Rasti “Ansar”, Taulant Balla fiton gjyqin me Argita Berishën
Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke shpallur të pafajshëm deputetin e Partisë Socialiste, Taulant Balla, i paditur nga vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha për shpifje.
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist u padit nga Argita Berisha menjëherë pas deklaratave të tij publike, ku akuzonte vajzën e ish-kryeministrit dhe zyrën e saj ligjore se i kishte kërkuar 3 përqind të vlerës së investimit si tarifë suksesi biznesmenit Zafar Ansar.
Në procesin e gjykuar në Shkallën e Parë, gjykata i dha të drejtë Argita Berishës, por deputeti Balla e cilësoi si të padrejtë vendimin dhe e apeloi atë.
Akuzat e Ballës u konfirmuan në atë kohë edhe nga vetë biznesmeni Ansar. Në një intervistë të dhënë për Top Channel më 23 janar të 2013-ës, pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme ai thotë së është takuar me Argitën përmes ambassadorit të Shqipërisë në Arabinë Saudite.
“Vajta e takova për ta informuar se kisha në plan të ndërtoja një TEC me kapacitet 12 megavat. Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithçka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. E falenderova duke i thënë do të jetë kënaqësi e imja”, thotë ai.
Më tej, biznesmeni Ansar do të sqaronte në atë kohë se kishe pranuar të bashkëpunojë me zyrën ligjore të vajzës së ish-kryeministrit deri në një pikë, ku më pas ishte tërhequr.
“Argita më ofroi shërbimet e saj dhe unë rashë dakord të bashkëpunoja me të. Ajo më dërgoi marrëveshjen për të siguruar pagesat e saja për shërbimet ligjore, përveç të cilave kërkonte edhe 3% si tarifë suksesi. Unë nuk e nënshkrova këtë marrëveshje, pasi e konsiderova si ryshfet”, deklaronte ai.
Në fund, Ansar do të deklaronte për Top Channel në atë kohë se menjëherë pasi refuzoi të paguajë 3 përqindëshin, iu tha se nuk mund të merrte leje për të ndërtuar TEC-in.
“Arsyeja e vetme që mund të mendoj përse kjo ndodhi, lidhet me mosblerjen e tokës me atë çmim aq të lartë që mu ofrua. Edhe sikur të më jepej leja, unë nuk do ta kisha blerë atë tokë, pasi nuk ishte e përshtatshme për të ndërtuar atë që unë doja. Më erdhi shumë keq që s’munda ta realizoja një investim të tillë prej 100 milionë euro”, thotë Ansar.
Një vit më vonë, në 2014, Top Channel realizoi një tjetër intervistë me investitorin, i cili në atë kohë u shpreh i gatshëm të dëshmonte në procesin gjyqësor që ishte në vijim.
Deklaratat e tij, Argita Berisha i cilësoi si “biletë hyrëse për të bërë biznes me Ramën”.
“Kjo është historia e një biznesmeni që kërkon të marrë nga Rama, sot kryeministër, të drejtën për të bërë biznes me Ramën dhe që si biletë hyrëse ofron një intervistë politike. Biznesmenit në fjalë i është kërkuar të paguajë për punën ligjore me tarifa për orë pune, ose me shumë totale në mbarim të projektit, sipas preferencës së tij dhe kjo jo nga unë, por nga një firmë tjetër ligjore. Të vetmen faturë që i kam çuar personit në fjalë ka qenë ajo për punën e kryer nga një grup ekspertësh të fushave të ndryshme (rreth 8.000 euro), të cilën ai iku pa e paguar”, deklaronte Argita Berisha.