, ku ai e vendos përballë Edi Ramës. Por gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri, që nga viti 2013, e deri tek data drastike që ka vendosur një kufi të ri, por jo final-25 prilli 2021, shqiptarët kanë votuar Edi Ramën, pikërisht sepse përballë tij si zgjidhje ishte Sali Berisha.

SHBA, si një partner politik kryesor i Shqipërisë, dhe i interesuar realisht për të ndryshuar gjërat për mirë në këtë vend, ja bëri opozitës shqiptare rrugën shumë të lehtë.

Ndëshkoi Sali Berishën dhe familjen e tij me vulën e thatë Non Grata, për tre nga gjërat më të rënda që mund të ketë një lider politik : Korrupsion madhor, minim të demokracisë e pengim të drejtësisë.

Para këtij vendimi të fortë, opozita ishte krejt e çliruar që ta distanconte politikën e saj nga fati personal i liderit të saj historik.

Siç dihet tashmë, opozita hyri në një spirale të gjatë lufte civile reale mes vetes. Një proces katarsisi, i cili natyrisht që ka fazat e tij, e nuk mund të zgjidhet sa hap e mbyll sytë. Por këtu, dallohen apo identifikohen politikanët, vizioni dhe aftësitë e tyre për të lëvizur.

Çfarë ndodhi? Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Doktori, hapi foltoren e nisi luftën për të marrë rreth vetes strukturat e Partisë Demokratike, që nisi me dublimet e Kuvendeve, këshillave kombëtar, e më pas me betejën epike të 8 janarit.

Gazmend Bardhi ka përkrahur Lulzim Bashën në vendimin për ta përjashtuar Sali Berishën, megjithëse nuk dihet nëse vendimi do të merrej në kryesi apo grup, si do të ishte votuar. Në këtë periudhë, Gazmend Bardhi ishte edhe akuzuesi më i madh i Berishës dhe klanit të tij, pasi pati një fushatë deri edhe denigruese ndaj numrit dy të PD-së prej mediave pranë doktorit.

Por gjithçka ka ndryshuar pikërisht pas 8 janarit, kur në Partinë Demokratike nisi të dalë e të forcohet një pushtet i ri, që faktikisht ishte edhe strukturë statutore.

Bëhet fjalë për Kolegjin e Kryetarëve të Partisë Demokratike, përkatësisht krerët e degëve në të gjithë vendin. Ata i siguruan njerëzit që ruajtën selinë e PD-së nga sulmi i 8 janarit, e më pas krejt natyrshëm po ktheheshin në një grupim me më shumë fuqi.

Gazmend Bardhi, edhe pse nuk ka mbajtur një qëndrim publik për fuqizimin e degëve, ai ndërmori një manovër shumë të fortë për të ndaluar avancimin e kryetarëve që po vinin si një kërcënim real për deputetët e Partisë Demokratike.

Bardhi, organizoi një grup të rëndësishëm deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët i kërkuan Lulzim Bashës që të tërhiqet. Ndërkaq, po ky grup bëri thirrje edhe për hapjen rrugë të Sali Berishës, në mënyrë që palët të bashkoheshin dhe të zgjedhnin një lider të ri të opozitës shqiptare.

Sali Berisha tha jo, madje arriti deri aty sa mori siglën e LSI-së që të garonte kundër PD-së në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, që zhvilloheshin vetëm në 6 bashki, nga këto vetëm Shkodra kishte potencial real për tu fituar.

Me këtë veprim, doktori e dinte se kishte kaluar rubikonin, të paktën për ata demokratë që garonin e merrnin pjesë në fushatat zgjedhore në 6 bashkitë. E natyrisht, pjesa më e rëndësishme dhe dramatike e kalimit të këtij rubikoni ishte Shkodra. Përleshja mes demokratëve në zgjedhjet e 6 marsit krijoi një të çarë më të madhe. Por, Berisha, nuk u ndal këtu. Pasi fitoi bashkinë e Shkodrës, duke bërë aleancë të hapur dhe të fshehtë me grupe interesi afër Edi Ramës, siç ishte grupi i Agron Çelës dhe Tom Doshit, filloi spastrimin. Siç është karakteri politik i tij për të luajtur me fatin e kryer, nisi fshesën ndaj të gjithë atyre demokratëve të Shkodrës që ju kundërvunë synimit të tij për të marrë opozitën.

Pikërisht në këtë klimë, pra që të nesërmen e 6 marsit 2022, Gazmend Bardhi, organizon “natën e thikave” në grupin parlamentar të PD-së, ku deputetët, shumica e tyre i kërkoi Lulzim Bashës dorëheqjen menjëherë-aty për aty. Ndër më të zellshmit në këtë mbledhje ishin Grida Duma dhe Ervin Saljanji, ndërkohë që Bardhi e Tabaku, mbështetën kërkesën për dorëheqje por nuk kërcënuan se do të ndërmerrnin veprime drastike si Grida.

Menjëherë pas kësaj mbledhje, Kolegi i kryetarëve të PD-së kërkoi që Basha të qëndrojë në PD, madje i bëri presion të fortë që të mos largohet. Me argumentin, se demokratët e bazës janë të kërcënuar nga një revansh i Sali Berishës dhe grupit të tij.

Siç dihet, Basha u largua, por me një trik, që e ndau edhe më shumë nga Gazmend Bardhi. Kryetari i PD-së i dha të gjitha atributet e tij dhe të drejtimit të grupit, Enkelejd Alibeajt. i cili, ndërkaq mbajti përveçse “nishanet ligjore” të opozitës, edhe lidhjet me degët e Partisë Demokratike në të gjithë vendin.

Degë, që u përfshinë në një sulm të egër nga ana e foltores, ku në disa bashki siç dihet u arrit të zaptohen selitë e PD-së e në disa jo.

Nga 6 marsi, Gazmend Bardhi, por edhe deputetët që kërkuan me forcë largimin e Lulzim Bashës, e panë që tashmë ata janë në mes dhe kanë kundër dy palë; Lulzim Bashën dhe bazën e PD-së që kishte mbetur nga përplasja me foltoren, si dhe Sali Berishën dhe të tijtë, me të cilët ishte ndeshur aq egër në publik.

Rruga që kishin përpara Bardhi dhe deputetët anti-Basha ishte që të nisin një process diskutimi e dialogu me strukturat e PD-së në bazë. Por në vend të Bardhit e deputetëve, që e kanë edhe detyrë funksionale, këtë dialog e vijoi pa ndalur Lulzim Basha, edhe pse ishte larguar si kryetar.

Në këtë situatë zgjedhja për deputetët e padëshiruar nga krerët e degëve nuk ishin shumë. Madje fare pak. Ose të binin në mëshirën e kolegjit të kryetarëve që ishte kthyer në një “Gardë Pretoriane” e Lulzim Bashës, ose të formojnë një grupim politik të ri, duke nisur nga numrat e mëdhenj që kishin brenda Parlamentit. Natyrisht, duke ju referuar zgjedhjeve vendore që po vinin pas një viti.

Por, si Bardhi, ashtu edhe mbështetësit e tij në grupin parlamentar zgjodhën rrugën më të lehtë dhe më pragmatiste. Për të deklasuar dhe rrëzuar Lulzim Bashën e larguar por ende me fuqi, si dhe “Gardën e tij Pretoriane”, Gazmend Bardhi vendosi që të përkrahë Foltoren në zgjedhjet vendore të 14 majit. Madje, duke ndikuar me pushtetin e tij brenda strukturave të PD-së, si kryesia apo grupi parlamentar, që PD të mos dilte me kandidatët e saj në zgjedhjet vendore, por të përkrahin kandidatët e Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Kjo lëvizje e Bardhit nuk ishte aspak budallaqe, por as me ndonjë vizion të studiuar mirë nuk se ishte. Ishte lëvizje më shumë inati sesa pragmatiste tipike. Kjo pasi, nëse “do të ishte djalë” pra do të fitonin kandidatët e foltores, dafinën perandorake do ta vendoste në kokë doktori, i cili në kësi rastesh nuk është bujar në shpërndarje lavdish. E “nëse do të ishte vajzë”, atëherë pasojat do t’i merrte ai që e solli PD në një subjekt pa kandidatë. Pra Gazmend Bardhi, i cili, duhet thënë se luajti dysh-dysh gol-gol” në mënyrë krejt kamikaze.

E vijmë më 14 maj, ku nuk ndodhi ajo që i trembej Gaz Bardhi, por shumë më keq se kaq. Opozita humbi thuajse të gjitha bashkitë që i kishte pasur bastione të palëvizshme për 33 vjet. Natyrisht, PD, të cilën Gaz Bardhi e kishte dërrmuar me vendimin për të mos kandiduar, doli keq, por mbijetoi. Një mbijetesë substanciale, siç ndodh pas një tërmeti apo stuhie të madhe, ku ata që shpëtojnë janë të freskët e motivuar për të rindërtuar nga e para gjithçka u shkatërrua.

E ky grupim që mbijetoi, as më pak e as më shumë se “Garda Pretoriane” mori në dorë situatën, riktheu Lulzim Bashën në krye, e Gazmend Bardhin e deputetët që përkrahën foltoren i quan kundërshtarë. E gjithë loja u mbyll më 14 maj. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, zyrtarisht e humb mandatin këtë të shtunë kur Këshilli Kombëtar të zgjedhë të riun. Lëvizjet që bën Bardhi dhe të gjithë deputetët e tjerë, thjesht i japin një mundësi ajri foltores së izoluar të Berishës, por nuk përbëjnë manovra reale politike. Për të bërë lëvizjen e radhës duhet të presë zgjedhjet e vitit 2025, e aty të vendosë sesi do të rreshtohet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button