Ekonomia

Rikthimi i bujqësisë, sektori mburojë për ekonominë shqiptare në vitet më të vështira të krizës

Kriza ka tkurrur ritmet e rritjes thuajse për të gjitha degët e ekonomisë shqiptare. Por ka një sektor, që duket se ka rezistuar më mirë nga të tjerët dhe ky është bujqësia.

Kosove-Toka-bujqesore-525x350Për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar kontributi i bujqësisë në Prodhimin Kombëtar ka ardhur duke u rrudhur. Por sapo ekonomia u godit nga kriza, tendenca u përmbys.

Sipas Eurostat,  nga 19.4 për qind që ishte në vitin 2008, në fund të 2013-ës, pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare u rrit në 22.2 për qind. Ky zgjerim së pari reflekton rrudhjen e sektorëve të tjerë, të cilat janë goditur më fort nga kriza, sic është rasti i ndërtimit.

Por përveç kësaj, rritja e peshës së bujqësisë në Prodhimin Kombëtar dëshmon se ky sektor e ka përballuar krizën më mirë se degët e tjera, duke u shndërruar në një mburojë për ekonominë kombëtare në vitet më të vështira të saj.

Bujqësia, lokomotivë e ekonomisë?

Shqipëria është vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në ekonomi, me diferencë të theksuar me vendet e tjera të rajonit. Perballë kësaj situate shumë ekspertë janë skeptikë, nëse Shqipëria mund të mbështetet më fortë tek prodhimi bujqësor, por ish-zëvendësministri Ndoc Fasllia thotë se potencialet e këtij sektori per te gjeneruar mireqenie janë shumë të mëdha.

“Nëqoftëse sot kontributi i bujqësisë në vlerë 2.5 miliardë dollarë në momentin që flasim, të jeni të sigurtë që potencialet e këtij sektori, pra për të siguruar rritje ekonomike, për të siguruar rritjen e të ardhurave dhe standardit të jetesës, vecanërisht në zonat rurale, është 3 deri në 4 herë më i madh”, thotë Fasllia.

Por nga mund të vijë kjo rritje? Përgjigjen e jep zëvendësministri aktual i bujqesisë, Alban Zusi.

“Së pari ne kemi sipërfaqe të tëra, me qindra mijëra hektarë të papërdorura ende. Ne kemi rendimente shumë të ulëta të prodhimtarisë dhe ky është një burim tjetër. Edhe përmirësimi i kulturave, ndryshimi i strukturës së mbjelljeve është një burim i tretë i potencialeve që ka ky sektor që është i pashfrytëzuar”, thotë Zusi.

Vlera qe shton një fermer shqiptar në ekonomi është disa herë më e ulët jo vetem se mesatarja e Bashkimit Europian por edhe vendet e rajonit. Zusi thote se cçelësi për te rritur produktivitetin është futja e sektorit në shinat e tregut.

“Ka një konceptim apo rikonceptim tërëisisht të ri për prodhimin bujqësor dhe për fermerët, të cilët ne po përpiqemi t’i kthejmë nga njerëz duhet të garantojnë mbijetesën e familjeve të tyre, por përpiqemi t’i kthejmë në njerëz të biznesit”, thotë Zusi.

Por ish-zëvendësministri Fasllia mendon se komercializimi i bujqësisë do të jetë i vështirë nëse nuk nxitet shiblerja e tokës. Dhe kjo sipas tij kërkon ndërhyrjen e shtetit si ndërmjetës në këtë proces.

“Një fond për blerje të tokës bujqësore nga shteti. Shteti duhet të bëhet ndërmjetës në këtë rast midis fermerit dhe sipërmarrjeve të mëdha. Pastaj kjo tokë e blerë, në sipërfaqe të mëdha shteti mund ta japë për qira, por mund edhe t’ua shesë kompanive të mëdha sipërmarrjeve të mëdha, të cilat janë të gatshme dhe kanë likujditete dhe janë të gatshëm për të investuar në bujqësi”, thotë Fasllia.

Ekspertët mund të ndahen në politika, por të gjithë bien dakord në një pikë. Bujqësia është rikthyer. Dhe në ambientin e ri të vështirë ekonomik, mund të jetë ndoshta një nga sektorët me potencialin më të madh për të rritur ekonominë kombëtare dhe të ardhurat e familjeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button