Qeveri teknike. E kërkon Berisha, ndaj s’do ndodhi!
Nga Bajram Peçi
Ato 5 pikat, të formuluara si kërkesa nga protestuesit, përfshijnë dorëheqjen e Ramës dhe qeverisë, por nuk kërkojnë qeveri teknike. Nëse protesta, pavarësisht konglomeratit pjesëmarrës, mbetet të emërtohet “Studentore”, edhe po ta kishin si kërkesë një qeveri kujdestare, do ja vlente që palët të uleshin dhe t’i shqyrtonin. Me shumë mundësi edhe pranohej, sdo bëhej qameti po të pranohej? Në momentin që Sali Berisha është ai që e kërkon këtë, (në emër të protestës) kjo sdo ndodhi dhe s’duhet të ndodhi. Ja pse?
Fillimisht Berisha e pa përkrahjen e investimit “Kushner”në Zvërnec si një mundësi për të fituar simpatinë e çiftit, që me shumë gjasa ëndrrash, do i thoshin gjyshit Tramp t’ja pastronin fytyrën nga ndyrësirat që e cilësuan nongrata, “…për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të theksuar, minimit të demokracisë dhe lidhjeve me krimin e organizuar”. Porositi pagesat dhe kuajt e tij të stallës private që të galoponin për të bërë publike përkrahjen e investimit nga partia Berisha. Në pritje të konfirmimit zyrtar prej SHBA, se do i hiqet nongrata, do presim nëse vërtet dhe Britania e Madhe do të bëjë të njëjtën gjë? Pas kësaj do jetë më e thjeshtë të bësh një llogari se sa miliona prej pasurisë publike të vjedhur ju morën këtij populli e vendi të varfër për t’ua dhënë si shpërblim të huajve që ua do puna të hyjnë lirshëm në dyert e pushteteve të mëdha?
Pas disa ditë protestash, nuhatja politike tërhoqi aromat e një mundësie të përsosur, për të kapur pushtetin, pasi pa se në protestë nuk ka figura qendrore drejtuese dhe malkofolësit me mikrofona ishin ithtarë të tij. Ky është momenti kur fillon e përgatit qentë e tij të kopesë së luftës për t’u futur me lehje mes turmës dhe kapur atë. Është po ajo nuhatje intuitive që bëri të kapte drejtimin e protestave studentore të 35 vjetëve më parë, ku nga misionar i Sekretarit të Parë PPSH te këto protesta, u shndërrua në figurë qendrore e protestës studentore. Azem Hajdari u shpall prej tij mbas pak kohe agjent i sigurimit të shtetit.
Ka një problem të madh të pagëlltitshëm për demokratin e madh, minues të demokracisë. Janë thirrjet që duan jo vetëm Ramën të iki, por dhe Berishën, jo vetëm Ramën në burg, por dhe Berishën!? Ende nuk e kanë gjetur zgjidhjen. Intrigantët, karieristët dhe zileqarët gënjeshtarë si Berisha, kurrë nuk mund t’í kuptojnë shtysat nga të cilat veprojnë këto mëndje studentore, prandaj mëndja punon t’u pjelli kundërthënjen e të kapen menjëherë pas tyre. Rrinë veshngrehur në pritje.
Protesta duket qartazi që ambientalistët dhe ambientalizmi janë në hije dhe i kanë lënë sheshin një qëllimi më madhor: Berisha-Rama, shporruni së bashku me partitë tuaja nga politika, mundësisht nga Shqipëria e lodhur prej jush! Se sa e drejtë është kjo, as më përket ta them sepse ende nuk e di, por ajo që di mirë është se, pavarësisht, zemërimit, revoltës popullore, padrejtësisë e korrupsionit, sistemit të shthurrur të rendit e drejtësisë, nuk do jetë masa e protestuesve, kohëzgjatja e tyre, por kutia e votimit që i jep përgjegje! E thotë këtë kushtetuta e jonë dhe e çdo shteti me sistem demokratik.
Në çfardo rrethane u zhvillofshin zgjedhjet e reja, sa kohë nuk ka dalë në forcë e re politike, që t’i japi goditjen e nokautit dy partive të mëdha, Partia Socialiste i ka të fituara ato? Këtë e përcakton prania si kryetar i opozitës, Partisë Demokratike, i Sali Berishës, alergjia ndaj të cilit, emrit, daljet publike dhe aftësisë djallëzore për ta mbajtur gjithë vendin në konflikt, përfshinë shumicën e shqiptarëve.
Edi Rama e di këtë dhe prej kësaj rrjedh pushteti i kohëzgjatur, mëndjemadhësisa, kryelartësia. Para se të rrëmosh dhe t’i gjesh Ramës dobësitë organizativo-drejtuese ose njerëzore, e ke detyrim për periudhën që drejtoi ekzekutivin t’í jesh mirënjohës dhe ta falënderosh për përkushtimin. Nuk është vëndi këtu, në këto pak rreshta të përmendësh gjë, sepse janë shumë e shumë gurë themeli vendosur prej tij, por nuk do le pa kujtuar atë vendosmëri titane për të kapërxyer pasojat e tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit 2019.
Nga të gjitha pasionet njerëzore, pasioni më i egër është pasioni për pushtet. Egoizmi nuk nuk e lë Edi Ramën të shohi (sa do i zoti qoftë?) se i ka ikur koha për t’ja lënë drejtimin e ekzekutivit (edhe partisë) një tjetri, që Partia Socialiste i ka pa hesap. Me pushtetet e gjata këtij populli i ka ardhur në majë të hundës, është e ngopur deri në grykë. Është koha për të thënë mjaft: mos bëni eksperimente të tjera me të!
Këtu shoh dhe thelbin e protestës. Që Edi Ramës nuk i ka shkuar mëndja se një ditë duhet të iki, e shfaqin vëndet bosh, prej numrit dy deri te dhjeta i kandidatëve që ai duhet të kujdesej për t’ja bërë të njohur partisë dhe publikut si të mundshëm potencialë për kryetar partie dhe kryeministër.
Pse nuk do ndodhi dhe pse s’duhet të ndodhi qeveria teknike?
-Së pari, se Sali Berishës nuk duhet t’i jepet pushtet në tavolinë. Atij pushteti i duhet të pastrojë veten dhe të mbrojë njerëzit e pasuritë e familjes dhe ndjeksve besnikë!
-Së dyti, se nëse i do të keqen këtij vendi, lere një copë kohe të mirë me qeveri teknike, që është pothuaj baraz me rrokullisjen në humnerë, për rrethanat ku ndodhet Shqipëria në marrëdhenje me BE. Është gjëja më e pa urtë që mund të ndodhi, në vend që ta përdorim situatën e tashme të lëvizjeve të protestës antiqeveritare për të parandaluar të këqija të tjera, siç mund të jetë prania e një qeverie teknike, të cilën e kemi provuar, duke dështuar me sukses e lënë pasoja rrënuese në praktikat administrative.
Nëse protesta ngelet e pabërë pis nga mjeshtrat e mashtrimit politik; nëse janë të aftë të ndeshen dhe përzënë bandën lushostresajve, i përkas si bindje lëvizjes, me shpresën se ajo do arrij një gjë: të zhdukë listat e mbyllura të zgjedhjeve të cilat janë një tallje për shqiptarët votues dhe atentat ndaj demokracisë! Kaq do më mjaftonte.
Jo vetëm budallenjve, edhe të diturve e të arsimuarve si Sala dhe Edi, u pëlqen që të rrufisin here pas here nga një lugë lajka. Sistemi i listave të mbyllura u krijua në prill të vitit 2008, pikërisht për lajkaxhinjtë, që mbeten në mbrojtje të qendrimeve të kryetarit “monark”. E vetmja vlerë e tyre është shërbimi dhe besnikëria ndaj kryetarit. Tek ky sistem votuesit zgjedhin vetëm subjektin politik (partinë) dhe nuk kanë të drejtë të pëlqejnë kandidatë të veçantë. Për rrjedhë, mandatet fitohen nga kandidatët sipas radhës së përcaktuar vetëm nga shijet e kryetarit, duke mos lejuar ndryshimin e kësaj renditjeje nga vullneti i zgjedhësve. E shihni, o njerëz, është një model zgjedhor proporcional ku votuesit votojnë vetëm për partinë politike, dhe jo për kandidatët individual? Kandidatët fitues përzgjidhen nga vetë partia, bazuar në një renditje të paracaktuar dhe fikse në listë, ndaj jemi të dënuar të shohim përherë në ndenjset e parlamentit të ulin prej 30 vjetësh prapanicat qytetarë që janë në ndjekje penale të dyshuar për vrasje, për korrupsion ose pa asnjë vlerë intelektuale. Mandati i deputetit u jepet që të jenë të mbrojtur. Nga Kush? Nga populli, në radhë të parë, dhe nga sistemi i drejtësisë, së dyti. Që ndodhi kështu, përgjegjës bëj vetëm Edi Ramën!?




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.