Rama: Ligj i ri për rritje pagash për një tërësi profesionesh
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste se do hartohet ligj i ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë më aftësi të veçanta.
Kryeministri Rama theksoi se tashmë është bërë një hap i rëndësishëm me rritjen e pagës për mjekët specialistë që më në fund duke filluar nga muaj prill do të shpërblehen sipas pagave të larta të rajonit.
“Jemi faktikisht të barazuar me Serbinë në pak, jemi mbi Kosovën dhe në një mesatare të lartë. Të gjitha vendet janë pak a shumë rreth të njëjtës pagë”,- tha ai.
Rama foli më pas për ligjin e ri.
“Duke filluar me aftësitë digjitale në kushtet kur duhet të forcojmë shumë mbrojtjen kibernetike, në kushtet kur duhet t’i japim një shtysë tërë revolucionit digjital, kemi nevojë të ofrojmë paga që të jenë paga konkurruese në treg, ashtu sikundër dhe për të tjera profesione”,-tha Rama.
Po ashtu, Rama shtoi se procesi i integrimit kërkon një rritje të numrit të shkruesve të drafteve ligjore, pasi janë rreth 4000 mijë akte ligjore dhe nënligjore që duhen njësuar me BE.
“Edhe për këtë kemi nevojë të rrisim pagat dhe të kemi më të mirët në shërbim të shtetit, deri te agronomi dhe të tjera profesione në pikat të ndryshme të shtetit që do të bëjë të ketë më shumë interes nga profesionistët, por njëkohësish do sjellim lart dhe sistemin e pagave”, u shpreh ai.
Në vijim, Rama foli dhe për heqjen e taksës për pagat deri në 50 mijë lekë dhe rritjen e pagës minimale me 40 mijë lekë.
“Nga ana tjetër me ligjin për tatimin mbi të ardhurat personale që së shpejti kalon në parlament heqim tërësisht taksimin mbi pagën deri në pagën 50 mijë lekë. Me rritjen e pagës minimale me 40 mijë lekë bëjmë një axhustim dhe bëjmë rritje të pagave brenda për brenda piramidës”,- tha ai
Rama shtoi se “kemi taksën e jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj, eksportues të energjisë që pastaj do ia dedikojmë me prioritet pensionistëve dhe të gjitha këto së bashku, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të investimeve të huaja direkte, sidomos në turizëm, na bëjnë ta shikojmë me optimizëm të nesërmen”.
“Por mbi të gjitha janë të rëndësishme në këtë moment që të ndahen me njerëzit. Ndërkohë do të angazhohemi në një debat publik me sipërmarrjen private për të krijuar një mirëkuptim kombëtar mbi nevojën e rritjes së pagave dhe e deklarimit të pagave reale për punonjësit e sipërmarrjes private, sepse është themelore për burimet njerëzore, për të pasur njerëzit e duhur që sipërmarrjet të lulëzojnë përndryshe do të vuajnë nga shtrëngimet e kësaj natyre me lodrat e truket që kanë bërë në të shkuarën”, tha Rama.