Politika

Rama në Forumin “DELPHI 2023, World Affairs”: Zgjidhja mes Kosovës dhe Serbisë do mbyllte përgjithmonë shumë kapituj gjaku dhe konfliktesh

Në fjalën e tij, në Forumin Ekonomik “DELPHI 2023, World Affairs”, i cili u mbajt në Greqi, Rama tha se dialogu Kosovë-Serbi është çështja ende e madhe që mbetet për t’u zgjidhur.

“Zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë të shumë kapitujve gjaku dhe konfliktesh. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, është strategjike”, tha Kryeministri Rama. Por, vuri në dukje Rama, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira se sa kaq.

“Edhe sa i takon këtij elementi të veçantë, kësaj çështjeje të veçantë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë kaq të mira sa aktualisht, janë shumë më të mira se sa ç’kanë qenë më përpara. Megjithatë ka edhe shumë për t’u përmirësuar më tej këto marrëdhënie”, tha Kryeministri Rama.

I pyetur për ndikimin rus në rajon, Rama theksoi: Kur flitet për aspektin gjeopolitik dhe politikën ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne kemi një panoramë shumë komplekse. Kemi 3 shtete anëtare në NATO, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por Shqipëria nuk ka fare ndikim rus ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një influencë ruse shqetësuese. Nga ana tjetër, kemi Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Kosova është si Shqipëria; është tërësisht e harmonizuar në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, nuk kanë ndikim rus, ndërkohë që Serbia apo Bosnja kanë shumë ndikim rus. Nuk flitet këtu vetëm për qeverisjen, por edhe në popullsi. Si për të thënë një shembull, popullariteti i Vladimir Putin në Shqipëria është nga 0,7% deri në 1-2% ndërkohë që në Serbi është nga 65%-80%. Domethënë, panorama është tërësisht ndryshe. Kjo është arsyeja pse unë gjithmonë insistoj që është absolutisht shumë e mirë duke ardhur si rezultat i gjithë ndryshimeve që kanë ndodhur që pavarësisht varësisë ose ndikim, pavarësisht zierjes nga brenda të shoqërisë në Serbi, të gjashtë shtetet anëtare të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nëse janë anëtare në NATO apo jo, pavarësisht nëse kanë ndikim të madh rus apo jo, kanë ndjekur dhe janë harmonizuar me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar në të gjitha kuotat në Kombet e Bashkuara, kur flitet për hedhjen poshtë të sulmit rus.

“Nga ana tjetër, ka një dallim sepse për shembull Shqipëria, Kosova, Maqedonia, mendoj edhe Mali i Zi, pra kanë respektuar tërësisht sanksionet, ndërkohë që Serbia nuk e ka bërë këtë gjë, megjithatë duhet të jemi shumë të kujdesshëm lidhur me këtë pikë. Sepse kjo mund të jetë një pikë kthese”, shtoi ai.

“Po të shtysh dhe Serbinë shumë shpejtë dhe shumë, mund të çajë çdo gjë që kemi arritur të ndërtojmë deri tani. Dhe kjo edhe për arsye objektive, për shembull ne jemi harmonizuar 100%, kemi përqafuar 100% sanksionet, por për ne nuk është problem se ne nuk marrim gaz nga Rusia. Ne nuk kemi tregti me Rusinë. Marrëdhëniet me Rusinë, në rastin tonë janë siç kanë qenë në luftën e ftohtë.

Ndërkohë që, në rastin e Serbisë sanksionet do të përktheheshin në mungesën e gazit që nuk mund ta zëvendësojnë kaq shumë shpejtë, gjë e cila në vete mund të krijonte gjëra të çmendura në Serbi.

Kështu që, është më mirë që të ecim më ngadalë, me hapa më të qëndrueshëm drejtë unifikimit të pozicionit, sikurse po bëjmë politikisht në Kombet e Bashkuara dhe të njëjtën gjë të bëjmë dhe në aspektin ekonomik. Pra, duhet që të mbajmë parasysh faktin që Vucic është në një situatë të vështirë që të mund të tjetërsojë pozicionin e qytetarëve, pavarësisht se ai po mundohet që të rreshtojë Serbinë me vendet e tjera. Nuk flitet vetëm thjeshtë për Vucicin, por kushdo që të ishte udhëheqës në Serbi aktualisht apo kushdo që do të ishte në udhëheqje të një vendi ku popullariteti i Putinit do ishte popullaritet më i madh sesa ai i veti çfarë do bëje në një situatë të tillë? Mendoj se ai po bën gjënë e duhur”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button