Kronika

Raporti: Rreth 2000 fëmijë pohojnë se dhunohen nga prindërit

Save-the-Children_0Save the Children: 85% e nxënësve kanë pirë drogë për t’u dukur dhe nga kureshtja 

Nga Shpresa Mezini

Braktisja e arsimit të detyruar; përjetimi i vazhdueshëm i dhunës psikologjike apo fizike, si formë ndëshkimi; mungesa e aksesit shëndetësor në shkolla; mungesa e infrastrukturës për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe përdorimi i substancave narkotike për kureshtje, janë sot disa nga problemet thelbësore të raportuara nga vetë fëmijët, në një studim të realizuar nga Save the Children në gjashtë rajone të vendit. “Një numër i konsiderueshëm fëmijësh e braktisin arsimin e detyruar për arsye ekonomike, materiale, infrastrukturore apo shëndetësore. Në qytete, klasat janë të mbingarkuara, gjë që shkakton ulje të nivelit të mësimdhënies dhe të nxënit. Në zonat rurale ka mungesë shkollash të mesme, gjë që bën që fëmijët e këtyre zonave të mos ndjekin arsimin e mesëm. Fëmijët raportojnë se tekstet shkollore janë të vështira për ta dhe tepër të ndërlikuara. Pjesa më e madhe e fëmijëve pohojnë se përjetojnë dhunë psikologjike dhe fizike nga prindërit, si formë ndëshkimi dhe edukimi dhe se nuk dinë ku të shkojnë në raste si këto. Mungesa e stafit mjekësor në shkolla, si dhe konsumimi i lëndëve narkotike, që në 85% të rasteve pohojnë se i kanë provuar këto substanca për shkak të kureshtjes”. Këto janë disa prej konkluzioneve të arritura në raportin mbi promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, për vitin 2013, ku janë intervistuar rreth 2000 fëmijë për tema si: arsimi, dhuna, shëndeti, përdorimi i substancave narkotike; diskriminimi dhe pjesëmarrja, në 6 rajone: Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Dibër dhe Burrel.

Arsimi

“Nga intervistat doli se një numër i konsiderueshëm fëmijësh e braktisin arsimin e detyruar për arsye ekonomike, materiale dhe infrastrukturore, për shkak të qëndrimit të prindërve apo për

arsye shëndetësore. Në qytete vërejtëm që klasat janë të mbingarkuara, gjë që shkakton ulje të nivelit të mësimdhënies dhe të nxënit. Në zonat rurale ka mungesë shkollash të mesme, gjë që bën që fëmijët e këtyre zonave të mos ndjekin arsimin e mesëm. Veç kësaj, në disa zona rurale, fëmijëve u bëhet mësimi në klasa të përziera (fëmijët nga klasa I-V grumbullohen në të njëjtën klasë). Ka mangësi në banka, karrige, ngrohje, fusha sporti, laboratorë shkencorë, laboratorë kompjuterësh. Për sa i përket infrastrukturës së përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, nuk ka rampa apo struktura të tjera mbështetëse”, sqarohet në raportin e Save the Children për fëmijët. Sipas tij, në disa shkolla nuk ka roje, pasi nuk ka fonde për punësimin e tyre, pa përjashtuar edhe shkollat në zonat rurale, të cilat nuk kanë mure rrethuese. “Ne vërejtëm se disa mësues janë të detyruar të japin lëndë shtesë për të plotësuar numrin e nevojshëm të orëve të mësimdhënies që duhet të kryejnë për të marrë rrogën mujore. Mësues të specializuar për lëndë të veçanta duhet të japin lëndë të tjera shtesë, paçka se nuk kanë arsimimin e duhur. Të shtyrë nga interesa ekonomike vetjake, mësuesit e kualifikuar i detyrojnë fëmijët të frekuentojnë kurset e tyre private në këmbim të notave të pamerituara, duke ushtruar presion psikologjik ndaj tyre”, shpjegohet në raport, bazuar në përgjigjet e vetë fëmijëve.

Dhuna

“Të intervistuarit pohojnë se përjetojnë dhunë psikologjike dhe fizike nga prindërit si formë ndëshkimi dhe edukimi. Nga të gjitha intervistat doli që fëmijët, veçanërisht ata që i përkasin

komunitetit rom, nuk dinë ku të shkojnë kur përjetojnë dhunë sikurse nuk njohin as njësitë për mbrojtjen e fëmijëve. Gjetje të mëtejshme treguan që fëmijët e shohin dhunën si një sjellje

normale. Ata nuk janë të ndërgjegjshëm për pasojat negative të dhunës, madje ata thonë që dhuna është një mjet i përshtatshëm edukimi për ta dhe nuk dinë ku të raportojnë lidhur me të. Dhuna është edhe më e përhapur ndër fëmijët e komuniteteve më pak të zhvilluara: fëmijët romë dhe egjiptianë dhe fëmijët e zonave rurale”, sqarohet në raportin e Save the Children. Mirëpo, sipas tij, dhuna është e pranishme edhe në shkolla, pasi mësuesit nuk e njohin kodin etik të sjelljes. Pa përjashtuar edhe dhunën që ushtrohet mes fëmijëve vetë, të cilët nuk preferojnë ta zgjidhin me qetësi dhe me kohë problemin, por zgjedhin rrugën e shpejtë të forcës.

Shëndeti

Në raport, fëmijët e intervistuar pohojnë se në shkolla mungon stafi shëndetësor (infermierët, dentistët dhe psikologët). Edhe në rastet kur ata ekzistojnë, nuk punojnë me kohë të plotë ose nuk kanë kualifikimin e duhur. “Fëmijët raportuan se mungojnë edhe kutitë e ndihmës së shpejtë ose kanë mungesë materialesh edhe në rastet kur gjenden në shkollë. Në mënyrë që të mund të përfitojnë nga shërbimi i shëndetit publik, ku përfshihen kontrollet e përgjithshme, analizat dhe mjekimet, prindërve u kërkohet t’i paguajnë stafit mjekësor një sasi parash, paçka se ata paguajnë taksat dhe sigurimin shëndetësor. Kjo sasi parash që mjeku merr nga pacienti është për shërbimet e shëndetit publik, të cilat teorikisht janë falas. Ilaçet e ofruara nuk janë të një cilësie të mirë ose janë të skaduara dhe ka një mundësi zgjedhjeje mjaft të kufizuar në listën e barnave të rimbursueshme. Prindërit shpesh detyrohen të shmangin trajtimin mjekësor për fëmijët e tyre pasi nuk janë në gjendje të përballojnë mjekimet e shtrenjta. Spitalet dhe qendrat shëndetësore në zonat urbane dhe rurale kanë mungesë infrastrukture dhe mjekësh të specializuar, çka do të thotë që pacientëve u duhet të udhëtojnë 3-4 orë për të arritur

në spitalin më të afërt të qytetit. Spitalet në zonat urbane dhe qendrat shëndetësore në zonat rurale kanë mangësi në infrastrukturë dhe mjekë të specializuar”, sqarohet në raportin për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Diskriminimi

“Fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk u njihen të drejtat dhe nuk u plotësohen nevojat bazë. Në intervistat e zhvilluara me ta, fëmijët e komunitetit rom thanë se do të donin të kishin lëkurë

të bardhë që të mund të ishin njësoj me fëmijët e tjerë. Mungesa e kushteve minimale bazë të jetesës (ushqimi, strehimi, higjiena) çon në braktisjen e shkollës nga këta fëmijë dhe, si pasojë,

në rritjen e diskriminimit ndaj këtij komuniteti. Fëmijët e komunitetit rom shpesh detyrohen të lypin para duke humbur rrjedhimisht fëmijërinë, arsimimin dhe përfshirjen si dhe të drejtën për të luajtur. Ata hasin edhe probleme në zhvillimin e tyre fizik dhe emocional”, sqarohet në raportin e Save the Children, ku janë anketuar rreth 2000 fëmijë. Sipas tij, nxënësit që kanë mundësi të paguajnë për notat e tyre janë gjithnjë më të favorizuar krahasuar me ata që nuk i kanë mundësitë financiare për ta bërë këtë.

Pjesëmarrja

“Nga intervistat e kryera mësuam se zëri i fëmijëve nuk dëgjohet aq sa duhet të dëgjohej në disa rajone të Shqipërisë (Dibër, Durrës, Shkodër, Vlorë, Burrel, Elbasan). Askush nuk konsultohet

me fëmijët lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me ta. Si pasojë, fëmijët nuk besojnë se mund të luajnë një rol aktiv në pjesëmarrje dhe në gjetjen e zgjidhjeve për problemet. Për sa i përket vendimmarrjes brenda familjes dhe rolit të fëmijëve në marrjen e vendimeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre, mësuam nga intervistat që zëri i tyre nuk dëgjohet. Zakonisht janë prindërit ata që vendosin për zgjedhjen e lëndëve me zgjedhje në shkollën e mesme si dhe për çështje të tjera të lidhura drejtpërdrejt me fëmijët”, argumentohet në raportin e bërë publik dje në takimin me temë: “Të drejtat e fëmijëve me sytë e mi”, të organizuar nga Save the Children me rastin e 25-vjetorit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.

Droga

Sipas studimit, rreth 85% e fëmijëve të anketuar pohojnë se fëmijët, veçanërisht djemtë, përdorin substanca narkotike nga nevoja për t’u dukur dhe nga kureshtja

Faktorë të tjerë

65% e fëmijëve thonë që numri i përdoruesve të substancave narkotike ka tendencë të rritet vazhdimisht

53% e fëmijëve thonë që paratë për të blerë drogën sigurohen nëpërmjet vjedhjes, marrjes së parave borxh apo shitjes së drogës

Romët

Fëmijët e komunitetit rom thanë se do të donin të kishin lëkurë

të bardhë që të mund të ishin njësoj me fëmijët e tjerë

Shëndetësia

Spitalet dhe qendrat shëndetësore në zonat urbane dhe rurale kanë mungesë infrastrukture dhe mjekësh të specializuar

Pohimet

Fëmijët e intervistuar pohojnë se përjetojnë dhunë psikologjike dhe fizike nga prindërit si formë ndëshkimi dhe edukimi

Mungesat

Në shkollat rurale ka mangësi në banka, karrige, ngrohje, fusha sporti, laboratorë shkencorë, laboratorë kompjuterësh

Mësuesit

Disa mësues japin lëndë shtesë për të plotësuar numrin e orëve të mësimdhënies që duhet të kryejnë për të marrë rrogën mujore

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button