Rektori që nuk u shqiptarizua
Nga Dr.Jorgo Mandili
Zgjedhjet universitare janë shpallur. Pavarësisht opinioneve për nulitetin e këtyre zgjedhjeve, “xhonturqit” e rilindjes së arsimit nuk duan të dëgjojnë. U është mbushur mendja se e “dinë mirë çfarë bëjnë dhe ku duhet të arrijnë”. Ashtu qoftë! Nuk është qëllimi ynë që “të promovojmë punën e mirë për zhbërjen e arsimit”, por meqënëse jemi në prag zgjedhjesh universitare do të ishte me vend të sillnim në vëmendjen e atyre që do kandidojnë përvojën e një ish-rektori që u përpoq të bënte një universitet ndryshe. Bëhet fjalë për intelektualin e diasporës, Profesorin e matematikës, i lauruar e doktoruar në universitetet amerikane Tanush Shaska.
Shpresa për ndryshim , lidhej me vizionin dhe aspiraten e tij për të besuar në një ndërgjegje reformuese dhe thelbësisht ndryshe në menaxhimin e këtij universiteti për ta futur atë në garën e madhe dhe të vështirë të konkurrimit me universitetet perëndimore. Por, ky ndryshim, theksonte Prof.Shaska, nuk arrihet brenda natës, por me një plan agresiv, me vënien e institucionit mbi egoizmin vetjak… “Ne si individë jemi fare pa rëndësi. Janë institucionet ato që mbeten dhe i japin vendit dhe historisë”. Nryshimi ishte radikal. Sepse modeli ishte perëndimor, drejtimi intelektual, menaxhimi modern. Vetë ai do të deklaronte: “Mendoj se ndryshimi i universiteteve tona me universitetet e vendeve perëndimore, është se këto të fundit përgatisin punonjës për 50 vjetët e ardhshëm, kurse universitetet tona përgatisin punonjës për 50 vitet e shkuara”. Shaska përcaktoi sfidat dhe politikat për këto sfida për ta transformuar U.V. në një universitet modern, me prioritet teknologjik dhe me programe mësimore të krahasueshme me universitetet më të avancuara të botës.
Sfidat
Në tërësinë e sfidave, të përcaktuara në këtë platformë, me prioritet strategjik, më kryesoret ishin: kërkimi shkencor, reforma kurrikulare, metodologjia e mësimdhënies, përmirësimi i menaxhimit të shërbimeve nëpërmjet një sistemi informativ modern, përmirësimi i vetqeverisjes nëpërmjet lirisë akademike dhe autonomisë financiare.
1.Në kërkimin shkencor, u riformuluan politikat lidhur me drejtimet ku do të orientoheshin fushat e studimit si dhe në rritjen e rolit të departamentit dhe fakultetit, për hartimin e projekteve, ku fituesit financoheshin përmes një procedure transparente konkurrimi. Jo i gjithë personeli u përfshi në kërkimin e mirfilltë shkencor .U aktivizua vetëm pjesa e profesoratit i cili kishte qënë i sukseshëm. Për pjesën tjetër, ky lloj kërkimi nuk ishte i detyruar, prandaj dhe ngarkesa më e madhe e tyre (rreth70% e kohës) ishte në dizpozicion të mësimdhënies dhe shërbimeve që ofronte universiteti në aktivitete të ndryshme. Për realizimin e këtyre synimeve, u ndërtua edhe infrastruktura përkatëse e cila mbështeste dhe ndihmonte zhvillimin normal të saj: zyra e kërkimit shkencor, revistat shkencore, qëndra e koordinimit shkencor, qëndra e I.T si dhe inkubatori teknologjik. Veçantia ishte se në krye të këtyre institucioneve u emëruan djem e vajza të reja që kishin studiuar në universitetet perëndimore dhe kishin një përvojë të suksesshme. Me një konceptim të tillë të punës shkencore profesorati filloi të realizonte në praktikë projekte kërkimore, konferenca shkencore, artikuj shkencorë, bashkëpunime me universitete europiane dhe rajonale për studime të përbashkëta. Filloi pra një gjallërim i përpjekjeve të çdo pedagogu për të pasuruar C.V e vet se në fund të vitit bëhej bilanci dhe vlerësohej perfomanca e secilit individ, departamentit dhe fakultetit.
2.Momenti tjetër ishte reforma kurrikulare: kalimi nga një kurrikul pa filozofi në një kurrikul me filozofi të qartë që t’i jepte kuptim veprimeve dhe vendimeve drejt një oferte të re didaktike e cila të pasqyronte mënyren e të kuptuarit të botës dhe të marrëdhënies së individit me të, ndryshimet në mënyrën e formimit të tij dhe të interesave të tij, i cili duhet të kryejë punë, duke u mbeshtetur në dije të kuptuara si kapital intelektual. Ky kuptim i ri i dijes kërkonte: zëvendësimin e mësimdhënies deklarative që stimulonte riprodhimin dhe memorizimin, me mësimin dhe kërkimin apo, hulumtimin, që stimulon të mësuarit kritik e krijues dhe vlerësimin e aftësive të individit për të argumentuar veprimet në situata të reja problemore. Programet dhe tekstet nuk u panë si qëllim, por si mjete për plotësimin e qëllimit. Kurrikula i detyronte studentët jo të konsumonin dije por të prodhonin dije duke e parë veten si ndërtues të dijeve të reja.
3.Përmirësimi i shërbimeve të studentëve dhe profesoratit nëpërmjet një sistemi informativ të Universitetit të Vlorës (S.I.U.V.) e lehtësoi administratën jo vetëm nga ngarkesa burokratike por i preu edhe mundësinë e korruptimit. Nga një sistem bllokues në letër u kalua në një sistem dinamik elektronik që pasqyronte cdo ndryshim në cdo moment që lidhej me jetën dhe veprimtarinë e universitetit. I vetmi universitet që kishte një faqe interneti funksional shqip dhe anglisht. Çdo pedagog e student kishte passuordet, email-et e tyre me anë të të cilave realizohej një komunikim ekselent midis gjithë komunitetit universitar. Nevojat e përditshme të këtij komuniteti: regjistrime, pagesa,vërtetime, listë notash, detyra programet mësimore, orarin, testet mësimore, sylabuset, provimet e shumë shërbime të tjera realizoheshin nëpërmjet S.I.U.V. Risia dhe specifike për këtë universitet ishte se për herë të parë studenti ishte i lirë të zgjidhte vetë orarin, pedagogun, dhe lëndën. Vetëmenaxhonte kohën dhe aftësitë intelektuale. Universiteti ishte i hapur nga ora 7.00 21.00 dhe nga tetori në tetor ku në muajt e verës organizoheshin kurse verore si për studentët ngelës ashtu edhe për të tjerët që ndiqnin kurse speciale me profesorë të huaj në anglisht. Brenda një kohe të shkurtër ndryshoi imazhi i Universitetit të Vlorës. Interesimi ndërkombëtar nga universitete rajonale e më gjerë u rrit dhe u nënshkruan një sërë marrëveshjesh për projekte të përbashkëta. Kishte një impenjim e gjallëri të aktiviteteve universitare të papara më parë.
4.Ndërkaq, një universitet modern nuk mund të konceptohej pa një vetqeverisje të brendshme si në aspektin akademiko-shkencor ashtu edhe në atë financiar. Liria akademike dhe autonomia financiare të lidhura ngushtë me njëratjetrën përbëjnë filozofinë e kësaj vetëqeverisjeje. Nëqoftëse këto parime respektohen, atëherë mund të flasim për një universitet të lirë në kuptimin “humboldtian”, d.m.th të krijohen të gjitha kushtet për një karrierë produktive si për studentët ashtu edhe për profesoratin. Është kjo arsyeja që Prof. Shaska u përpoq dhe luftoi për të fituar këtë autonomi kur deklaronte: “Që U.V. të mbijetojë dhe të ketë imunitet nga zhvillimet politike në vend, ne duhet të kemi një strategji të qartë për liri akademike dhe autonomi financiare nga M.A.SH. Universitetet perëndimore edhe pse publike vetëm një përqindje të vogël të fondeve të tyre e sigurojnë nga buxheti shtetëror. Pjesa tjetër del nga aktiviteti shkencor, bashkëpunimi me kompani private dhe taksat e studentëve. Një strategji të ngjashme duhet të kemi edhe ne. “A nuk kërkon këtë gjë edhe Ligji i Ri i Arsimit të Lartë, kur Prof.Shaska si rektor e kërkonte 8 vjet më parë?
Projekti i ri menaxhues i universitetit të Vlorës po transformonte një sistem të vjetër dhe jo eficent, në një sistem universitar modern: me programe akademike moderne, me staf akademik të rinovuar, të kualifikuar, me studentë të interesuar dhe të motivuar dhe të supervizuar nga ky staf dhe profesorë të huaj, me një sistem informativ dinamik e mbi të gjitha me një filozofi të re akademike, shkencore e civilizuese. Por ….si në Shqipërinë me mentalitet otoman, nuk e pati të gjatë as Shaska nga politika e pushteti e as projekti nga “dovleti”.
Arsyeja e vërtetë e një sulmi poliedrik të shfrenuar (shteti, pushteti, gjykata, prokuroria, mediat aleate të qeverisë qëndrore e lokale, deputetë e politikanë të djathtë të Vlorës e aleanca të tjera shpifësish e mashtruesish), ishte se rektori Shaska i nxorri “petët e lakrorit” të gatuara nga të gjitha qeveritë si të djathta ashtu edhe të majta. Përtej fasadës dixhitale me salla kompjuterash (sot me salla tabletash) e klasa me internet (sot me klasa inteligjente) deri në zonat rurale, të trumbetuar me aq bujë e tam-tame nga qeveria, doli në shesh gjëndja mjerane e një arsimi të mjeruar. Ju kundërvunë një rektori që kërkonte cilësi. Kundër kësaj padrejtësie dhe parregullsie doli “rektori që deshi të na hapë sytë”, do të deklaronte gazetari dhe pedagogu IlirYzeiri, “Mirëpo ata që kanë kurajon dhe guximin t’i thonë JO, janë ende pak mes nesh dhe unë personalisht qoftë si gazetar, qoftë si pedagog universiteti, e ndjej veten mirë kur shoh njË rektor të nderuar, një profesor universiteti që ngre zerin dhe kërkon të respektohet liria akademike e institucionit që përfaqëson”, përfundon Yzeiri. Por këtë kurajë dhe guxim rektori Shaska “e pagoi me kokë” duke iu dhënë një “shembull të mirë” të gjithë atyre të tjerëve që do guxojnë të kenë mendim ndryshe me atë zyrtar.
“Më pak mizori ndaj rektorit të Vlorës, do të ishte qytetari!”, apelonte gazetari F.Zekthi. Por a mund të tregohej qytetari ndaj këtij rektori “rebel” që u prishi rendin në shpirt e në mendje pushtetarëve të asaj kohe duke përfshirë dhe kryeministrin.
“Nëse Xh.Bush apo Obama do të urdheronte një president të një universiteti në Amerikë se kë do të pranonte dhe kë të mos pranonte në universitet, kjo do ishte vdekjeprurëse nga ana politike. Nuk e marr vesh se si funksionon këtu, që qeveria duhet të na tregojë se kë duhet dhe kë s’duhet të pranojmë në universitet. Qeveria e ka për detyrë të shikojë që ne të mos diskriminojmë për arsye politike, fetare apo raciste e nacionaliste. Vetëm atëherë do të kishte të drejtë të ndërhynte”, thoshte Shaska.
A mund të tregohej qytetari për një heretik të tillë që kërkon t’i japë mendje qeverisë? Aspak! E “meritonte” mizorinë që ende vazhdon ta vuajë edhe sot nga akuzat absurde të arradhës se prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar në shërbim të politikës deri sa arritën ta detyronin te jepte dorëheqjen në mes te mandatit dhe t’i organizonin një gjyq farse që vazhdon ende edhe sot duke nëpërkëmbur dinjitetin dhe personalitetin e këtij intelektuali e matematicieni amerikan me origjinë shqiptare.
Prova që bëri Prof. Shaska tregoi se edhe mëse dy dekada, pas rënies së komunizmit autokracia, autoritarizmi e shtetiparti, jo vetëm “gjallojnë”, por bëhen edhe një barrierë reale për të gjithë ata shqiptare të spikatur që guxojnë apo kanë ambicjen e përgjegjësinë intelektuale për të kontribuar në atdheun e tyre. Prof.Shaska bëri gabimin fatal që nuk u “shqiptarizua” dhe e pësoi si shumë të tjerë që në kohën e Berishës kanë ikur të “lemerisur” nga ky vend. Diaspora është një mundësi potenciale intelektuale e “artë” për NDRYSHIM. A do ta shfrytëzojë këtë mundësi kryeministri i Rilindjes për të përfshirë intelektualet e spikatur në projektet e refomat e qeverisë? Këtë do ta tregojë koha. Një rast e humbi me reformën e arsimit të lartë. Ekziston edhe një mundësi tjetër: Zbatimi dhe monitorimi i Ligjit të Arsimit të Lartë. Të shpresojmë që “rebelët” të mos i përjashtojë si paraardhësi i tij.