Rama po ia heq ‘ujin’ edhe Korçës

Ende i kemi në sy pamjet e etjes së banorëve të Vlorës. Mbushën 5 ditë pa ujë, plot shkuan të laheshin në det në fund të dhjetorit, në zemër të dimrit. Por njësoj si ata po e pësojnë edhe korçarët, edhe pogradecarët, edhe…
Kushdo këto ditë ka mësuar se ta bësh rrugën nga Korça në Tiranë, apo anasjelltas është një guxim i marrë. Ia del më shpejt me biçikletë. Vende-vende dhe më këmbë. Shumë shqiptarë e kanë kaluar këtë distancë dhe për dy ditë. Ndërsa mallkimet në atë segment, nga Elbasani në Librazhd, janë mijëra e mijëra qeveria hesht.
Paçka se situata ka vite që ka dhënë shenja e që po agravon për keq çdo muaj, çdo ditë. Bujtinat cilësore të juglindjes, shërbimi me pesë yje atje, gatimet aq të shijshme, grupet artistike më të mirat në vend, kanë detyruar çdo javë mijëra e mijëra banorë të Tiranës e të qyteteve të tjera të turren në Korçë e Pogradec. Ky është “uji” që mban gjallë bizneset e juglindjes, “uji” që u jep jetë investimeve e shërbimeve, punësimeve e trajnimeve atje.
Këtë “ujë” qeveria Rama do ta shterojë. Nuk pret tubo apo shkatërron saraçineska. Jo, jo. U nxin jetën atyre që shkojnë për fundjavë në Korçë, atyre që duan të pushojnë në Pogradec. I lodh, i mërzit, i streson, u harxhon kohë e para me atë palo rrugë që nuk po ndreq, por po prish rrugë. Duket që Ramës as që ia ndjen për këtë anomali. Ka lënë shqiptarët në dhimbjen e tyre, në kaosin shqiptar. Të hanë kokën, e ka devizën. Se vetë mendon non stop të grabisë, të vjedhë e mos shkulet nga karrigia paçka se thuajse gjithë qeverinë e ka në burg.
Fundjavat ishin festë për korçarët. Por po kthehen në strese për klientët e tyre. Që kanë dilemën, a ia vlen të shkojmë atje për tre ditë të fundjavës dhe dy t’i harxhojmë rrugëve me ngricë, me gropa, me pluhur e me dhimbje koke? A ia vlen?



