Politika

Reforma në drejtësi, sot konsultime publike në universitetin e Durrësit

Konsultimet publike për komponentët kryesorë të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri-2015″ do të vijojnë sot me forumin e radhës në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në këtë forum, ku do të marrin pjesë anëtarët e komisionit të posaçëm dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, do të prezantohen dhe konsultohen aspektet kryesore të këtij Dokumenti, sidomos komponenti ku analizohet Sistemi Gjyqësor dhe Financimi i Drejtësisë në Shqipëri.
Gjatë muajit qershor janë zhvilluar forume të ngjashme edhe në universitetet e Shkodrës dhe Vlorës, ku janë marrë opinione dhe propozime konkrete për këtë reformë të rëndësishme.

Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë është një përshkrim tërësor i mënyrës së organizimit dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe i rezultateve që ka dhënë ky sistem që nga viti 1998 (vit kur u hodhën themelet e sistemit në Kushtetutë).

Ky përshkrim përfshin të gjithë komponentët, duke filluar nga organizimi i gjykatave dhe prokurorisë, detyrat e tyre, mënyra sesi “qeveriset” gjyqësori dhe prokuroria, statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mënyra e administrimit të shërbimeve gjyqësore dhe prokuroriale, financimi i sistemit, etj.

Hartimi i Dokumentit Analitik është motivuar nga nevoja për të ndërtuar një plan reformash, i cili përcaktohet nga problemet dhe nevojat reale të sistemit, nga nevoja për të minimizuar efektin negativ të faktorëve të tillë, si politizimi, që shpesh në të kaluarën kanë diktuar axhendën e reformave, si dhe nga nevoja për të mundësuar përfshirjen e të gjithë aktorëve të fushës dhe atyre ndërkombëtarë në këtë proces historik.

Partnerë në këtë reformë me rëndësi strategjike janë EURALIUS-BE, OPDAT-SHBA, Komisioni i Venecias, OSBE-ja dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-SOROS.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button