Politika

Rama dekoron Rexhep Qosen në Prishtinë dhe kujton kritikën e tij. Rexhep Qosja këshillon Ramën e Kurtin

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur 85-vjetorin e lindjes së Rexhep Qoses për ta dekoruar akademikut Rexhep Qosja titullin “Kordoni i Madh me Yll i Medaljes” në Prishtinë në krah të kreut të qeverisë së Kosovës Albin Kurti. Rama deklaroi gjatë fjalës së tij se ai është një zotni burrë në plot kuptimin e fjalës. Ai kujtoi mësimin që ka marrë në analizën e tij kritike në kohën kur Rama ishte në opozitë. Rama tha se në atë kohë Rexhep Qosja botoi në kritikë të titulluar “Opozitë me duar në xhepa”. Që prej asaj kohe tha ai në çdo takim pune ka parasysh figurën e Qoses dhe kurrë më nuk e përsërit të njëjtin gabim.

“Një zotni burrë  në kuptimin më të plotë të kësaj shprehje shqipe. Zhurmat e kanë dominuar prej kohës mjedisin publik. Shumë kohë më parë nxënësit në liceun artistik më ra në dorë një libër me titullin “Anatomia e Kulturës”. Ishte një libër i lejuar por kishte një ndjesi krejt tjetër dhe përçonte një aromë tjetër nga ajo shabllone të estetikës dhe kritikës me trë cilët ishim mësuar. Që atëherë u vura në gjurmët e atij autori.

Ka qenë kështu që kur flitej për Barletin, më shfaqej me portretin e Qoses. Vetë jeta e tij në rrahjet e pulsit të kombit të vet është një libër i shkruar në ndërgjegjen e bashkësisë të cilës ai i përket. Rexhep Qosja hyn te ata njerëz për të cilët e quaj veten me fat që jam bashkëkohas dhe që kam arritur ta njoh. Në kullën e tij pre librash në Prishtinë pranoi ta merrte simbolin e vogël të cilin menjëherë e vendosi në jelek në krahun e zemrës. Kur e pashë atë pata ndjesinë që simboli do e kishte jetën e gjatë.

Ky simbol është i nderit të jashtëzakonshëm që kam nderin t’ia dorëzoj sot në përvjetorin e 85-të të jetës së tij. Sot është dita të tregoj diçka shumë personale. Nga koha kur isha në opozitë, sot nuk më kritikon që kam ardhur me duar në xhepa.  Gjatë inaugurimit të një shkolle në Tiranë kamerat me zunë me duar në xhepa. Dhe ju bëtë një analizë e cilësuat “Opozitë me duar në xhepa”. Unë u sfidoj të gjithëve të gjej që nga ajo kohë një foto që të jem me duar në xhepa gjatë një vizite pune.

Menjëherë më kujtohet Rexhep Qosja dhe tak i heq duart nga xhepat. Që kur më dhembi atëherë kurrë më duar në xhepa. Ky është një shembull i vogël për ndikimin e kritikës së Rexhep Qoses sepse gërmat i rendit. Ndërkohë më kujtohen disa qortime jo më të vogla që do doja t’i merrja personalisht. Kur thotë “fol shkurt”. Unë e kam të vështirë të flas shkurt dhe jo më sot kur jam para jush. E vërteta pa lajka është se Rexhep Qosja është një shpirt i madh”, tha Rama.

Akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një mesazh të gjatë, me këshilla tejet domethënëse, për dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti. Akademiku i njohur ka vlerësuar të dy kryeministrat si politikanë intelektualë, që popujt e të dy vendeve duhet t’i dëgjojnë.

Duke iu drejtuar direkt Ramës dhe Kurtit, Qosja është shprehur se ata duhet të njësojnë idealet dhe qëllimet e të dy popujve dhe të arrijnë kohezionin, pasi sipas tij, “Me kohezionin e kanë mundur armikun, e kanë arritur qëllimin. Kohezioni përmban fuqinë e një populli. Me kohezion ne do arrijmë të mënjanojmë një varkë pengesash, rreziqesh, që i kemi pësuar dikur pasojat e tyre. Disa rreziqe, provokime, sfida të ndryshme, që na ngasin edhe sot”.

Mesazhi i Rexhep Qosjes, në prani të Ramës dhe Kurtit:
E ndjej veten mirë, shumë mirë, madje i privilegjuar që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më nderoi këtu, para jush, me yllin e mirënjohjes publike, me një simbol shumë domethënës për historinë dhe jetën tonë kombëtare. Kryeministri Edi Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipëri në këto 30 vitet e fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, i cili ka sjellë risi, fryte, zhvillime të reja në jetën politike, shoqërore, kombëtare shqiptare. Por, Edi Rama nuk është vetëm politikan, ai është edhe intelektual, intelektual krijues, ai është piktor dhe shkrimtar, ai shkruan romane, shkruan trajtesa për çështje historike e të tashme, ai shkruan ese, trajta të ndryshme letrare dhe kritike-eseistike. E ndjej veten shumë mirë dhe i privilegjuar, që ky nderim m’u bë sot, këtu në Prishtinë.

E ndjej veten mirë që ky nderim i veçantë u bë pas takimit të dy delegacioneve, atij të Shqipërisë me në krye Edi Ramën, dhe atij të Kosovës, me në krye Albin Kurtin. Dua të them se Edi Rama që është politikan dhe profesor, edhe Albin Kurti është politikan dhe intelektual krijues. Albin Kurti është një prej intelektualeve, që është çuar në një cilësi të veçantë. Duhet ta dëgjojmë kur paraqitet në televizione, në tubime të ndryshme, duhet t’i dëgjojmë deklaratat dhe intervistat e tij, për ta parë dhe për t’u bindur që ka një kujtesë të jashtëzakonshme, në të cilën janë mbledhur të dhëna, shumë të dhëna, sa në një bibliotekë, mbi historitë e Evropës, SHBA, popujve e kontinenteve të tjera, të dhëna mbi gjeografinë, mbi arte të ndryshme, mbi filozofinë. Prej fjalëve të tij mund të mësohet.

Edi Rama dhe Albin Kurti janë dy politikanë intelektualë, natyrisht të çmuar prej popullit, dhe kjo u pa edhe në zgjedhjet e fundit, në të cilat pjesa më e madhe e popullit ua dha votën, ua dha besimin. Nuk mund të mos e themi se kryeministri Edi Rama dhe kryeministri Albin Kurti janë politikanë dhe intelektualë, njëkohësisht edhe të kritikuar, kur e kur me arsye, por shpesh edhe pa arsye. Mund t’i dëgjojmë kritikat me të cilat mund të pajtohemi, por edhe ato kritika që janë pa të dhëna, pa argumente. Kritikat janë të nevojshme në jetën politike e shoqërore, janë edhe të dobishme. Sjellin nxitje e frymëzime të reja për përkushtime e punë të reja.

Fjala intelektual është një fjalë e krijuar, diku nga fundi i mesjetës dhe fillimi i rilindjes evropiane në Itali. Atëherë kur është krijuar, fjala intelektual kishte kuptimin “koka e popullit”. Pra, intelektualët janë trajtuar, konsideruar e çmuar si koka e popullit. Në mënyrë të veçantë kjo fjalë obligon ata që merren me politikë, pasi merren me jetën dhe të ardhmen e popullit. Në krijimtarinë time kurrë nuk i kam ndarë apo veçuar njërën prej tjetrës Shqipërinë dhe Kosovën. I kam parë bashkë, si një tërësi, të bashkuara në të kaluarën, siç kanë qenë, të bashkuara në të tashmen, dhe i kam ëndërruar të bashkuara edhe në të ardhmen.

Kam vërejtur se fundi i shekullit 20 dhe fillimi i shekullit 21 na kanë dhënë, na kanë premtuar, një gjasë, një shans historik për ta ndryshuar, për ta përmirësuar fatin tonë. Fati ynë ka qenë shumë i rëndë, një fat historik tragjik. Vetëm shqiptarët janë ata në Ballkan, që janë copëtuar në pesë shtete. Nuk ju ka ndodhur të tjerëve.

Gjasa që kemi për të bërë përpjekje për ta ndryshuar fatin tonë historik, na bën shumë përgjegjës të gjithë intelektualëve e politikanëve, por edhe gjithë popullin.

Takimi i sotëm i dy delegacioneve padyshim se mua më solli shumë gëzim. Mund të jeni të bindur se ky takim ju solli gëzim të gjithë shqiptarëve, kudo qofshin ata. Është një takim shumë premtues. Sa bukur duket kjo pamje e politikanëve, ministrave, të Shqipërisë dhe atyre nga Kosova. Duket bukur dhe premton shumë.

Unë i lejoj vetes, mosha në të cilën jam prej 85 viteve, më jep të drejtë morale, që t’i ftoj kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin Albin Kurti të takohen si sot, më shpesh. Të takohen qeveritë e tyre, të mbajnë mbledhje qeveritë e tyre të kryeministruara prej tyre. Në këto takime, në mbledhjet e tyre, të bëjnë, të njësojnë, një ideal të përbashkët, që na e ka lënë epoka më e madhe e historisë shqiptare, epoka e rilindjes shqiptare, të cilët kanë thënë “Si të krijojmë Shqipërinë dhe si të krijojmë shqiptarin”. Të njësojnë idealet, qëllimet e tyre politike. T’i kontribuojnë një vlere jashtëzakonisht të madhe që është quajtur e quhet kohezion i një populli, kohezion shpirtëror, shoqëror, moral, kombëtar.

Historia na ka mësuar se kur e arrin këtë kohezion, popujt, shtetet, gjithmonë kanë dalë fitimtar. Me kohezionin e kanë mundur armikun, e kanë arritur qëllimin. Kohezioni përmban fuqinë e një populli. Me kohezion ne do arrijmë të mënjanojmë një varkë pengesash, rreziqesh, që i kemi pësuar dikur pasojat e tyre. Disa rreziqe, provokime, sfida të ndryshme, që na ngasin edhe sot. Unë uroj që këta të punojnë e të kontribuojnë me politikën e tyre, me njësimin e idealeve dhe qëllimeve të tyre, t’i kontribuojnë këtij kohezioni, të bindur se me këtë kohezion ata do t’i realizojnë më lehtë qëllimet e tyre për zhvillimin politik, shoqëror, arsimor, kombëtar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button