Rama: “21 Janari”, nga ato krime që kurrë nuk mbetet pa u ndëshkuar
Kryeministri Edi Rama gjatë asamblesë të zgjeruar të Partisë Socialiste në Dibër, u shpreh se “21 Janari” është nga ato krime që kurrë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Sipas tij, vendimi i dhënë të martën nga Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg lidhur me ngjarjen e “21 Janarit”, faktoi se procesi gjyqësor në Shqipëri mbi këtë dosje ishte një farsë.
Rama u ndal edhe tek reagimet e deputetëve të opozitës duke theksuar se “është situatë ku arsyet që thuhen për këtë përshkallëzim të ri të marrëzisë nuk janë ato që dihen”.
“Arsyet e vërteta pse shqiptarët po ballafaqohen sërish për të kushedi të satën herë me skena dhe me akte të cilat asnjë familje, asnjë prind, as ata vetë që i vënë në jetë këto akte, nuk ia lejon fëmijëve të vet. S’ka prind në këtë vend që i thotë fëmijës futu nga penxherja dhe pastaj baballarët hyjnë nga penxheret, sepse diçka shumë e fortë i shtyn në këto akrobacira qesharake që mund të shkojnë në shfaqjet e ‘Portokallisë’, por jo në zyrat e tempullit të demokracisë të një vendi, që është parlamenti. Kjo lidhet sigurisht me drejtësinë”, tha Rama.
“Ju patë besoj dje, e dëgjuat që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që është Gjykata Supreme Europiane, gjykata më e lartë e të gjitha vendeve europiane për çështjen e të drejtave të njeriut. Dhe vendimet e asaj gjykate janë udhërrëfyes për Evropën, shtetin e së drejtës në Evropë dhe janë detyruese për çdo vend evropian. Dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut dje, nxori vendimin duke praktikisht e rrëzuar të gjithë procesin farsë të zhvilluar në Shqipëri për ’21 Janarin’”, nënvizoi Rama.
Sipas tij, “duke nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarje dhe që do duhet të ishte trajtuar pa diskutim, ashtu siç e nënvizon sot Gjykata e të Drejtave të Njeriut, nga çdo vend demokratik dhe evropian ku drejtësia është e pavarur dhe ku pushteti ekzekutiv, qeveria, shumica që qeveris nuk ia mban dorën drejtësisë, do të ishte gjykuar zinxhiri i komandimit”, tha Rama.
Ai sqaroi se “aty nuk është fjala cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau, e cili nuk vrau”.
“Janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesish që nuk kishin asnjë rrezik për askënd. Dhe prandaj çështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarë të këtij shteti. Dhe si ka mundësi, pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e shtetit, si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk ka parë asnjë lloj drejtësie të drejtë, por pa vetëm një rivrasje të dytë, një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre. Ky vendim i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është mishërimi më konkret se drejtësia vonon, por nuk harron”, theksoi Kryeministri.
“E kam thënë vite më parë, ’21 Janari’ është një nga ato krime që mund të ndodhë që vonesa e drejtësisë e të jetë më e gjatë se drejtësia e vonuar, por është nga ato krime që kurrë nuk mbeten pa ndëshkuar, në të cilindo moment, sado vonë, nuk është e mundur, pasi është krim shtetëror. Është një krim me urdhër të drejtpërdrejtë qeverie, të drejtpërdrejtë dhe të paligjshëm”, tha Rama.