Ekonomia

Rama: Turizmi, burim real i rritjes ekonomike

bbKëshilli Ekonomik Kombëtar ka mbajtur pasditen e djeshme mbledhjen e radhës nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Në fjalën e tij Rama ka marrë në mbrojtje ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe koncesionet e dhëna për chek up-in dhe dializën për të cilat ai akuzohet nga opozita, duke kritikuar edhe median që sipas tij po sillet si papagall në qëndrimin ndaj këtyre koncesioneve, që sipas Ramës janë tërësisht në shërbim të qytetarëve.

“Nuk bën kompania chek up-in, por vë në dispozicion infrastrukturën dhe materialet me të cilat bëhen analizat. Ndaj është zgjedhur kompania që ofron një logjistikë më të plotë për mbulimin e territorit. Le të marrim dializën, 80 paguhej për të, dhe duhet të vinte në Tiranë nga të gjitha rrethet. Por tani po me 80 euro për seancë bëhet i njëjti proces, por falë investimit të partneritetit privat ky shërbim do të bëhet në qendra të ndryshme të shpërndara në gjithë territorin”, tha Rama.

Kryeministri ndër të tjera ka cilësuar edhe turizmin si burim real të rritjes ekonomike, Rama u shpreh se nën modelin e BE, qeveria e tij ka krijuar të gjitha kushtet për inkurajimin e turizmit, përmes një platforme favorizuese, çka është reflektuar me një rritje në aspektin sasior dhe cilësor të turizmit në vitin 2015. Sipas kryeministrit në tremujorin e dytë të këtij viti pati një rritje të të ardhurave me 65 milionë euro, 2 herë më shumë se një vit më parë për shkak të fuqisë në rritje të turizmit.

“Turizmi është një nga burimet reale të rritjes ekonomike. Po punojmë për të krijuar kushtet për përmirësimin e cilësisë së tij. Viti i kaluar ishte mjaft inkurajues për turizmin, në aspektin sasior dhe cilësor. Konstatojmë numër në rritje të turistëve nga Europa veriore. Gjithsesi, ka shumë për të bërë në të gjithë vijën bregdetare, duhet investuar për shërbimin e energjisë dhe shërbimet e tjera bazë. Por mendoj se nëse koordinohemi më mirë me operatorët privatë, do tërheqim më tej vëmendjen e turistëve”, deklaroi Rama.

Më tej Rama tha se disa kontrata janë rishikuar dhe kjo është bërë që barra mos bierë në kurriz të shqiptarëve. Duke marrë disa shembuj kryeministri tha se koncesioni për skanimin e kontenierëve u rinegocia, duke ulur tarifën nga 39 euro në 22 euro.

“Nëse nuk do rinegocionin skanimin bizneset do të paguanin 39 euro për skanimin e cdo fature doganore. Ne ulën tarifën nga 39 euro në 22 euro dhe nxorëm para nga buxheti i shteti për të kompensuar industrinë fasone. Kemi bërë kontrata me studime dhe oponencë. Ne i dhamë fund kontratave të HEC-eve kur shteti merrte përsipër të paguante tarifat fikse. Kjo nuk është një ngjarje që ndodhi rrugës por është një filozofi e programit tonë dhe që e mbrojmë si filozofi për funksionimin e së drejtës dhëe është pjesë e strategjisë së qeverisë, ku qysh ditën e parë kam qenë unë që kam insistuar qe cdo ministër të cojë përpara partneritetin publik privat. Në 8 vjet janë dhënë 173 koncesione, sot në këtë përfolje të madhe mbi atdheun që po jepet me koncesione janë bërë vetëm 14 kontrata”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button