Politika

Rama në Izrael, krenar për harmoninë fetare në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael u takua me Presidentin Reuven Rivlin dhe Kryetarin e Parlamentit Yuli-Yoel Edelstein, me të cilët diskutoi mbi sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm, por edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e energjisë, turizmit dhe bujqësisë.

Siç bën të ditur zyra për shtyp e qeverisë, dy autoritetet e larta izraelite, njësoj si edhe Kryeministri Netanyahu shprehën mirënjohjen e thellë për humanizmin e treguar nga shqiptarët gjatë Holokaustit, duke marrë në mbrojtje e duke mos lejuar dorëzimin e asnjë hebreu gjatë pushtimit nazist.

Kryeministri Rama zhvilloi edhe një takim me liderin e opozitës Herzog, si edhe u prit në Bashkinë e Jeruzalemit nga Kryetari i Bashkisë Nir Barkat.  Kryebashkiaku shprehu bindjen për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit të gjithëanshëm midis dy vendeve tona. “Për ne është shumë e rëndësishme që të zhvillojmë marrëdhëniet tona, të mësojmë nga njëri-tjetri, të kontribuojmë me eksperiencat tona pozitive për partnerët tanë në mbarë botën”, tha ai.

Takim-me-Kryetarin-e-ParlamentitNga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se “ne jetojmë në një vend ku ka komunitete të ndryshme fetare, të cilat kanë një marrëdhënie shumë të veçantë midis tyre. Ndaj është shumë pozitive për ne që të ndajmë me ju këtë eksperiencë dhe të dëgjojmë edhe eksperiencën tuaj”.

Kryeministri Rama, i shoqëruar edhe nga zonja e tij, vizituan memorialin Yad Vashem ku nderuan viktimat e Holokaustit e më pas u ndalën në disa nga vendet e shenjta të qytetit të Jeruzalemit, ku u takuan edhe me Patriarkun ortodoks Teofili III, Patriarkun katolik latin Imzot Fuat Twal. Vizita në Bazilikën e Varrit të Shenjtë të Krishtit, ndërtuar nga perandori ilir Kostandin dhe ku bashkëjetojnë 5 komunitete të krishtera ishte një nga momentet e veçanta të kësaj vizite. Vizita në Murin e Lotëve në gjurmët e Tempullit të vjetër të Jeruzalemit, në shoqërinë e rabinit të Jeruzalemit ishte gjithashtu shumë mbresëlënëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button