“Republika ideale” dhe PS
Nëse je një qytetar i zakonshëm i kësaj republike dhe rrekesh të kuptosh thelbin e debatit disamujor brenda PS, që kulmoi në Kongresin tonë të fundit, të lindin vetvetiu disa pyetje:
A u debatua për gërmën, apo për frymën?
Për rregullat e shkruara apo edhe ato të pashkruara?
Për statutin apo për politikën?
Për teorinë, apo për praktikën?
Për garën që duhet të bësh kur humbet si në 2009, apo për garën që nuk duhet të bësh kur fiton si në 2013 apo 2015?
Për të vijuar më pas me një serial tjetër:
A po debatohet për zgjedhjet apo për zgjidhjet?
Për sasinë, apo për cilësinë?
Për të ardhmen, apo për të shkuarën?
Për të majtën, apo për të djathtën?
Për programin apo për ambicien?
Për emrin, apo për çështjen?
Për karrigen, apo për idealin?
Për muzeun e një historie 75 vjeçare, apo për trazimet e një partie 25 vjeçare?
Për partinë, apo për Shqipërinë?
Për shumicën, apo për emrin e përveçëm?
Për pronën e përbashkët, apo për ndërrimin e kuajve të karrocës?
Për mediokritetin elitar, apo për elitizmin mediokër?
E për të shkuar pak më larg:
Debati është një sëmundje e së majtës, apo e PS?
Është një luftë e pambarimtë brenda llojit, apo një ushtrim i pafund demokracie?
PS është problemi, apo zgjidhja?
Është shembulli, apo modeli?
E majta është rasti, apo përjashtimi nga rregulli?
Reformim i PS, apo i Shqipërisë?
Klasë politike e vjetër, apo Shqipëri e gjeneratës së re?
E pas kësaj, fillojnë të marrin udhë edhe ndo ca pyetje të tjera:
A është Edi Rama një kryetar partie dhe kryeministër legjitim, apo ilegjitim?
A është Ben Blushi një Platon i mijëvjeçarit të ri, apo një politikan që gjeti tek Kongresi pikën për të vendosur “Levën e Arkimedit”, që të zhvendosë botën e tij të ardhshme politike?
A ishte ky fillimi i një fundi, apo fundi i një fillimi?
Tek fjalimet, intervistat, prononcimet, debatet dhe libri i fundit i Blushit, kam parë sforcimin për të vizatuar sa më qartë një Shqipëri edhe më ideale se në variantin Hi Tech të “Shqipëria çka qenë, është e çdo të bëhet”. Një të majtë dhe një PS, po aq ideale, gjithashtu. Duke më detyruar ti referohem Norberto Bobbios tek “E djathta dhe e majta” kur shkruan se “nuk e kam të vështirë të pranoj se mënyrat me të cilat është kërkuar të realizohet ideali, kanë pasur edhe efekte perverse. Jo shumë kohë më parë i kam quajtur dukuri të tilla si “utopi e përmbysur”, duke u nisur nga mendimi se është fjala për përmbysjen e plotë, në të kundërtën e vet, të një utopie barazimtare madhështore. Filozofët që kanë përshkruar në veprat e tyre qytete ideale nuk i kanë propozuar ndonjëherë si model për tu zbatuar në praktikë. Platoni e dinte fare mirë se republika ideale, për të cilën kishte folur me miqtë e nxënësit e vet, nuk ishte e destinuar për të ekzistuar gjëkundi, sepse vërtetësia e saj gjendej, siç i thotë Glaukoni- Sokratit, vetëm “në bisedat tona”. Përkundrazi, sapo utopia barazimtare hyri në histori, për të kaluar nga mbretëria e “bisedave” në atë të sendeve, u kthye në të kundërtën e vet”.
Që Shqipëria nuk është një republikë ideale, ky nuk është një opinion, por fakt.
Që për këtë faji nuk është i Edi Ramës, ky nuk është opinion, por fakt.
Që debati në PS i bën mirë edhe Shqipërisë, ky nuk është opinion, por fakt.
Që Shqipëria ka ndryshuar këto 26 vjet, më shumë se në 76 vitet e shkuara të historisë së saj të re shtetërore, ky nuk është opinion, por fakt.
Që Shqipëria këto 30 muajt e fundit, ka ndërmarrë reformat më të thella strukturore të shtetformimit modern, sesa në 30 vitet e fundit, ky nuk është opinion, por është fakt.
Që Edi Rama është po aq socialist sa Blushi, ky nuk është një opinion, por është fakt.
Që Edi Rama ka bërë e po bën për të varfrit po aq sa edhe Blushi ka shkruar për ta, ky nuk është opinion, por fakt.
Qe Edi Rama mund ta vizatojë “republikën ideale” edhe me fjalë, fjalime, intervista, opinione, deklarata dhe libra, të paktën po aq qartë sa Blushi, ky nuk është opinion, por është fakt.
Që varfëria mijëravjeçare e një populli si yni, nuk mund të ndryshojë për 1 000 ditë edhe sikur Zoti dhe jo më Edi Rama të na qeverisë, edhe ky nuk është opinion, por është fakt.
Çështja nuk është ta shpjegosh, ta vizatosh apo vetëm ta idealizosh. Çështja është që ta ndryshosh Shqipërinë. Të përsosësh sistemin, balancat e pushteteve, të drejtat, mundësitë dhe ti hapësh një rrugë e perspektivë gjithnjë e më të madhe mbrothësisë së qytetarëve të kësaj republike. Për ta bërë atë gjithnjë e më normale. Për ta bërë republikën tonë reale, gjithnjë e më funksionale. Për ta përsosur, duke e bërë gjithnjë e më konkurruese, performuese dhe prosperuese.
Por që kjo të realizohet, çështja nuk është vetëm që të flasësh për socialistët dhe të majtën. Cështja është që edhe të japësh shembullin për ta. Fjala ka një vlerë të paçmuar. Por, sado e çmuar që të jetë ajo, nuk vlen më shumë se shembulli. Cështja është jo vetëm ta duam me fjalë, por edhe me vepra Shqipërinë. Duke ndryshuar përveç të tjerash, edhe Partinë Socialiste. Nëse dikujt nuk i pëlqen kapiteni, zgjidhja nuk është mbytja e anijes. Por puna e përbashkët për ta çuar më shpejt dhe drejt një rruge më të sigurt, anijen e qeverisjes në destinacion. Vetëm kështu do të ndryshojmë, përsosim dhe do ta bëjmë edhe më të mirë Shqipërinë. Dhe sigurisht, edhe demokracinë.
E gjitha çfarë ndodhi në Kongresin e PS, tregon se Shqipëria jo vetëm që është në drejtimin e duhur, por ajo po qeveriset dhe do të qeveriset, gjithnjë e më mirë. E kështu do të kemi më shumë të pasur. Nuk do të vuajmë se nuk do të kemi shtresë të mesme. Dhe nuk do të shkojmë kurrë në konflikt, sepse do të ketë gjithnjë e më pak të varfër. Sepse e majta për të cilën po debatojmë kaq shumë këto ditë, që nga koha e Revolucionit Francez, ka lindur për ta shmangur këtë konflikt përmes barazisë, drejtësisë dhe solidaritetit.
Ndryshe nga se shkruan Blushi tek libri i tij i fundit “Letër një socialisti”, demokracia nuk është shpikja e të varfërve për të garantuar barazi përmes drejtësisë. Por, fruti i mrekullueshëm i ëndrrës më të vjetër të njerëzimit, për të garantuar drejtësi përmes barazisë. Një ëndërr 2600 vjeçare, që nga Platoni i Greqisë së lashtë, e deri tek Blushi i Shqipërisë së sotme. E cila na shtyn të gjithëve ne, për ta bërë sa më ideale, këtë republikën tonë reale.