Politika

Rama-Mustafa: Shqipëri-Kosovë, një hapësirë e vetme për sipërmarrjen

– Do të unifikojmë dokumentet për bizneset që kërkohen në kufi –

I përditësuar

Kryeministri-i-Kosovës-Isa-MustafaKryeministri Edi Rama priti sot në Tiranë kryeministrin kosovar, Isa Mustafa, në vizitën e tij të parë, në cilësinë e kreut të ekzekutivit kosovar.

Pas takimit mes dy delegacioneve, në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama shprehu angazhimin e palës shqiptare për nxitjen e bashkëpunimit mes dy vendeve përmes heqjes së barrierave që ekzistojnë në pikat e kalimit kufitar.

Mbledhja e ardhshme e qeverisë mes dy vendeve, që do të mbahet më 23 mars në Tiranë, do të vendosë për heqjen e një sërë procedurash që pengojnë ndërveprimin mes biznesit, në kuadër të bashkëveprimit ekonomik.

“Ajo që na takon ne është që të çojmë deri në fund rrugët e bashkëpunimit mes sipërmarrjes, këtej dhe andej kufirit, me ambicjen që ai (kufiri) të mos jetë një pikë doganore ndërkombëtare, por një pikë kalimi ku të gjitha autoritetet dhe licensat që kërkohen në të, të jenë të unifikuara dhe të njehsuara. Kjo do të bëjë që për biznesin, nga ky vit, momenti i kalimit të kufirit të jetë vetëm pesë minuta”, tha Rama, ndërsa shprehu bindjen ky do të jetë një realitet i patjetërsueshëm për bizneset e të dy vendeve.

Kjo, vijoi Rama, nuk është një dëshirë, por diçka konkrete për të cilën po punohet dhe do të hidhen hapat e nevojshëm në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive, ku do të vendosim për të hequr një sërë procedurash dhe rregullimesh që e pengojnë gjithë procesin e ndërveprimit për biznesin dhe gjithë bashkëveprimin ekonomik mes dy shteteve. Për këtë ai iu referua bashkëpunimit në fushën e doganave, si shenjë e thellimit të ndërveprimit mes qeverive të dy vendeve.

Në deklaratën pas takimit, Rama pasi i shprehu homologut kosovar mirënjohjen për solidaritetin e treguar nga bizneset në Kosovë ndaj zonave dhe njerëzve të prekur nga përmbytjet, konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-Kosovë. Ai theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve, i instrumentalizuar në mbledhjen e Prizrenit më 12 janar 2014, përcakton vijimësinë e faktorit shqiptar në rajon.

“Të gjitha këto së bashku janë problematika që trajtohen brenda kuadrit të ambicjes së përbashkët të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e jo vetëm, për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ne i kuptojmë vështirësitë me të cilat përballet procesin i zgjerimit, por do të vazhdojmë të përpiqemi intensivisht dhe të luftojmë me këto vështirësi për faktin se Europa ka nevojë për shqiptarët, po aq sa shqiptarët kanë nevojë për Europën”, tha Rama.

Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e qeverisë dhe popullit shqiptar në të gjitha fazat e shtetndërtimit. “Kemi arritur rezultate shumë të mira në projektet e përbashkëta në arsim dhe kulturë dhe tani duhet punuar në projekte ekonomike, si infrastrukturë e turizëm”, tha ai.

Kryeministri Mustafa vlerësoi përkrahjen e Shqipërisë për njohjen e Kosovës nga vendet e BE-së që nuk e kanë njohur ende, dhe përkrahjen në anëtarësimin e misioneve shumëkombëshe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button