Politika

Rama: Lufta kundër informalitetit ka ulur ndjeshëm konkurencën e pandershme

Kryeministri Edi Rama deklaroi të hënën se “ndonëse ka ende shumë për të bërë në betejën kundër informalitetit, rezultatet e deritanishme kanë ulur ndjeshëm konkurrencën e pandershme”.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Briseida Shehaj ishte sot në fabrikën KID-ALB shpk (100 % shqiptare) në Tiranë. Kjo është një prej fabrikave më të mëdha në Ballkan, për prodhimin dhe tregtimin e tullave dhe tjegullave të qeramikës, e cila aktualisht sërish ka investuar për të rinovuar infrastrukturën e saj.

Duke theksuar angazhimin e qeverisë në procesin e formalizimit të ekonomisë, kryeministri u shpreh se formalizimi nuk do të lejojë përfitues të pandershëm të abuzojnë në kurriz të bizneseve të vogla.

“Lufta kundër informalitetit po jep rezultate, por ka akoma shumë për të bërë. Ne po përpiqemi dhe bëjmë çmos të mos e stresojmë biznesin. Kemi ndryshuar taktikë sepse tani jemi në një fazë tjetër. Kemi një tru elektronik në tatime që bën gjithë mbledhjen e xhirove dhe që jep alarm kur ka devijime. Do ta zgjerojmë këtë tru elektronik edhe me partneritetin për interesin publik për mbledhjen e tvsh-së”, tha Rama.

Një nga bizneset e prodhimit të tullave në TiranëSipas tij, biznesi përfiton drejtpërdrejtë nga këto masa, pasi ulet shumë konkurrenca e pandershme. “Sjella e të vegjëlve ka filluar të ndryshojë. Të mëdhenjtë nuk mund t’i përdorin më të vegjlit dhe t’i abuzojnë për të shfryrë në mënyrë të paligjshme paranë. Nga ana tjetër, përsa i përket ndërtimit jemi në kushte të tjera dhe po çlirohet plotësisht. Njësitë e banimit në të gjithë zonën rurale, që ju i keni më problem tani ndërtohen pa problem, mjafton që të vazhdoni me procedurat në bashki”, vijoi Rama.

Përsa i takon veprimtarisë në tregun e brendshëm vendas, Kryeministri Edi Rama u shpreh se tashmë që ndërtimtaria e paligjshme është kufizuar dhe territori është vënë në kontroll, është hapur plotësisht rruga për lejet e ndërtimit. “Tani ne mund të themi se e kemi vënë në kontroll territorin dhe ndërtimtaria pa leje është kufizuar jashtëzakonisht shumë. Edhe me riorganizimin administrativ është hapur plotësisht rruga për lejet e ndërtimit dhe për investimet prodhuese në radhë të parë.”

Sipërmarrjet shqiptare të suksesshme në vend, po konkurrojnë tashmë me dinjitet edhe në tregun ndërkombëtar. Formalizimi i ekonomisë ka nxjerrë në dritë dhe u ka dhënë një frymëmarrje të re ndërmarrjeve, që deri dje kërcënoheshin në konkurrencën e tyre të ndershme nga informaliteti.

KID-ALB shpk, 100 % shqiptare është një prej fabrikave më të mëdha në Ballkan, për prodhimin dhe tregtimin e tullave dhe tjegullave të qeramikës. Që prej fillimit të aktivitetit të saj dhe në vazhdim, janë investuar 12 milionë euro për ndërtimin dhe blerjen e makinerive dhe të pajisjeve.

Një nga bizneset e prodhimit të tullave në Tiranë (1)Fabrika aplikon teknologjinë më të fundit bashkëkohore, e automatizuar plotësisht dhe e monitoruar 24 orë online në të gjitha hallkat e saj, në mënyrë kompjuterike. Për të qenë në kontakt me prurjet më të reja të teknologjisë bashkëkohore, fabrika shpenzon çdo vit 600 mijë euro.

Kjo fabrikë, nga më prestigjiozet në llojin e saj, funksionon me një staf të kualifikuar dhe me eksperiencë të gjatë pune, me mbi 77 punonjës, inxhinierë, teknikë dhe specialistë të fushave të ndryshme, të cilët punojnë për realizimin e prodhimit, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e shoqërisë.

Në dy vitet e fundit, falë politikave të reja fiskale të ndërmarra nga qeveria dhe marrëdhënies së re të krijuar me shtetin, fabrikës i janë kthyer rreth 1,6 milion euro borxh, që shteti i detyrohej kësaj sipërmarrje.

Pronari i fabrikës, Asllan Baraj shpjegoi se në dy vitet e fundit, falë masave lehtësuese, të ndërmarra nga qeveria, me impakt të drejtpërdrejtë në veprimtarinë tyre, është rritur ndjeshëm eksporti, si dhe kapaciteti prodhues i fabrikës.

“Ne e ndërtuam këtë fabrikë me një kapacitet prodhues prej 450 ton në ditë. Ndërsa sot kemi një kapacitet prodhues mbi 600 tonë. Pra kemi patur një rritje të vazhdueshme këto dy vjet. Madje dhe borxhet që ju na i dhatë prej 1.6 milion euro, që na i kishte qeveria e kaluar, ne i investuam përsëri në infrastrukturën e fabrikës dhe rritëm kapacitetin e prodhimit. Eksporti ka shkuar nga 27 %, këto dy vite në 44 % dhe tani po kalon 50 %”, tha ai.

Pronari Asllan Baraj pohon me optimizëm se lufta kundër informalitetit ka vendosur një marrëdhënie të re mes tyre dhe hallkave të tjera të bizneseve më të vogla, të cilat me sjelljen e tyre informale dëmtonin një marrëdhënie të shëndetshme tregtare.

“Ne mbështesim jo vetëm veprimin për pengimin e ndërtimeve të paligjshme, por edhe formalizimin e ekonomisë, e mbështesim 100%. Ne na ka ndihmuar shumë formalizimi i ekonomisë. Kemi qenë një nga fabrikat të formalizuara 100% që në fillim, por më parë vinin tregtarët e vegjël, pasi punojmë me tregtarë, jo me privatë, të cilët nuk e donin tvsh-në, sepse rrisnin xhiron e tyre. Sot nuk kalon asnjë kamion i vogël, as dy paleta, pa tvsh. Fatmirësisht tani është ndryshe. Lufta kundër informalitet, po jep rezultate,” u shpreh ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button