Rama: Cërriku ka ndryshuar në 4 vjet sa në gjithë historinë e vet
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, Andi Salla Cërriku do të nxirret nga fundi i karvanit të problemeve sociale dhe varfërisë.
Në takimin me banorë të Cërrikut ku prezantoi kandidatin e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, Andi Salla, kryeministri Rama tha se “që kur bashkinë e Cërrikut e mori në dorë një djalë si Andi, shpëtuam njëherë e mirë nga karaktere të çuditshme dhe nga forca që nuk kanë asnjë lidhje me interesa të përbashkëta, individë e forca që janë në politikë vetëm për interesa të përveçme”.
“Më vjen mirë që në këtë fushatë, në të gjitha ndalesat është hera e parë që nuk flasim pothuajse fare për ujin e pijshëm jo se ka mbaruar i gjithë projekti i ujit të pijshëm në gjithë Shqipërinë, por sot falë kryetarëve të PS dhe mbështetjen e palëkundur të qeverisë kemi arritur të përshpejtojmë punën dhe të kemi ujë në bashkitë e vendit më shumë se ka pasur në dekadat e kaluara përfshirë edhe ato më përpara”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “puna me ujin e pijshëm është vonuar për shkak të atyre që ishin përpara dhe që duan të vijnë prapë. Në këta 4 vite Andi ka bërë punë për të admiruar me shumë këmbëngulje duke mbledhur forcat, bashkuar financimet, duke shkuar në çdo stacion pompimi duke bërë të mundur që Cërriku të shikojë përpara në çdo aspekt”.
“Për Andin flet puna. Nuk ka ndryshuar Cërriku në gjithë historinë e vet se çfarë ka ndryshuar në këto 4 vite, por mbi të gjitha nuk janë nuk janë ndryshimet e bëra, por është shpresa tek një e ardhme më e mirë dhe është vizioni e plani për t’i dhënë Cërrikut një dimension ekonomik dhe social që më në fund do ta nxjerrë nga fundi i karvanit të problemeve sociale dhe varfërisë”.