Reforma në drejtësi: Takimi i parë, puna sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias
Takimi i parë për vitin 2016 lidhur me reformën në drejtësi është zhvilluar më 4 janar ditën e hënë. Tryeza e bisedimeve ishte vendosur në Kryesinë e Kuvendit ku, larg kamerave, ekspertët e përzgjedhur nga mazhoranca, opozita dhe Ministria e Drejtësisë, filluan punën per hartimin e ligjit te ri. Ra ne sy fakti qe LSI u prezantua nga ish Ministri i Drejtesise, Ilir Rusmajli. Disa gjëra kanë ndryshuar që nga takimi pa kompromis i një jave më parë i ekspertëve të reformës në drejtësi. Demokratët u shfaqën të kënaqur dhe pas një takimi dy orësh mes të gjithë ekspertëve pasditen e të hënës, Enkelejd Alibeaj bëri një deklaratë konsensusi.
“U ra përfundimisht dakord që diskutimi i mëtejshëm, procedura është pikërisht ky: Dokumenti i vetëm, bazë, mbi të cilin të gjithë ekspertët e të gjitha krahëve, të jetë i vetmi ai, dokumenti përfundimtar i miratuar nga Komisioni i Venecias. Opinioni, i cili e ka thënë qartë se çfarëdo lloj reforme që duhet bërë nuk do të duhet të krijojë kapjen e sistemit të drejtësisë”, tha Enkelejd Alibeaj.
Konsensusi mesa duket është i brishtë dhe demokratët u përpoqën ta vinin në dukje.
“Besoj se kjo është një hap përpara; i ndrojtur, por është një hap përpara”, u shpreh Alibeaj. I pyetur, nëse është tërhequr drafti që ekspertët e nivelit të lartë paraqitën një javë më parë pa u konsultuar me ekspertët e tjerë, siç kërkonte opozita, Enkelejd Alibeaj dha një përgjigje evazive. “Drafti i tërhequr para disa ditësh nuk është draft i Komisionit. Ai është një dokument i ekspertëve, i atyre që e kanë bërë, por jo i Komisionit. I vetmi dokument i cili do të punohet dhe mund të punohet është opinioni i Komisionit të Venecias”, deklaroi Alibeaj.
Ekspertët që shkruan draftin iu shmangën gazetarëve dhe nuk bënë asnjë koment, por Top Channel mësoi se për shkak të kompromisit të gjetur gjatë mbledhjes, ekspertët kanë punuar praktikisht mbi draftin e paraqitur një javë më parë.
Ata miratuan nenin 1 për preambulën e Kushtetutës dhe ranë dakord të bëjnë disa ndryshime për nenet që kanë të bëjnë me integrimin europian.
Amendamentet fillestare e trajtonin Shqipërinë si vend anëtar të Bashkimit Europian dhe u jepnin shqiptarëve të votojnë për të zgjedhur anëtarë të Parlamentit Europian. Komisioni i Venecias thotë se nëse Parlamenti këmbëngul që këto ndryshime të bëhen tani, në mënyrë që Kushtetuta të mos ndryshojë sërish në të ardhmen, duhet të bëhet e qartë se këto amendamente do të hyjnë në fuqi vetëm pasi Shqipëria të bëhet vend anëtar. Me këmbënguljen e ekspertëve të tjerë është rënë dakord që Komisionit t’i çohen si zgjidhje alternative edhe heqja e këtyre amendamenteve si të parakohshme.